Suplementi Pena Shqiptare/ Mexhit Prençi: Vështrim kritik mbi prozën e shkrimtarit unik, Kasem Trebeshina

420
Sigal

 

 

“Arti i shkrimtarit atij që e ushtron me ndërgjegje 

i  jep kënaqësi të veçantë, por i shkakton 

edhe dhimbje të mëdha”.  ERNEST  KOLIQI

 

  1. Që në leximin e parë vlerësoj  prozën e absurdit të novelave “Hijet e shekujve”  të Trebeshinës, të  cilat janë  të jashtëzakonshme, me elemente të surreales & reales, të  fantastikes dhe të magjishmes, të ëndrrës  e përrallës. Sipas meje  duke gjykuar edhe vetëm nga këto novela, Trebeshina zë vend të rëndësishëm në letërsinë tonë të absurdit, ndonëse  është pak i kultivuar. I bindur se përshtypja e parë nuk është profesionale, leximi i dytë i tekstit letrar për mua është proces i domosdoshëm për zbulimin dhe evidentimin e vlerave dhe  jovlerave. Puna  hulumtuese, studiuese dhe vlerësuese më çoi në konkluzionin: se Trebeshina e  rikrijon absurdin e jetës me një fantazi të jashëzakonshme herë të arsyeshme e herë të paarsyeshme, me individualitet artistik  origjinal. Kryeherës vlerësoj: Trebeshina është Trebeshinë, vetvetja krijuese, siç do të thoshin Velek dhe Uoren, teoricienët e letërsisë amerikane. 
  2. Vlerat më të spikatura të prozës te libri “Hijet e shekujve ”  i shquaj në novelat: “N a t a  e  r e p t i l ë v e  të  m ë d h e n j ” dhe “U r a  e  N e m u r”  të cilat janë më cilësore se të tjerat, por edhe ndër më të mirat e letësisë sonë të absurdit. Në novelën “Nata e reptilëve të mëdhenj” elementet e absurdit, të surealizmit dhe realizmit magjik janë pasuruar edhe me mjete  figurative si: simboli, metafora, grotesku, ironia, sarkazma, e  tropet,  ku në nënshtresat e tekstit  fshihen  ide, mendime e mesazhe, sa të larmishme aq dhe të rëndësishme, prej të cilave do të vlerësoja si më potente mesazhet dhe sentencat filozofike të shprehura artistikisht. Ndërsa te “Ura e Nemur” elementet e përrallës dhe të ëndrrës janë  gërshetuar me elemente të fantasikes, ireales dhe absurdit,  ku mesazhet  janë herë të turbullta e absurde, por herë-herë edhe të qarta e universale. Në të dy novelat, pa përjashtuar edhe katër të tjerat, absurdi i jetës i rikrijuar dhe dimensionuar sipas fantazisë  trebeshiniane, shumë herë është i kuptimtë per lexuesit me dije e shije & pak herë i pakuptimtë. Trebeshina i letërsisë  dhe Trebeshina i jetës janë në unitet.
  3. Fantazia e shfrenuar e autorit te novela “Nata e  reptilëve  të mëdhenj” ka krijuar frikshëm dhe tronditshëm një surealitet artistik dhe absurd, makabër me netë e mjedise të errta, me reptilë të mëdhenj e reptilë të vegjël që hanë mish njeriu të pjekur në hell. Mjetet e shumta figurtive janë në një integrim të pëlqyeshëm, çka mundësojnë gjykimin kritik në kah të një  domethënie të caktuar, duke hequr paralele  midis surealitetit e absurdit, me realitetin totalitarist e kriminel të jetës, ku lexuesi mbushet me urrejtje, e në të njejtën kohë, merr mesazhe  akuzuese ndaj botës reale kriminale dhe, kumton përsosje të njeriut dhe  realitetit historik edhe pse   kjo  del e zbetë në këtë novelë.
  4. Ngjarjet nisin me skicimin nga Skulptori të trupores së Kryetarit, e cila do të vendoset në ballë të Sallës së Madhe, ndërsa poshtë në formë dy gjysmërrethi, në të dy anët, do të rradhiten bustet e anëtarëve të Këshillit të Lartë. Sapo Skulptori mbaron skicimin e dorës së fundit të vizatuar me karbon në një karton dhe e vendos në vendin më të dukshëm, – nga sytë  e trupores së Kryetarit shpërthen një dritë e kuqe, verbuese, e zhurmshme dhe e tmerrshme. Skulptori kaq shumë tronditet sa ia mbath, ikën, pa ditur se ku. Duke vrapuar si i  çmendur kalon rrugë, monopate e shtigje dhe futet në një pyll të dendur me llojë-llojë drurësh të lartë dhe shkurresh. Në pyll sheh një zjarr të madh rreth të cilit ca reptilë të vegjël piqnin mish njeriu. Llahtariset. Fshihet nëpër kaçube. Dëgjon biseda reptilësh që thoshin se do ta piqnin edhe Skulptorin në hell.  Mos nxitoni tha me i forti i tyre, do piqet kur t’i vijë rradha. I tmerruar Skulptori kthehet  mbrapsht dhe me një frymë arrin  te  Salla e Madhe. Aty bëhej kuvend. Fliste Kryetari: “Unë për vëllezërit tanë Miladëngun dhe Dushmugushën, jam gati të ther dhe të pjek në zjarr tre të katërtat e fshatit.”. Miladëngu miraton: “Ashtu të lumtë! Edhe të gjithë fshatin mund ta piqni, por kur të vijë dita, momenti!… Me parë duhet  t’i përçajmë, të luftojnë  kundër njeri-tjetrit Kur të kenë arritur punët sa të mos e njohë as qeni të zonë, piqni të majmit, më pas piqni dhe ata që janë më të dobët, se gjithkush ka shijen e vet”. …
  5. Çdo njeri që njeh historinë dhe di të lexojë përtej të dukshmes  nuk e ka të vështirë të heqë paralele midis ngjarjeve dhe personazheve të novelës me realitetin historik të LANÇ & personazhet Miladëngu e Dushmugusha e t’i personalizojë me të dërguarit e Titos, të cilët do të përzgjedhnin Kryetarin  e ardhshem të RPSH. Tito donte  njeriun shërbëtor  që ta përdorte si të donte pas  Luftës.  Kjo jepet edhe me realizem edhe  në mënyrë tropologjike, brenda rrafshit të absurdit. Kryetari i vendosur në ballë të sallës së madhe, të kujton Kryetarin e PKSH-së Enver Hoxha, që hëngri kokat e kundërshtarëve politikë dhe të shokëve te tij gjatë mbretërimit tiranik prej katër dekadash. Lexuesi  nuk e ka të vëstirë të perceptojë  kuptimësinë e prozës së  absurdit. Reptilët e mëdhenj ishin ata, të dy, të dërguarit e Titos; pastaj vinte Kryetari- reptil  shqiptar;  me reptilët e vegjël. Një sistem reptilësh që më i madhi hante më të voglin. 
  6. Kur Skulptori iku nga salla i tmerruar nga flaka, këmbët jo koka e çuan  në pyll ku u gjend mes drizash, shkurresh e ferrash, pranë një vathi  – me njerëz apo bagëti – thotë autori, të cilët prisnin rradhën që të piqeshin e të hanin njeri- tjetrin.. U fsheh në një gëmushë. Reptili  i madh  e pa. Të tjerët thërritën ta hanin të gjallë . Jo tha më i forti, kur t’i vijë radha. Skulptorit iu drodh tërë trupi kur ndeshi në një realitet të tillë. Fobia e pushtoi të tërin. Andej tmerr, këndej llahtarë…Ia mbathi përsëri  pa ditur se ku.
  7. “Nata e reptilëve të mëdhenj” përmban shumë ide, mendime e senteca të fuqishme dhe të larmishme, të cilat janë më shumë të autorit se të  personazheve. Ato janë të jashtëzakonshme ashtu siç janë edhe ngjarjet e situatat sureale, magjike, tronditëse & të llahtarëshme; por konsideroj se mjeshtëria artistike nuk është në nivelin e fantazisë e të gjuhës pjellore të ideve dhe mesazheve, madje as strukturimi i novelës, stili, dhe rrëfimi artistik. Siç perceptohet nga teksti, autori nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur, as depërtimit  në  botën e trazuar të personazheve e në psikologjinë e tyre, çka do të kërkonte që rrëfimi psiko-analitik të zinte vend më të madh e të merituar në raport me përshkrimet dhe rrëfimet racionale. Vlerësoj aplikimin e simbolit, alegorisë dhe të mertaforave, të cilat përshkojnë novelën duke rrokur gjithë shkallën e sistemit të vlerave nga minimalja gjer tek ajo e epërmja.
  8. Në novelën “Nata e reptilëvë të mëdhënj” metafora e natës  përshkon gjithë  novelën nëpërmjet absurdit . Është nata e bëmave dhe gjëmave që aludon për realitetin diktatorial të egër komunist, ku njeriu më i fortë dhe i gjithëpushtetshëm hante (figurativisht ,M.P.) njeriun e vogël dhe të dobët. Kjo natë e gjatë xhungle është trajtuar në mënyrë të tillë sa ka dimension gjithëkohor. Reptilët e mëdhenj do të shfaqen në forma të ndryshme, me lëkurë të ndryshme dhe ngjyra të larmishme në  realitetet tiranike, totalitariste dhe neodiktatoriale, çka i flet kohës  sonë mbushur me reptilë të mëdhenj dhe të vegjël. Mirëpo mbyllja e novelës  duke kumtuar se po vjen agimi dhe nata e reptilëve të mëdhenj mbeti pas, nuk buron nga teksti i absurdit, autori del prej tij e vjen në realitet real nën ndikimn e sloganit rutinor “fundi i lumtur” dhe të socrealizmit, sipas të cilit ka shkruar edhe Trebeshina në fillimet e krijimtarisë së tij. Një mbyllje e tillë e novelës  mund të  perceptohet edhe si dëshirë e autorit. Gjithsesi, kjo për mua është  jo vetëm dobësi artistike, por edhe  turbullirë mentale, absurde.
  9. Te novela “Ura e  Nemur”, përtej  të jashtëzakonshmes kalon  fantazia e  absurdit e Trebeshinës. Përrallat dhe ëndrrat mistike e të përbindshme janë ngjizur me absurdin. Rrëfimtari  kish dëgjuar shumë gjëra për Urën e Nemur dhe Djallin. Një ditë prej ditësh merr guximin dhe shkon te njera këmbë e Urës së Nemur” . Llahatariset. Në vorbullat e ujit sterrë të zi, kufoma njerëzish, skelete të vdekurish, ca njerëz të  gjallë që zgërdhiheshin dhe kërcënonin në një mënyrë që do të tmerronin edhe më trimin e trimave. Rrëfimtarin si hije nga pas e ndiqte Njeriu i Panjohur i pushtuar nga Djalli,  i cili shfaqej befasisht herë në të majtë, herë në të djathtë, herë prapa, herë matanë urës….Rrëfimtarin, dyshimi dhe fobia e se mos do ta hidhte  në vorbullën e ujit të zi e bënë më të kujdeshëm.  Megjithate në një moment  befas takohen….
  10. Pas një debati për të zhbiruar njeri-tjetrin, Njeriu i Panjohur  e bind  të shkonin në shtëpi të tij. Atje duke ngrënë mish të pjekur dreri dhe duke pirë verë i rrëfen historinë dramatike, tragjike dhe absurde të tij. Rrëfen për pasurinë  e  madhe  që i la i ati, por ai nuk dinte ta administronte. Ranë në duar të tij, kështjellë pas kështjellash madje edhe një  kishë madhështore me arturina të jashtëzakonshme. Tregon për martesën e tij me Trifozën të bijën e Princ Diablimit; për qejfet dhe zhgënjimin e dashurisë, për inçestin e të jatit me të bijën, për vrasjen e tyre, për copëtimin e kufomave dhe hedhjen në ujin e zi te këmbët e urës dhe për pritjen e vdekjes që edhe pas dyqind vjetësh nuk po vinte ta mirrte as për në Ferr, as për në Parajsë. I zhgënjyer nga kotësitë e jetës dhe nga prapësitë e ndyrësitë e saj, pas njëzetepëse vitesh meditimi, vendos  të shkojë në Ferr dhe vret e pret mbi urë e i hedh njerëzit në vorbullën e Ujit të Zi. Aty ai sheh edhe Trifozën me të Atin që bënin dashuri fshehtas. 
  11. Djalli të gjitha këto i quan  hiçgjë dhe e urdhëron të vrasë edhe një femër  të pafajshme…Njeriu i Panjohur edhe këtë e bën. Do ta kishte vrarë edhe Rrëfimtarin po, ja që ai,  u tregua i kujdesshëm dhe i shpëtoi ndëshkimit, rrëfen vetë N.P. Një histori e tillë e llahtarëshme mund të krijohet vetëm nga një fantazi pjellore absurde e Trebeshinës, e cila është e pashtershme &rrënqethëse, ku absurdi i absurdit  është kryq i pa zbërthyeshëm. 
  12. Pranimi i kësaj letërsie nga kritiku  i jep guximin ta lexojë, analizojë dhe të depërtojë në të fshehtat e nënshtresave polisemantike e tropologjike të tekstit, duke aplikuar kritikën tekstore komplekse, për t’i dhënë kuptimësi absurdit të fantazisë  së paarsyeshme, – në  përqasje me realietin e jetës, e duke aplikuar elemente  të tipeve  kritike të ndryshme, në zbërthimin e tërë figuracionit, kodit të krijimit dhe mjeteve të tjera shprehëse artistike të përdorura  nga shkrimtari i absurdit. Po të shikosh përtej e përtej të dukshmes do të mund të gjesh njerëz si “Njeriu i Panjohur” i novelës, edhe në botën reale. Lexuesi elitar ka hapësira të shumta për të bërë përqasje të reales me fiction e të formulojë mesazhet që burojnë prej tekstit letrar.
  13. Mjeshtëria artistike te “Ura e Nemur” sipas meje është më cilësore se te ”Nata e reptilëve të mëdhenj”. Shquhet për dialog të shkathët, dinamik, të mprehtë, me nëntekste shumështresore çka dëshmon aftësinë dramaturgjike të autorit, një vlerë e shtuar  dhe specifike  e prozës së tij, ashtu siç është edhe strukturimi në tërësi i kësaj novele, me skena e ngjarje të llahtarëshme dhe me mendime, ide dhe mesazhe të shumta, që nga ato  të kuptueshmet e gjer te të pakutueshmet.

Citoj disa nga  Njeriu i Panjohur: 

“Nuk duhet të ketë frikë njeriu  nga jeta, ndryshe  do të jetë i vdekur pa lindur” fq. 123.  Një tjetër mesazh: “Nuk jam aq i pasur dhe aq i lumtur!…Për këtë me dëshirën time, mora përsipër të isha njeriu më i urryer!…Kjo më jepte një kënaqësi të tillë sa janë të rrallë ata që e kanë provuar!”, fq.127.  Më tej: “Pasi e kuptova se lumturia arrihet vetëm në një ëndërr të bukur, u zgjova dhe u kapa pas së keqes!…Dhe u kapa me aq dëshirë sa nuk do ta këmbej kurrë edhe me premtimin më të bukur që mund të më vijë nga pushteti më i lartë!”, fq.127. “ (Psikopatia e shkrimtarit Trebeshina, promovon psikopatinë e njeriut Trebeshina, dhe humbjen e   orientimit të  rrugës nga duhet të shkojë. Autori jeton në ërrësisrë. M.P,)).  Idetë e tij,  autori i ka shpërndarë edhe nëpërmjet  personazheve. I tillë është Kasem Trebeshina, si shkrimtar dhe si njeri, sa i veçantë dhe origjinal aq i turbullt, kaotik dhe absurd, ku raporti midis normalitetit dhe anormalitetit bashkëjetojnë dhe alternohen..

  1. Me këto dhe të tjera ide, mendime dhe sentenca të personazheve, Rrëfimtari dhe vetë autori  shprehin në forma të ndryshme absurdin e jetës, të vërtetat relative si dhe momentin psikologjik krijues përtej realitetit, përtej  asaj që shohin të tjerët!…Janë elemente të rëndësishme që specifikojnë  personalen artistike të shkrimtarit të absurdit Trebeshina.

Citoj: “Kaluan vite…Shpesh kam menduar ashtu kalimthi për atë vend dhe atë kohë që delte jashtë kuptimit tonë dhe hapte disa nga kuptimet më të  pakuptuara!…” Dhe vazhdon më tej: “Duket është në natyrën e njeriut sherr!.” .”Në natyrën e turmave ndjenja e poshtërimit lind shtypësit dhe vrasësit!” ..”.Në fund të fundit,  kur të gjitha i ka bërë Zoti,  edhe Djalli duhet të jetë një krijesë e tij!…”, fq. 152..   “Mundet që të gjitha të jenë zhvilluar në mënyrën më të pakuptuar tek ajo që nuk është, dhe unë krejt rastësisht, u gjenda atje ku nuk është gjendur njeri para meje  dhe nuk do të gjendet njeri në të ardhmen.” fq.153, e  të tjera….  

  1. Shkrimtari i absurdit Trebeshina është -vetvetja, si njeri dhe krijues: kaotik, realist e surrealist, haluçinant e delirant,  armiqësor me shkrimtarët dhe kritikën që nuk vlerësojnë krimitarine e tij në tërësi dhe sidomos dramatrurgjinë në vecante. Në analizën time u përqëndrova në dy prej novelave  që i konsideroj më cilësore, si në përmbajtje ashtu edhe ne formë, ku stili i prozës së absurdit te Trebeshina është edhe i zakonshëm edhe i jashtëzakonshëm, më shumë i shtruar se sa dinamik, ruan pothuajse stilin e rrëfimit të përrallës, të përshkrimit letrar, po nuk përjashtohen edhe rastet kur stili bëhet edhe shpërthyes edhe i fuqishëm ku integrohen në një: qytetari Trebeshina, me shkrimtarin e absurdit Trebeshina.

Mesazhet  në tërësi shprehin kuptimësitë dhe pakuptimësitë e absurdit të jetës trajtuar  në grotesk; përmbajnë në vetvete edhe elemente të stigmatizimit çka e bëjnë prozën e tij moderne dhe postmoderne. Shumica e tyre janë hermetike nuk përtypen nga  lexuesi i zakonshëm, pak përceptohen nga lexuesi elitar dhe herë-herë janë të pakuptueshme edhe nga kritiku edhe nga vetë autori. Mirëpo Trebeshina nuk do t’ia dijë për lexuesin e zakonshëm, po as për atë elitar, madje për askënd…Kjo është   e papranueshme për një shkrimtar  profesionist si Trebeshina.                                                                   

  1. Qasja e shkrimtarit për të qëmtuar absurdin e jetës dhe  për të rikrijuar  surealitetin absurd artistik me personazhe të tillë,  duke synuar  t’i bëjë të  urryeshme ngjarjet, situatat dhe personazhet, do t’i jepte kuptimësi absurditsensin që nga shfaqjet e së keqes të nxirren kuptimësitë e së mirës. Për mua absurdi si absurd në vetvete, është më i kufizuar në vlera, sidomos në rrafshin e kumteve. Po kur ai rikrijohet nga realiteti absurd i jetës dhe dimensionohet si botë artistike e absurdit të saj, mundëson të heqesh paralele midis realiteteve të ndryshme dhe të nxjerrish kuptimësitë e duhura.

K O N K L U Z Ë :

Trebeshina është Trebeshinë në prozën e tij të absurdit me vlerat dhe jovlerat artistike, estetike dhe mesazhore; është ai që është, – vetvetja. Shkrimtar i përvetshëm, i guximshëm,  origjinal, i krisur; më shumë i turbullt se i qartë, me fantazi të arsyeshme dhe të paarsyeshme, sipas gjendjes së tij psikike në momentet e krijimtarisë. Do ta mbyll këtë optikë kritike alternative, me fjalët e vyera  të   E r n e s t  K o l i q i t:

„Arti i shkrimit, atij që e ushtron me ndërgjegje i jep kënaqje të veçantë, por edhe i shkakton trazime e idhnime të mëdhaja”.