Hyqmet Zane: Shkatërrimi  i arsimit nga “rilindja”  shkatërrim i së ardhmes

Edukimi arsimor dhe arsimi bazë janë shpresa për një të ardhme të mirë

Të qenurit mësues në profesion,  është një privilegj me akses të madh për një njeri, kur mendon se ka pjesë kontributi  në të ardhmen e kombit dhe kur ka mendje për të bërë më të  mirën në kohën e karrierës së tij. Bëhet fjalë për arsimin, se kjo është çështja  më e madhe që duhet të ketë si busull orientuese një komb. Doemos e rëndësishme shumë është edhe për çdo qeversje të një vendi,  nëse vërtet ka interes të ardhmen e vendit të tij. Nuk është gabim të ripërsëris atë shprehjen se si është arsimi sot, do të jetë e ardhmja nesër, apo atë tjetrën se kush hedh bazat e arsimit cilësor, ai ka hedhur themelet e qëndrueshme të një kombi në të ardhmen e tij cilësore.

Sigal

Këtë gjë shqiptarët e kanë të qartë si buka që hanë, por politika dhe qeverisjet e njëpasnjëshme duket se i kanë harruar të vërtetat e thëna për arsimin e popullit dhe merren me punët e interesave që përfitojnë nga të qenurit në politikë. E them këtë, sepse mënyra se si ndërtohen strategjitë, (nëse ka), për arsimin në një vend, ajo përcakton edhe orientimin e një shoqërie në të ardhmen edhe në sektorë të tjerë të jetës sociale. Kam keqardhje se si mësues e kam dashur zanatin tim, duke pasur parasysh përshtatshmërinë e Hipokratit për mjekësinë, por që duhet të jetë edhe për arsimin. Nëse mjekësia ka një formulë apo porosi të Hipokratit, kam bindjen se ai këtë duhet ta ketë thënë duke pasur parasysh se edhe mjekët dalin nga duart e mësuesve dhe bëhen të tillë kur mësohen mirë në profesionin e tyre.

Mund të flasësh e të shkruash shumë mendime të tilla idealiste, por realiteti që përjetojmë është keqardhës dhe zhgënjyes. Dhe këtë zhgënjim nuk e ka bërë në një vit një qeverisje, por vit pas viti, tolero këtu, e ndërhy atje, krijo informalitete këtu, dhe mos fol atje, se i prishet terezia qeverisjes, këto e të tjera na krijuan modelin e servilizmit dhe militantizmit në drejtimin e arsimit dhe më keq akoma, në implementimin e së keqes deri në bankat e shkollës në marrëdhëniet mësues-nxënës. Çfarëdo situate që të vijë në këtë botë, gjithnjë njerëzimi do ketë nevojë për arsimimin e fëmijëve,  që nesër do të jenë brezi pasardhës, nga i cili varet nëse do shkojmë në rrugën e mbarë apo të mbrapshtë. Nëse më 2013 me reformën  “Rilindje” u mendua se do niste një faqe e re edhe në lëmin e arsimit, me mbylljen e universiteteve private, që të them të drejtën ishin ekzagjeruar dhe po prodhonin informalitet arsimimi, më pas, jo vetëm unë, kuptuam se ajo ishte vetëm fasada, se në themel të asaj reforme ishte makutëria e militantistëve për t’u punësuar dhe për të bërë arsim pa përmbajtje dhe me drejtues kontributorë  në vjedhjen e zgjedhjeve, si dhe me mësues rishtas me diploma të blera apo me nivel shumë të ulët arsimor. Kundraversi është se një reformë arsimore nuk mund të mendohet dhe nuk është praktikë që të nisë nga universitetet, por nga arësimi bëzë fillor dhe parashkollor. Por si në çdo gjë tjetër edhe në këtë drejtim, e ashtuquajtura “rilindje” krijoi kundrapedalizmin e vet nga injoranca e drejtuesëve me mendësi perverse. Tregues i banditizmit universitar u bë me ndikimin e banditëve që donin të zgjidheshin ata të preferuarit e kryeministrit apo të stafeve të tij, derisa sa iu pre ajo rrugë. Por në këtë vit 2020, u manifestua edhe një model tipik, si zgjedhjet e pushtetit vendor një vit më parë për zgjedhjen e rektorëve pa konkurentë në disa universitete, apo me kandidatë që njihen mirë si përfaqësues dhe shërbëtorë të PS-së, në një kohë që gjendja në auditoret e këtyre universiteteve dhe fakultetet e tyre, ka shkuar drejt mbylljes dhe çuarjes ujë në qëllime personale të këtyre rektorëve. Mjafton të dish se kush është në krye të ministrisë së arsimit, kupton se në cilin nivel ka rënë arsimi kombëtar. Protestat e studentëve që qeveria gjeti mundësinë t’i shuante me arrogancën e vet kryeministrit, kupton se arsimi universitar i ka ikur akademizmit dhe ata profesorët me tituj, janë bërë të heshtur se del kryeministri dhe u mban leksion akademie. (ku kuja)!

Por ajo që është më shqetësuese është fakti se në arsimin parashkollor dhe sidomos në atë fillor, ka një papërgjegjshmëri  në nivelin e stafeve profesionale të mësuesve, ku bie në sy niveli i ulët i nxënësve, me mungesë dashurie për shkollën nga nxënësit. Mjaft të dëgjosh një emigrant që ka kaluar  30 vjet në Greqi, më thoshte me kompetencë se rëndësia që i jep shteti grek sistemit arsimor parashkollor dhe fillor, ku mësuesit janë edhe më të paguar dhe me një profesionalizëm me konkurs dhe pa anësi dhe ndërhyrje që as mund të mendohen, kupton se baza e arsimit mbi të cilën ngrihet e gjithë piramida e arsimit në këtë vend, është e suksesshme dhe në funksion të asaj ideje që thamë, se nuk ka kryeministër që ndërhyn si Edi Rama, në gjithçka kur vetë nuk e ka nivelin e përgatitjes arsimore, duke ditur që është thjesht një piktor, që as pikturat nuk i njihen.

Nuk mund të flitet për nivelet e godinave, se as vetë ministrja nuk i di se si i ka, por stafet arsimore pedagogjike të shkollave janë si në një armiqësi mes tyre, sepse militantët i shohin si armiq  mësuesit me eksperiencë  dhe gjithnjë gjenden kleçka për t’ia thënë kryetarit të partisë dhe  mësuesve profesionistë,  në jo pak raste u janë krijuar probleme me emërimet dhe lëvizjet pa kriter dhe që kanë një ndikim të madh në ecurinë e përgatitjes së fëmijëve. Cila ka qenë reforma në arsim, kush e di dhe ku u shpalos ajo ndonjëherë, ku janë mësuesit e dytë në klasat fillore, ku janë zbatimet e vendimeve  të qeverisë për punonjësit  psikologë dhe punonjësit  socialë? Ku janë ata që kanë fituar vende nderi në certifikime dhe që ende nuk kanë zënë punë?  E vetmja reformë që është bërë, është ajo e ndarjes së zonave sa DAR në Elbasan si kryeqyteti i arsimit kombëtar, u transferua në Korçë dhe në Elbasan, në vendin e Kongresit të Elbasanit , mbeti vetëm zyra arsimore që nuk ka asnjë vlerë.

Nëse do të duhet të gjykojmë se si do vejë halli i arsimit bazë që mendohet se është shpresa për një arsim të qëndrueshëm dhe të mirëfilltë, kjo situatë e krijuar nga Covid-19, do të duhet të ndyshojë rregullat e lojës dhe puna do të duhet të marrë një tjetër rrjedhë që gjithësesi është e paparshikueshme dhe që gjithsesi nuk ka shanse ta mendojë një ministre e arsimit e paaftë dhe aq më tepër një kryeministër që i ka ikur miza e punëve të mira të këtij vendi.

Shumë kemi folur për sistemin arsimor në kohën e diktaturës dhe kemi hedhur shumë baltë mbi të për shkak të politizimit dhe ideologjizimit. Por të rrijmë shtrembër e të flasim drejtë, nëse atij sistemi arsimor do i heqësh anën e boshtit ideologjik, baza e tij, përgatitja arsimore e mësuesve dhe nxënësve, ishte e një niveli të lartë. Unë e shumë breza si unë, jemi prodhim i atij sistemi me sens lindor, por që në vetvete ishte me të vërtet arsim dhe niveli i mësuesve dhe i të gjitha profesioneve që dilnin nga shkollat shqiptare,  ishte i lartë dhe kokurues  edhe në botë sepse kur ndodhi hapja e vendit,  u pa se çfarë mundën të jepnin ata që ishte e paimagjinuar, deri edhe shkencëtarë  treguan se çfarë mund të bëjnë. Herë pas herë bëhen debate në media dhe TV për arsimin dhe që flasin specialistë të arsimit që gjithsesi shihen shtrembër nga ministria dhe vetë ministrja sidomos nga kryeministri që gjithnjë hakmerret me marifetet e tij ndaj tyre, por që në fakt problematikat e ngritura nga këta specialistë janë ato që i duhen arsimit për të ndryshuar realisht dhe të kemi vërtet një reformë ku akademikët me aftësitë e tyre dhe programimet arsimore të japin kontribute që vërtet arsimi në Shqipëri të bëhet cilësor dhe të lagohet nga militantizmi dhe informaliteti i lartë në prodhimin e skarcove që vijnë nga plagjiaturat që janë të pafundme dhe të rrezikshme për një shoqëri që meriton shëndoshje të arsimit bazë mbi të cilën ngrihet e ardhmja e sistemit të jetës së një vendi.

Edhe mësimi online që u propogandua si sukses, tregoi se jo vetem nuk kemi eksperiencën e duhur, por edhe se mungonin pajisjet digjitale dhe modelet se punës që do jepnin mundësinë e mësimit si në kushte reale. Kur Gjermania pranoi publikisht se kjo formë e të nxënit online nuk ishte eficente, imagjinoni suksesin shqiptar. Ende nuk ka një platformë se si do të bëhet mësimi, si do jenë pluset dhe minuset e kësaj situate arsimore  dhe sa të përgatitur janë mësuesit dhe sa ndikim do të kenë ata tek fëmijët për të realizuar programet arsimore. A mos ndoshta ka ardhur koha për një Kongres arsimor, jo për drejtëshkrim, por për një mirëmendim për arsimin bazë parashkollor dhe veçanërisht fillor dhe për më tej? Detyrimisht që po, por këtë vendim madhor nuk mund t’a marrin njerëz që flasin si kryeministri, me barsaleta dhe antiopozitarizëm,  apo një minister  arsimi që nuk e ka haberin e trashëgimisë tonë arsimore dhe që shpesh bën gafa edhe në konceptimin e problematikave  të arsimit.  Specialistët e mirëfilltë të arsimit dhe akademikët e kanë në dorë fatin e arsimit dhe të së ardhmes së popullit të këtij vendi.