Gëzim Zilja: Modeli i drejtuesve të opozitës ka perënduar

234
Sigal

 

Partia Demokratike ndodhet sot në ditët e saj më të vështira. Shpresa se Berisha ose Basha do të ringrejë sërish PD është mision i pamundur. Modeli drejtues dhe qeverisës Berisha, duhet të kishte përfunduar qysh pas ngjarjeve të vitit 1997, kur ai duhet të vinte në plan të parë interesat e shqiptarëve dhe jo mbajtjen me çdo çmim të pushtetit, pavarësisht nga rrethanat shumë të rënda të krijuara nga segmentet e armatosura të Sigurimit të Shtetit. Berisha i ardhur në pushtet në mars 1992, mbështetur nga shumica e shqiptarëve dhe gjithë demokracitë perëndimore kishte një shans të artë, të krijonte një shtet me institucione demokratike të vërteta. Pas 45 vitesh diktaturë shqiptarët e pritën atë sikur të ishte Mesia vetë. Kurrë në sheshet e Shqipërisë nuk do të mblidhen aq shumë shqiptarë, duke brohoritur deri në qiell emrin Sali Berisha. Në vend të gjunjëzohej para këtij vendi martir dhe të kthehej në një shërbestar të përulur për shqiptarët e shumëvuajtur, të sunduar egërsisht nga diktatura, shpejt u deh nga pushteti, u hipi mbi zverk njerëzve, duke personalizuar e vendosur mbi gjithçka emrin e tij. Sinjalet e para iu dhanë kur demokratët pësuan humbjen e thellë në zgjedhjet e pushtetit lokal dhe shqiptarët votuan masivisht kundër kushtetutës se re paraqitur prej tij më 1994. Por “Uni” i tij tashmë nuk kishte kufi: unë përmbysa diktaturën, solla lirinë, ju çova në Europë, ju futa në NATO, liberalizova vizat, ndërtova rrugë, rrita mirëqënien, vendosa drejtësinë!

 

Mua dhe vetëm mua më duan dhe më adhurojnë shqiptarët andej dhe këndej kufirit, unë ju them se opozita socialiste është armike e demokracisë, duke lënë të nënkuptohej se dhe dielli merrte leje nga ai kur lindte sabah-sabah. Sigurisht në arritjet e qeverive demokratike Berisha ka meritat e veta, por personalizimi i pushtetit dhe modeli autokratik, që ai ndërtoi ishte i papranueshëm dhe me pasoja të rënda për demokracinë e brishtë shqiptare. Gjithë demokratët, që mendonin ndryshe u përjashtuan, u baltosën, u hodhën në rrugë, duke u mohuar dhe një vend pune, ndërsa kundërshtarët politikë, jo rrallë u rrahën e burgosën. Si të gjithë diktatorët, u shndërrua dalë nga dalë nga një arkitekt, “… në një minues të demokracisë në Shqipëri…” si u shpreh DASH-i. I lindur në një fshat të humbur, me një fëmijëri që priste të milej lopa të mbushte barkun, rritur e edukuar në shkollat komuniste, tepër i mençur e këmbëngulës, ia doli të mbaronte shkëlqyeshëm studimet e larta e të bëhej mik i afërt me familjen e diktatorit. Ambicioz deri në marrëzi, i pandalshëm në etjen për pushtet, hakmarrës i tmerrshëm, ai gaboi thuajse në gjithçka, pasi rrëmbeu kreun e PD. Krijoi një shtet më ligje demokratike, por realisht gjithë pushtetet i komandoi vet: drejtësinë, ushtrinë, policinë, ekonominë, shëndetësinë, kulturën, shërbimet e fshehta etj, etj. Ai krijoi shtetin nën hijen e të cilit u rrit dhe u edukua, duke drejtuar me dorë të hekurt gjithkund, duke mbytur e shtypur çdo mendim ndryshe në parti e qeveri, duke injoruar plotësisht opozitën, derisa përfundoi me një grusht njerëzish rreth vetes, servilë, përtacë, të korruptuar dhe pa identitet. Transoqeaniku me të cilin u nis të ndërtonte Shqipërinë e Re Demokratike, kthyer tashmë në një anije sardelesh, pa motorr, pa vela, pa lopata, me kapiten e marinarë të lodhur, që as e kanë haberin nga stuhitë, me kohë është duke u mbytur. Ose si thotë një shprehje vlonjate: po merr kum te bova. Basha është krijesë 100% e Berishës. Ai e psonisi diku andej nga Evropa dhe ua solli peshqesh demokratëve, duke u kujdesur si për një zog pushverdhë inkubatori, që duke lëshur pupla u shndërrua në një shëmbëlltyrë të krijuesit të tij. Pronë private ishte PD me Berishën, pronë private është sot dhe me Bashën. Për pushtetin të dy djegin jo vetëm “nënë e babë” por edhe Shqipërinë. Çdo parti ku njëshi bën diellin dhe shiun, ku njeriu urrehet e përjashtohet se mendon ndryshe nga kryetari dhe vota kthehet në leckë këtë përfundim do të ketë. Basha nuk e pati kurrë karizmën e Berishës, po sa për intrigat, përjashtimet, pabesitë, mënjanimet, katapultimet në drejtimin e PD të bardhosh-salianjëve nuk i la gjë mangut krijuesit të tij. Kaluan tetë vjet dhe PD-ja është kthyer në një karikaturë të demokracisë dhe opozitarizmit. Vetëm një gjë funksionon aty: Lul Basha dhe beniaminët e tij zgjidhen e rizgjidhen rregullisht në krye të PD, pavarësisht paaftësisë proverbiale dhe disfatave të panumërta. Deputetët demokratë duhet të kuptojnë se përplasja Basha -Berisha është një luftë për sundimin e PD. Nuk ka të bëjë kjo luftë me demokratizimin dhe ardhjen e PD- në pushtet. Kryesia e PD-së dhe KKPD-ja duhet të kërkojnë më shumë demokraci brënda partisë, të shprehen me guxim për situatën, pavarësisht, që shumë prej tyre mendojnë se i kanë “borxhe” Bashës ose Berishës. Unë besoj së në forumet drejtuese të PD ka ende njerëz vizionarë, me integritet, që e duan Shqipërinë dhe njohin mirë demokracinë. Në një ambient të shëndetshëm, ku fjala e lirë dhe vota kanë vlerë, do të gjenden demokratë të rinj dhe të vjetër, që do të rimëkëmbin e drejtojnë Partinë Demokratike. Zgjidhja është vetëm brenda PD, por pa Berishën dhe Bashën. Heshtja që zotëron sot në PD, me aq shumë probleme për t’u zgjidhur, ku pas çdo humbje askush nuk jep llogari i ngjan një moçali, ku rriten e jetojnë lloj-lloj parazitësh. Nëse uji nuk rrjedh do të kemi shtim të këtyre gjallesave po kurrsesi një kthim të PD në pushtet.