Sigal

Sami Frashëri kishte një amanet “Shkolla e anijërisë duhet të jetë…anës Vlorës”, por duket se shqiptarët që na kanë qeverisur e qeverisur nuk ishin në gjendje ta mbanin amanetin e dijetarit të madh!

Nga Ergys Alushi

Rikonstruksioni i rrugës Poliklinika Qendrore – “7 Pallatet” e ka ndarë në mes. Godinat kanë mbetur të braktisura dhe në mëshirën e fatit. Në të dy krahët e godinës qendrore ngrihen pallate shumëkatëshe. Kjo është gjendja sot e ish-Shkollës së Lartë të Detarisë apo Akademisë së Marinës në Vlorë. Askush nuk e di në vazhdimësi fatin e asaj çfarë ka mbetur nga kompleksi i godinave. Territori i saj ka nisur të tkurret në vitet e fundit, dhe brenda tij nisën të ndërtoheshin pallate shumëkatëshe.

Fillimi i Akademisë së Marinës

Shkolla e Oficerëve të Flotës luftarake-detare, e më pas me emrin Akademia e Marinës do të hapej, më 4 shtator të vitit 1961. U hap pikërisht në Vlorë, si një amanet i përmbushur për dijetarin e rilindësin e njohur, Sami Frashëri, i cili dikur shkruante : “Shkolla e anijerisë duhet të jetë mbanë detit, tek të jenë edhe anijet e luftës, në Durrës anë Ujit të Ftohtë, anë Vlorës”. Hapja në atë kohë e asaj shkolle ishte një ngjarje e madhe, jo vetëm për Vlorën, por për mbarë shtetin shqiptar, edhe për faktin se në atë kohë vendi ynë kishte me dhjetëra anije të Flotës luftarake – detare; ishte fuqizuar Flota Tregtare dhe ajo e Peshkimit, për drejtimin e të cilave kërkohej, para së gjithash kompletimi me kuadro të afta, me arsimin përkatës detar. Studentët e parë të shkollës do të ishin 70 studentët, që si shkak i prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin sovjetik, në maj të vitit 1961, do t’u ndërpriteshin studimet e do të ktheheshin në Shqipëri. Në historinë funksionimit të saj, në këtë shkollë do të diplomoheshin më shumë se 1 mijë oficerë, që kanë shërbyer në sektorë të ndryshëm të detarisë, ndërkohë që vlen të përmenden emrat e pedagogëve të lundrimit detar si: Aleko Stoli, Petrit Hysi e Mihallaq Milkani, pedagogët e armëve të nënujshme, Qemal Hysi e Ethem Mahmutaj, të artilerisë së anijeve, Bedri Hankollari, elektromekanikës e teorisë së anijeve, Tahir Hoxha e Llukan Shyti, të radiondërlidhjes e radio- lokacionit, Ethem Shkëmbi e Petrit Cukalla, të praktikës detare, Hamza Koçiu, e të tjerë emra, pa harruar kontributin e ish-komandnatit të shkollës që nga viti 1964 derisa doli në pension Azis Hasa.

Fundi

Kthime pronash për pronarë të pretenduar tokash në territorin e Akademisë së Marinës, por edhe projekti për ndërtimin e shëtitores së bregdetit, të njohur me emrin Lungomare, janë dy nga shumë shkaqet që kanë çuar sot në mbylljen e akademisë së marinës. Edhe pse ngjarjet e vitit 1997 nuk kaluan pa dëme dhe në këtë shkollë, përsëri personeli i saj arriti të ringrejë shkollën e ta vendos në funksion të plotë, duke përmendur kontributet e komandantëve të saj pas vitit 1998, Kristaq Gerveni e Astrit Aliaj, por edhe kuadro të niveleve të ndryshme. Mbyllja e shkollës, u shoqërua me ndërtimin e pallateve në një pjesë të territorit të saj, ndërkohë që disa ambiente të saj u vendosën në dispozicion të universitetit të Vlorës. Projekti i Lungomares i nisur në vitin 2014, duket se i ka dhënë goditjen përfundimtare shpresave për rikthimin e funksionimit të shkollës së lartë të marinës. Sipas vendimit të qeverisë Rama “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas plan-vendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, do t’i jepet Bashkisë së Vlorës për ta përdorur për nevoja urbanistike, për zbatimin e projekteve për ndërtimin e rrugës “Lungomare” dhe për ndërtimin e unazës së qytetit Vlorë.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Vlorë, të disa objekteve dhe të sipërfaqeve truall funksional prej 22 009 (njëzet e dy mijë e nëntë) m² dhe prej 3 690 (tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 25 699 (njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m², brenda territorit të pronës nr.904, me emërtim “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas plan-vendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për nevoja urbanistike, për zbatimin e projekteve për ndërtimin e rrugës “Lungomare” dhe për ndërtimin e unazës së qytetit Vlorë.

Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, nga prona nr.904, me emërtim “Akademia e Detarisë”, me vendndodhje në Skelë, Vlorë, sipas plan-vendosjes, të hiqen sipërfaqet truall funksional prej 22 009 (njëzet e dy mijë e nëntë) m² dhe prej 3 690 (tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë) m², me sipërfaqe të përgjithshme 25 699 (njëzet e pesë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m², përfshirë objektet, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Vlorë.

Bashkisë Vlorë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqeve të pronës, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ose t’ua japë ato në përdorim të tretëve.

Para fillimit të punimeve, Bashkia Vlorë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës, të kryejë postimin e rrjeteve inxhinierie që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, duke i kthyer ato në gjendjen e tyre të mëparshme dhe për këtë, ndërmjet Bashkisë Vlorë dhe Komandës së Forcës Detare Durrës të hartohet një aktmarrëveshje.

Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkia Vlorë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Në Vlorë kërkojnë rikthimin e akademisë së Marinës

Sot, një nga krenaritë e Vlorës, nuk e kryen më funksionin për të cilën u ngrit. Sa mirë do të ishte nëse aty të ngrihej Muzeu i Detarisë! E kush nga studentët e kësaj shkolle nuk do të sillte aty kujtimet e veta! Përballë tkurrjes nga dita në ditë të akademisë së Marinës, si një nga krenaritë e Vlorës edhe pas vitit të mbrapsht 1997, vlonjatët, duke përfshirë edhe ish student e oficerë që kanë studiuar në këtë shkollë, kërkojnë që të rihapet shkolla apo dhe ambientet e saj të përdoren si Muze i Detarisë, me qëllim për të mos humbur historia.

Ja se si shprehen disa prej tyre:

Muhamet Laknori – Jemi një grup studentësh që studiuam të njëjtin fakultet edhe jashtë shtetit edhe këtu në këtë shkollë dhe e them me bindje se ishte e një niveli bashkëkohor për kohën e vet me ato shkolla të huaja. Mbaruam në vitin 1966, punuam e u respektuam në sajë të dijeve që fituam nga ajo shkollë e Vlorës sonë. Sot kur e shoh në atë gjendje më vjen të ulërij, por fatkeqësisht një dorë djallëzore i rrafshoi të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet me veprimtari detare. Kemi fatin e madh të jemi shtet me një bregdet të gjatë e të bukur, në një pozicion strategjik, por që i prishëm edhe ato që patëm në vend që t’i modernizonim e t’i pasuronim. Ne duam që kësaj shkolle të nderuar t’i rikthehet dinjiteti dhe të zërë vendin udhëheqës siç e ka pasur në detarinë tonë.

Selim Hoxha – Sipërfaqja tokësore e Shqipërisë është 28748 km katror, ndërsa ajo ujore është 11500 km katror. Mbyllja e kësaj shkolle është e pa motivuar. Vetëm mendjet diabolike mund ta ndërmarrin këtë akt primitiv.

Fran Mataj – nuk duhet jetë muzeu e detarisë,ajo duhet shkollës marinës shqiptare siç ka qenë çdo vend i BE që laget nga deti ka shkollën e detarisë të ndarë nga fakte të tjera. Marina ka specifika të veçanta.

Luiza Hoxhaj -Ide shumë e mirë. Unë personalisht kam qenë dhe jam për ringritjen e shkollës së detarisë, krahas saj le të jetë edhe muzeu përkatës. E kam shprehur këtë mendim, por deri më tani nuk ka ende një përgjigje. Akademia e Marinës është një institucion identitar për Vlorën. Këtë mendim nuk e kam thjesht si bijë e një prej oficerëve të akademisë së Marinës, i cili e kaloi gjysmën e jetës së tij pranë saj.