Gentian Çala: Pikiata e “misionarit” që nuk u bë kurrë i tillë…

Nga Gentian Çala:

Ai quhet Edi Rama, i cili disa ditë pas erdhi në postin më të lartë ekzekutiv, e konsideroi veten si “misionar ndryshimi”. I dehur nga arritja, dukej se misioni i tij ngatërroi kahje dhe u shndërrua në një rol ndërvarësie me interesa të botës së trafiqeve, të oligarkëve dhe thjesht të pasurimit të vetes dhe kastës. Ndryshimi ishte jo vetëm në kahun e gabuar, por implikimi i tij në disa çështje delikate e bëri kundër interesave kombëtare. Jo vetëm që nuk u bë misionar, por u shndërrua në një autokrat që nuk i kurseu vendit edhe një palë zgjedhje pa kundërshtarë.

NOA

Duket se për këtë personazh është folur kaq shumë saqë thjesht nuk ia vlen më, aq më tepër që ka filluar pikiatën e humbjes së pushtetit, ku duket se me të vdes edhe krijesa e tij e Rilindjes, si dhe një sërë lidhjesh interesi. Përpëlitja nuk do të jetë as e shkurtër dhe as e pakët. Ai do të tentojë të mbrojë veten pas humbjes së pushtetit, madje për këtë po përgatitet që tani. Zullumet e mëdha nuk duhen harruar dhe as amnistuar. “Misionari” po e ndjen rrokullimën dhe po mundohet të nxjerrë dhëmbët, por tashmë është tepër vonë dhe fati i politik duket i vulosur. Politika ka ligjësitë e saj dhe një politikan i rëmdomtë dhe pazarxhi i shkathët si ai, nuk është në gjendje ti ndryshojë.

Po ky ishte një transformim apo thjesht vijimësia e një trajketore politike të një personazhi?! Them se i ka të dyja elementët, edhe transformimin për keq, edhe vijimsinë e një modeli. Viktimizimi i shkruar gjërë e gjatë te Kurbani i tij, ka qenë thjesht nevojë e tij e brendshme, e cila nuk funksionon më, sepse sot e ka kapluar arroganca, e cila bën më shumë dëm se viktimizimi. Bullizmi i tij ishte thjesht shprehje e arrogancës që lëndon kundërshtarët. Ky nuk kishte dhe nuk ka pasur asnjëherë gjene të një misionari, madje ai gaboi shumë atje ku duhej ta bënte më pak: në interesat kombëtare. Rama është nga ata që nuk kamuflohet dot, por tashmë portreti i tij prej misionari duket i zhgarravitur keqas.

Ai ka dy zgjidhje: ta mbyllë si duhet duke i kontribuar zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ose të përçartet deri në humbjen e pushtetit duke i përkeqësuar situatën vetes. As njëra, as tjetra, nuk do ta aministojnë, por e para ka shijen e një ikje nga pushteti me dinjiitet. Ndërsa ata që merren me politikën do të duhet të nxjerrin mësimet e duhura nga ky personazh, në mënyrë që të ngjashmëve si ky tu pritet udha për tu bërë nesër “misionar” të së keqes.