Hyqmet Zane: Nga 29 Nëntori tek 8 Dhjetori, historia post-diktatoriale që po na përsëritet

181
Sigal

Çlirimi i Shqipërisë nga nazifashizmi më 28 apo 29 ishte një ngjarje e rëndësishme për kombin shqiptar pas Pavarësisë. Vërtet u çliruam nga dy idelogji vrastare ndaj njerëzimit, por pa e kuptuar dhe pa besuar ata që kishin dritë në mendjet e tyre se çfarë do të ndodhte. Vitet vërtetuan profecinë e pushtimit nga ideologjia komuniste. Nëse vërtet do të ishin ideale komunistët sipas parimeve të barazisë dhe lirisë, do të bëhesha edhe unë komunist. Por praktika ia çorri fytyrën të ashtuquajtur komunizëm, se në fakt u pushtuam nga titizmi, stalinizmi, kinezërizmi dhe nga vetvetja, nga çmenduria e disa individëve që, në vend të mendohej se po “ndërtonim socializmin me forcat e veta” në fakt “ndërtuam varfërinë dhe izolimin, luftën e klasave dhe diktaturën në gjithëçka”.

Ky ishte një realitet i hidhur, por i vërtetë, i padëshirueshëm, por i imponuar me hir a me pahir, ashtu siç e merituam pushtimin nga ideologjia e paudhësive në emër të diktaturës së proletariatit. Çdo tendencë për ta ndryshuar atë realitet, kishte pasoja të rënda me humbje jetësh dhe nënshtrim, mosprotestim dhe pranim të realitetit. I qeshte fytyra diktatorit që na çonte “nga fitorja në fitorje” dhe duke u kënaqur me torturat e bashkëshortes së shokut të ngushtë të luftës dhe diktaturës. Brohorisnin pasuesit e ideologjisë, spiunët e deklaruar dhe të fshehtë që iniconin gjithëçka dhe “populli paqësor dhe i kënaqur” thërrisnin “kriminelët në litar”, që në fakt ishin shqiptarë e bij shqiptarësh, edhe bashëkëluftëtarë për çlirimin e evendit dhe ndërtimin e socializmit, por një ditë u burgosën, u internuan, u pushkatuan dhe iu nxi jeta mijëra familjeve, a thua se ishin armiq të huaj.

Nëse themi se Shqipëria është një komb konservator, historia dhe fati na kanë bërë të jemi të bashkuar. Kemi kaluar dy mijëvjeçarët e fundit të rrethuar nga fqinjët që kërcënojnë dhe gërmojnë tokat tona. Por dashuria për familjet tona, lidhja gjithnjë e më e fortë mes brezave, nderimi i thellë për traditat dhe historinë, besimi i palëkundur në vend dhe komb dhe besimi ynë te Zoti, i mbajti shqiptarët në kohët më të errëta.

Pikërisht për këtë realitet historik u nevojit një lëvizje që, edhe pse me vonesë, u bë, pas rënies së Murit të Berlinit. Kështu u fiksua 8 dhejtori si dita e fitores mbi diktaturën dhe paudhësitë e ideologjisë komuniste. Gëzimi i rinisë ishte i ligjshëm dhe i motivuar për të bërë demokracinë edhe në Shqipëri. Por pjesa e nostalgjikëve të ideologjisë komuniste filluan të “vuajnë” rënien e diktaturës dhe për këtë u riorganizuan në një parti që vetëm emrin ndërroi, por që më pas do të merrnin veten ditë pas dite e vit pas viti.

 

Shqipëria vërtet u çlirua nga ideologjia e ashtuajtur komuniste, por më pas erdhi “revolucioni i vonuar demokratik’ që bëri të buzëqeshnin e të rifitonin terrenin e humbur duke trumbetuar në formë dhe në përmbajtje  se “ishim më mirë në atë kohë (në diktaturë) .

Kjo do të përsëritej edhe shumë vite më pas me ideologë të tipit Edi Rama, që ka pushtuar shoqërinë shqiptare me me ndihmën e “shoqërisë së hapur” të pasanikut Soros. Duam apo nuk duam edhe pas 31 vjetësh jemi në startin e fillimit  ku të vjetërit e të rinjtë e socializmit dhe postkomunizmit janë ngritur në këmbë për të bërë instalimin e një ideologjie ku duhet të triumfojë diktatura e proletariatit e një rendi të ri shoqëror si revizionim i diktaturës staliniste.

Pas 31 vjetësh, në ditën e fitores së demokracisë mbi ideologjinë komuniste, të gëzuarit e 8 Dhjetorit nuk janë studentët e asaj kohe dhe studentët e sotëm, por bijtë e kohës së baballarëve tamam ashtu siç thuhet fjala migjeniane “bijtë bastard të etërve dinakë”. Flet me ekzaltim Erion Veliaj si kryebashkiak i Tiranës së kuqe me gëzimin se kanë arritur një fitore për të bërë që PD të përçahet nga nëndetëset e ideologjisë së vjetër përmes figurave me fytyra të bukura dhe me flokë të lyera, që fshehin hallet dhe dertet e një institucioni, që nuk u bë shtëpia e përbashkët e demokratëve, sepse edhe këtu një dorë e marifetçiut Soros është shtrirë si një e keqe si uji nën rrogoz.

E majta përsëri përdor Pallatin e Kongreseve të Enverit dhe pionierët e enverizmit, duke ditur që ata që e kanë katandisur vendin në varfëri dhe korrupsion , në krime dhe kanabizim, në model trafikimi të krimit në botë dhe parave të pista, janë bërë të preferuarit e qeverisjes që mbahet në këmbë me patronazhizmin (spiunët) si teori dhe praktikë staliniste. I tillë është modeli i tyre që po tërheq pas qerres edhe ata, bukuroshët e PD institucionale, por që nuk pajtohet me demokratizimin e selisë së demokratëve të vërtetë. Kam bindjen se 8 Dhjetori nuk mund të gëzojë më shumë bijtë e nomenklaturës së kuqe që dalin me portretet e Enver Hoxhës dhe i bëjnë laved hapur dhe fshehtas, se sa ata që e bënë 8 dhjetorin që u përjashtuan nga PD e Lulzim Bashës që u bënë gazepët e të zezave që po bëhen parzmore e regjimit me ideologji të thekur të së majtës radikale, me sjellje tipike komuniste si ata të pas 29 nëntorit, që “në emër të popullit” e bënë det e tërmet këtë vend. Përsëri po tentohet edhe pas 31 vjetësh të na bëjnë të pranojmë se jemi të lumtur nën udhëheqjen e oligarkëve, që vjedhin paratë e taksapaguesve, që kanë krijuar “bllokun” jo territorial, por kanë krijuar bllokun e pasurimit në emër të popullit për të varfëruar deri shkatërruar jetën e shqiptarëve, që po ikin nga sytë këmbët për të mos ia parë surratin sorristëve si dikur titistët, stalinistët .

Nëse sot nuk ka më Miladin e Dushanë, por ka Vuçiç dhe Edi Rama nën udhëheqjen e Sorrosit si dikur Stalini që la stalinizmin frymën e antishqiptarizmit. Përballë këtij realiteti ka një frymë të vërtet demokratike me liderin e saj Sali Berisha dhe demokratët e vërtetë, që nuk janë blerë nga paratë e Sorosit. Festa e 8 Dhjetorit nuk është më e sallave të kongreseve, por e sheshit të neidanit për të riçliruar vendin nga pushtimi sorrist i ngjizur tek e majta shqiptare. Këta sorristë të së majtës shqiptare kur bëjnë festimin e 8 Dhjetorit, kanë në mendje 29 Nëntorin e Serbisë, ndaj dhe kryeministri i sotëm shprehet se “ne jemi në anën e duhur dhe të drejtë të historisë”, ashtu siç thoshte Enver Hoxha pas 1944.

Për hir të së vërtetës duhet të rikujtoj një shënim të studiuesit Kastriot Dervishi, që shprehet se “Për Jugosllavinë, data 29 Nëntor ishte e shënuar për dy arsye :  se më 29 Nëntor 1943 u organizua mbledhja e dytë e AVNOJ-t (Këshillit Antifashist Nacional çlirimtar) në Jajce të Bosnjës, ku u morën vendimet për Jugosllavinë e së nesërmes (nën shembullin e kësaj mbledhjeje u zhvillua Kongresi i Përmetit në Shqipëri, duke kopjuar pikë për pikë vendimin e tij). Data 29 Nëntor 1943 ishte në stemën e shtetit jugosllav (për këtë arsye, në stemën e shtetit komunist shqiptar u vendos data 24 Maj 1944).

Së dyti se më 29 Nëntor 1945 Asambleja Popullore e Jugosllavisë shpalli Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë”.

Në se ardhja e 29 Nëntorit pati si ndihmë edhe aleatët anglo-amerikanë që pas 29 Nëntorit kuptuan se kishin ndihmuar partinë e gabuar se ajo parti i përzuri pas disa muajve dhe çdo diversion dështoi me turp, më 8 Dhjetor 1990 aleatët e vërtetë të ndryshimit ishte fryma për demokraci e studentëve ,që më pas solli edhe mbështetjen amerikane dhe të Perëndimit. Sot pas 31 vjetësh në krah të neodiktaturës ndodhet një tufë ambasadorësh perëndimorë, që nuk e di nga çfarë motivesh ka edhe një grupim amerikan me lobing sorrist, që i ka dalë zot një të majte që ka krijuar një situatë që e bëjnë të qartë raportet e institucioneve të ndryshme ndërkonbëtare që e kanë cilësuar qeverisjen kampione të korrupsionit. Këtu qëndron edhe donkishotizmi i një trupe diplomatike ndërkombëtare, që po përsërit ndihmën e së keqes në dëm të një populli që i mungon fryma e protestës dhe e kërkesave të drejtësisë së vërtetë.

Më vjen në mendje këshilla e një mendimtari të urtë që thotë “Përpiqu ta mbash të kallur zjarrin e votrës, që e ndezën të parët e t’u, sepse prushi i tij do t’i ngrohë … ndërsa flaka e tij do t’i ndriçojë … pasardhësit e tu ! …”, por kurrsesi nuk mund të ndodh kjo nëse nuk u themi brezave se kush është e keqja e së majtës diktatoriale dhe vlerat e konsrvatorizmit, vlerave të vërteta demokratike për një popull që ka mbetur si paorientim në dallgët e kësaj jete. Ne ishim njerëz të 3 kuvendeve të komunitetit (Oda), njerëz të letrave, njerëz të legjendave dhe makinave, njerëz të betimit dhe të: besimit. Këto janë bazat e konservatorizmit tonë që duan të rikthejmë fuqishëm me këtë frymë pozitiviste.