Komision Hetimor për 13 mijë euro/ Kroacia nis hetimet për takimin e Presidentit Milanoviç, që erdhi në Tiranë me jaht dhe helikopter

315
Sigal

Nis hetimi parlamentar për 13 mijë euro, ndërsa udhëtimet e “rilindasit” Rama me një avion që normalisht kërkon 30-50 mijë euro bien në vesh të shurdhër

Vizita me jaht dhe helikopter, Kroacia nis hetimet për takimin e presidentit Milanoviç me Ramën

Udhëtimi i presidentit kroat, Zoran Milanovic në Shqipëri e ka vendosur atë në qendër të vëmendjes së mediave dhe akuzave! Për këtë është ngritur një komision shtetëror për konfliktin e interesit, i cili ka nisur hetimet se sa ka kushtuar udhëtimi, kostoja e akomodimit dhe mbi të gjitha qëllimi i takimit me kryeministrin Edi Rama. Kjo sepse në fillim të vizitës, zyra e shtypit të presidencës, njoftoi se udhëtimi në Shqipëri është për çështje private, megjithatë, pas ngritjes së komisionit, ata njoftuan se ishte një vizitë shtetërore. Në deklaratën e dytë, këshilltarët thanë se vizita në Shqipëri në 12 dhe 13 gusht ka ardhur pas ftesës së kryeministri Edi Rama dhe se udhëtimi ishte pjesë e detyrave të tij presidenciale. Për këtë arsye kanë nisur hetimet dhe për këtë kërkojnë edhe “ndihmën” e Shqipërisë.

“Nga njëra anë, thuhet se ishte një udhëtim privat, nga ana tjetër, na është thënë në përgjigje tjetër se ishte për qëllime zyrtare. Rezultojnë fakte që janë kontradiktore dhe që ne duhet t’i verifikojmë. Ne patjetër kemi nevojë për dokumente për të mbështetur atë që shkruhet nga Presidenca”, thuhet nga Komisioni.

Ata theksojnë se Presidenti gjithmonë përfaqëson Republikën e Kroacisë gjatë të gjitha vizitave, veçanërisht për zyrtarët e huaj, dhe se shpenzimet e udhëtimit që lidhen me transportin e Presidentit janë të mbuluara nga Buxheti i Shtetit . Sa i përket kostos së akomodimit, zyra e Milanoviqit thotë se ai qëndroi në rezidencën shtetërore të Republikës së Shqipërisë me ftesë të Ramës. Ndalur te qëllimi, thekson se Milanović nuk ka shkuar si këshilltar për kreun e qeverisë shqiptare, nisur nga fakti se në 2017 u përfol se do këshillonte Ramën në procesin e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në vijim të përgjigjes, në asnjë rresht të saj nuk u specifikua mjeti i transportit që Milanovic përdori për vizitën e tij, por referuar mediave kroate ai udhëtoi me anijen “Uchka”, e cila ishte anija ekskluzive e presidentit jugosllav Josip Broz Tito.

Nuk dihen konkluzionet që do të nxjerrë hetimi parlamentare, por debati në Kroaci vlen të shërbejë dhe si model për Shqipërinë. 13 mijë euro duken një shifër qesharake, nëse e krahasojmë me abuzimet që kryhen nga shtetarët tanë.

Edi Rama është kryeministër i një shteti që nuk ka asnjë avion luftarak në dispozicion, gjë që na bën të dukemi si vendi më i lodhur i NATO-s. Megjithatë, ndryshe nga shumë qeveri të rajonit, kabineti “Rama” ka në dispozicion një avion thuajse privat të “Air Albania”. Në media janë denoncuar  raste kur avioni është përdorur  për udhëtime personale të kryeministrit. Në mes të pandemisë në muajin mars, kryeministria pranoi se Edi Rama udhëtoi drejt Parisit në një vizitë private. Askush nuk sqaroi nga qeveria sesa kushtoi udhëtimi dhe kush i pagoi shpenzimin e një vizite private, për një avion që normalisht kërkon 30-50 mijë euro për një udhëtim.

Gjithashtu helikopterët e ushtrisë sonë, janë vënë shpesh herë në shërbim të kreut të qeverisë. Udhëtimet nuk kanë qenë qeveritare, por takime elektorale të PS-së në Kukës, Sarandë apo dhe raste të tjera të pa publikuara në media.

Sigurisht që qeveria do të përdorë  mjetet e shtetit, por gjithmonë në funksion të detyrës shtetërore. Në Kroaci ka nisur hetim parlamentar për 13 mijë euro dhe në qeverinë “Rama” duhet të jenë duke qeshur kur dëgjojnë për hetim të tillë. Për kaq pak para nuk e llogarisin as si shkelje.