Gentian Çala: Dy fjalë për kanabisin mjekësor…

346
Sigal

Nga Gentian Çala

Pushteti i qeverisjes aktuale duket i lidhur pazgjidhshmërisht me paratë e pista, ndaj KM-ja i rikthehet idesë së “legalizimit të kultivimit të kanabisit mjekësor”. Qëllimet e mbrapshta shpesh fshihen pas fjalëve të bukura.

Kanabis mjekësor?
Ende në mjekësi kanabisi nuk është “i legalizuar” sepse ai nuk është pjesë e asnjë protokolli mjekimi, së paku në lëminë ku unë jam i specializuar. Ka disa studime mbi përdorimin e tij në disa sëmundje, por të cilat nuk janë evidencë e nivelit I ose Ii, si dhe nuk ka protokolle mbi përdorimin e tij. Ndaj mbiemri “mjekësor” është jo vetëm i pajustifikuar, por kanabis njihet për abuzimin e tij dhe problemet në shëndetin mendor dhe fizik që ai krijon.

Kujt i duhet ky legalizim?
Aspak pacientëve. Po ekonomikisht? Me siguri i duhet qeveritarëve dhe atyre që mendojnë të përfitojnë nga ky biznes, i cili dobinë e ka të pajustifikuar, kurse dëmin plotësisht. E shpallur në mes të një pandemie, kjo më duket jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe krejtësisht e paprinciptë. Në një vend me rregulla, kontroll dhe zbatim të ligjit në nivele jo të kënaqshme, kjo duket iniciativë idiote. Asnjë ekonomi nuk është ndërtuar mbi kultivimin e drogave dhe askush nga rastet në botë nuk ka bërë katandi, madje disa prej tyre janë thuajse në luftë, kaos dhe probleme të theksuara sociale.

Argumenti mjekësor mjaft i dobët, argumenti ekonomik aspak bindës, më duket se nuk mbetet asgjë tjetër për ta mbrojtur këtë ide. A po, kjo i shërben një 2017-bis në zgjedhjet e ardhshme, e cila nuk do të ndodhë as sikur ky ligj të miratohet. Thjesht është aventura e fundit e budallallëkut të një kaste që për të mbajtur pushtetin shisnin edhe iluzionet si të vërteta…