Gentian Çala: Ora që duhet të zgjohemi

81

Nga Gentian Çala

Liderët autokratë kanë pasur gjithmonë një strategji në zgjerimin dhe mbajtjen e pushtetit të tyre, ku media dhe arti i lirë ka qenë gjithmonë objekt i goditjes me të gjitha mënyrat. Po ti shikoni të dyja ngjarjet, kanë disa elemente të përbashkëta: goditjen e gazetarëve dhe artistëve që janë të pozicionuar në polin kritik me qeverinë, goditje të cilat nuk bëhen gjithmonë drejtpërsëdrejti ndaj komunitetit të tyre, por në objektet apo bizneset ku ushtrojnë profesionin e tyre. Diku me justifikimin se duhet ndërtuar një objekt i ri dhe gjetkë me dyshimin se pasuritë e pronarit të medias janë krijuar në mënyrë të paligjshme.

Qëllimi është i njëjtë: frikësimi dhe mbyllja e gojës të zërave me ndikim në jetën publike, ku artistët dhe gazetarët janë individë që dëgjohen me mjaft interes nga populli. Ka edhe elementë të tjerë në këto dy ngjarje që u vishen atyre që sapo përmenda (përfitimi nga toka e teatrit, goditja e një biznesmeni që i kundërvihet një politikani, etj.). Pushtetit arrogant të një Kryeministri autokrat i duhen edhe instrumentat e nevojshëm për ushtrimin e presionit, ku Policia dhe Prokuroria Speciale, duken se janë vënë “nën urdhrat” e tyre.

E trishtë kur mendon se institucionet e zbatimit të ligjit duhet të jenë të pavarura nga politika dhe ekzekutivi. Ky është sinjali më i keq në këtë ngjarje, ku karshi të gjithë këtyre elementëve të pushtetit dhe të represionit mund dhe duhet të ketë një reagim të fortë qytetar. E thamë në rastin e Teatrit, paralajmëruam se do të ketë ngjarje të tjera, por një pjesë e njerëzve qëndruan indiferent. Ka ende prej tyre që nuk e kuptojnë se padrejtësinë do ta kenë shumë shpejt te pragu. Tashmë banda e Ramës në pushtet po tregon dhëmbët. Nga ata që ndryshojnë Kushtetutën vetëm për hallin e tyre elektoral, nuk mund të presim asgjë tjetër veç abuzimit të pushtetit dhe arrogancës.

Televizioni Ora dhe Ora News ishin një dritare fjale të lirë, të cilën pushteti nuk e do, ndaj një herë tenton ta joshë, një herë e kërcënon, më pas e gjobit dhe në fund e sekuestron. Duket se ligjin po e bën pushteti, jo për drejtësi, por për interesat e veta.
Demokracia ka kohë që është në rrezik, por sot ky rrezik është më i madhe se çdo herë në këto 30 vite. Po vazhduam të bëjmë spektatorin, gjendje do të vijë duke u përkeqësuar. Ndaj ju që keni pasur ndonjë iluzion se kjo nuk po ndodh, zgjohuni!