Hyqmet Zane: Fatkeqësi kur ndyshe flasin e ndryshe veprojnë

145
Sigal

Populli shqiptar ka një potencial mendimtarësh, që kanë dhënë kontribute për Shqipërinë dhe janë shprehur me këshilla të atilla që edhe pas 100 vjetësh mbeten të vlefshme për t’u konsideruar. Politikanët shqiptarë të shekullit XX dhe këta të shekullit XXI u janë referuar shpesh këtyre mendimtarëve. Por mendimtari më i madh është populli që ka të sanksionuara fjalë, që nuk kanë autorësi. E tillë është ajo se ka njerëz që “ndryshe mendojnë, ndryshe flasin e ndryshe veprojnë”. I sinkronizuar me këtë shprehje është kryeministri ynë, jo i nderuar, që ka manifestuar dhe e ka të sinkronizuar në ndërgjegjen dhe memorjen e tij këtë shrpehje të vërtetë.

Të tilla mendime me vlera përdorin edhe Presidentët Amerikanë në fjalimet e tyre kur bëjnë betimin si Presidentë dhe që venë dorën në Bibël apo Kuran  si shenjtëria e vlerave njerëzore. Por nëse ata i thonë këto referenca, dinë edhe t’i venë në jetë ato në tërësinë e tyre gjatë mandatit të tyre, se në Amerikë ka shoqëri të vërtetë civile, ka media dhe drejtësi të pavarur, që nuk të fal. Përkundër tyre, kryeministri ynë i panderuar, thotë çfarë të dojë: jo se i ka në mendje, por i flet goja para mendjes dhe në zbatimin e tyre që thotë është katërcipërisht i kundërt dhe aspak i vërtetë.

Nuk janë pak, por një dekadë qeverisje dhe në kujtesën e shqiptarëve u fiksuan “projektet” e rilindjes socialiste me bujë dhe tam-tame dhe sot pas 10 vjetësh kemi një situatë qeverisje që ka si “rilindje” ikjen e 33 përqind të shqiptarëve nga vendi, sidomos rinia që ka humbur çdo shpresë bashkë me familjet e tyre. Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë fakt edhe pse kryeministri flet e flet si një llafazan i pandalshëm për të mohuar faktin, se në mendjen e tij ai ka idenë që ta boshatisë këtë vend dhe vendin e tyre ta zënë ata të ardhurit nga vendet e botës së tretë. Ndryshe tha se do e bëntë Shqipërinë për të jetuar të rilindur të gjithë shqiptarët, ndërkohë që në mendje kishte këtë planin tjetër dhe realiteti flet vetë, se jo vetëm qytetet po flasin për mungesën e rinisë, por në fshatrat kemi mbyllje të dyerve të shtëpisë dhe mospunimin e tokës se mungojnë paratë dhe krahu i punës.

Ka nëj fjalë popullore që thotë: “çfarë të të kujtoj moj hudhër të djegurën apo të qelburën”, edhe pse hudhra është një “penicilinë” për shëndetin e njeriut, por të djegurën e të qelburin e ka. Përpikmërisht kjo i shkon këtij kryeministri, që edhe e dogji edhe e qelbi jetën e një populli të tërë. Ky kryeministër tha se do bënte shkatërrimin e mbjelljes të kanabisit dhe goditi Lazaratin dhe në mendje kishte projektin e bërjes së Shqipërisë në parcela droge, në një kohë që në fakt droga dhe trafikimi i saj kanë marrë dhenë dhe kanë mbushur Europën dhe trafikantët kanë suksese të dukshme edhe në Amerikën Latine dhe ky është suksesi i rilindjes së zezë.

Kush nuk e dëgjonte kryeministrin se do e drejtonte vendin duke pasur vetë timonin në dorë dhe në fakt ai mendjen e kishte jo tek drejtimi i qeverisjes se atë ia ka lënë zv/kryemnistres dhe realiteti flet se vendin e drejton plani Soros i asaj të ashtuquajturës “shoqëria civile” që nuk është gjë tjetër vetëm “shoqëria e disa civilëve që duan të sundojnë Shqipërinë”.

Sikur nuk i kishim kështu premtimet me vendet e punës me 300 mijë që nga 2013-ta. Kështu tha kryeministri, por në mendje ai kishte sjelljen e punëtorëve me pagesa të lira nga Bangladeshi dhe vende të tjera dhe në fakt ka bërë atë që shihet me sy mbylljen e bizneseve ku njoftimi “shitet” ka marrë dhenë në çdo rrugë e sidomos rrugica lagjesh në çdo qytet të Shqipërisë.

Kush nuk e dëgjoi kryeministrin që 10 vjet më parë tha se do eleminojë krimin dhe bandat. Kështu tha ai, por në mendje kishte vënien në punë të kriminelëve që u futën në parlament dhe këtë ia tha miku i tij Ben Blushi me za e figurë dhe në realitet krimi ka marrë dhenë dhe rrugët po mbushen me vrasje mafioze me vrasës me pagesë edhe nga jashtë vendit. O Zot! – thotë me vete çdo shqiptar, çfarë bëhet kështu në këtë vendin tonë ku të kënaqur janë punonjësit e administratës patronazhistë dhe aktivistë injorantë dhe me diploma të blera. Këndon edhe tallava kryeministri ynë, kërcen edhe me brekushet dhe kur del në intervista u heq të drejtën e pyetjeve gazetarëve që e vënë me shpatulla pas muri, kurse në qytetet shqiptare bëjnë namin policët bashkiakë që dhunojnë edhe një grua plakë, që shet ca njomishte të freskëta për të pasur ca lekë për bukën.

E tha, e tha kryeministri se do u priste duart vjedhësave të energjisë elektrike, porse zonat e sunduara nga e majta vjedhin me galop me ndihmën e  specialistëve të elektrikut, me ndërrime sahatësh kundrejt pagesave të majme, kurse një qytetar u burgos për vetëm 30 mijë lekë të vjetra dhe vdiq nga marazi në burg. U tha e çfarë nuk u tha për ata që ndërtojnë pa leje dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të penalizohen  thjesht për një mur apo një restaurim, kurse në mes të Tiranës pallatet shumë katëshe kanë kate pa fund pa leje ndërtimi.

E keqja që na u prezantua si rilindje se në qytetet do të kishte pedonale dhe do të zbukuroheshin. Mirë u bë me ca rregullime, por në Tiranë po u merret fryma atyre vendeve ku pallatet shumëkatëshe zënë çdo hapësirë të lirë sikur e gjithë Shqipëria do strehohet në Tiranë. E tha kryebashkiaku i Tiranës, si vëllau i kryeministrit se do mbillte pemë pa fund 1 milion e do gjelbëronte vendin dhe në vend të tyre u”mbollën” pallate, u betonuan gjelbërimet dhe fjalët e thëna se nuk do jepen leje ndërtimi, tani edhe në kohë fushate elektorale jepen leje ndërtimesh për kulla.

O Zot çfarë bëhet në këtë vendin tonë, thëniet e kryeministrit i dëgjon edhe ambasadorja amerikane si më e angazhuara në këto punët e këtij vendi tamam si të ishte një “guvernatore”, ajo shikon edhe veprat e shkatërrimit të këtij vendi, sa edhe Departamenti i Shtetit Amerikan përfaqësuese e së cilës është edhe ajo, që e nxin qeverisjen dhe ajo nuk del një herë të thotë një fjalë, por është “strehuar” në mendjen e kryeministrit dhe të territorit të ambasadës pa asnjë mendim se kuptohet nuk ka se çfarë të thotë.

Një shkodran që erdhi në Tiranë dhe e zuri dreka, kishte nevojë të hante diçka dhe në një restorant porositi një peshk të skuqur dhe një gotë verë. Ia solli kamarieri dhe iku. Kur shkoi tek banaku, pa që klienti i tij po i merrte erë peshkut nga koka dhe më shumë nga bishti. E thërret kamarierin dhe i thotë që “ky peshk qenka i qelbur” dhe kamarieri i përgjigjet se peshku qelbet nga koka dhe ti i merr erë nga bishti. Por klienti i përgjigjet se “ky peshk nga koka është qelbur që është qelbur, por ky qenka qelbur edhe nga bishti”. Kështu po ndodh në këtë vendin tonë, që serviret jeta e bukur, e bollshme dhe ndodh e kundërta, sepse pabesia ka kokë kryeministrin, që ndryshe mendon, ndryshe flet e ndryshe vepron”.

Ndaj dhe mendimtari ynë i nderuar Faik Konica para 100 e ca vjetësh shprehej “Qëkur s’mbahet mend situata në Shqipëri është po ajo, një rrumpallë e krijuar nga një tufë e paorientuar këmbësorësh, të cilët lindin, vdesin dhe prapë lindin pa u lodhur në një qorrsokak; hipin e zbresin ‘Vargmalet’ e gënjeshtrës, notojnë nëpër lumenjtë e frikës, zdërhallen nëpër lëndinat e mashtrimit reciprok, dremisin nëpër frëngjitë e hakmarrjes, azdisen nëpër pyjet e marrëzisë, fluturojnë me presh nëpër retë imagjinare të heroizmit, përzhiten nëpër qyngjet e injorancës, llokoçiten nëpër baltën e nënshtrimit, gremisen nëpër honet e dëshpërimit për t’u rishfaqur befas majë nullarëve të entuziazmit pa arsye, e kësisoj vegjetojnë në zemër të kontinentit të vjetër si dora e fundit që i mbijetoi prurjes së civilizimit”.

E thashë që në fillim se burrat e shtetit amerikan si presidenti Tomas Xheferson, kanë shprehur fjalë dhe mendim e që kishin përputhshmëri me veprat që bënin dhe ata kishin brenda vetes dhe e shprehnin atë që bënin, sepse siç është shprehur rreth vitit 1921 se “Unë dridhem nga frika për vendin tim, kur reflektoj për ato që bëj, sepse Zoti është i drejtë”, dhe drejtësia e Zotit për këta burra shtetesh ishte e respektuar dhe e plotfuqishme. Pikërisht këtë gjë nuk ka menduar një herë kryeministri i vgendit tonë, por  “ ndryshe flet, ndryshe mendon, ndryshe vepron”.