Engjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”
Në Shqipëri, Qeveria e Rilindjes, Shteti, Parlamenti, gjykatat, organet e hetimit, institucionet e pavarura, Banka Qendrore, pasuritë kombëtare, deti, ajri, toka, pasuritë nëntokësore, ato minerale dhe të naftës, shumica e mediave dhe gjithçka që ka të bëjë me Liritë, të Drejtat e Njeriut dhe jeta demokratike në tërësi, janë nën pushtetin e një njeriu të vetëm që quhet Edi Rama. Gjithçka në këtë vend kontrollohet plotësisht nga një Kryeministër me tendenca të qarta monarkie dhe veprime të vazhdueshme që nuk i shërbejnë as demokracisë, as Lirisë, as përparimit, as zhvillimit dhe prosperitetit të vendit, as rendit, as sigurisë. Pra nuk janë në shërbim të misionit qytetar dhe Kombit Shqiptar. Dhe kjo ndodh sepse nga ana tjetër ka një opozitë që nuk po organizohet në mënyrë sistematike dhe duket se po pret rrëshkitjen dhe largimin e vullnetshëm të monarkut kryeministër. Por ajo harron se vetëm revoltat e pandërprera dhe të vazhdueshme të qytetarëve, motivimi dhe rritja e shpresës tek ata që u ka vajtur thika në palcë do të realizojnë largimin e monarkut gjakatar. Parimi i Lukresit se “Ashtu si pika e shiut e gdhend gurin, jo me forcë, por pa pushim” është më aktuale se kurrë. Në të kundërt qytetarët do të mendojnë se përballë monarkut dhe bandave kriminale që e mbajnë në pushtet kemi të bëjmë me ndonjë lider të opozitës, që ose është i kapur, ose është i korruptuar! Opozita duhet ta kuptojë se populli është i zhgënjyer dhe i pakënaqur nga Rilindja dhe shoferi i saj që ka marë për vete dhe familjen e tij nepotike “tepsinë” dhe “timonin”, duke e çuar vendin drejt greminës. Situata e Covid-19 e nxori lakuriq monarkun e Rilindjes, dhe njerëzit që nuk kanë mundësi të paguajnë ‘Mjekësinë Falas’ po shtrihen para portave me hekur dhe zinxhirë të spitaleve, apo edhe ata që mundën të futeshin brenda po kërkojnë të dalin duke u hedhur nga ballkonet e godinës që duhej të reflektonte humanizmin dhe të rikthente buzëqeshjen e jetës. Në këto 8 vite të Rilindjes së Edi Ramës, Shqipëria po vuan, po humbet dhe boshatiset çdo ditë. Shqiptarët rradhiten të parët në Europë për numrin e popullsisë së larguar nga vendi, që kanë kërkuar azil, apo aplikuar për dokumenta në vende të tjera dhe vetëm për periudhën 2013 -2019 numri i përgjithshëm arrin mbi 400 mijë persona. Çdo vit nga Shqipëria ikën nga një qytet dhe mbyllen mbi 30 shkolla. Ky është as më shumë dhe as më pak një spastrim i pastër që edhe qarqet antishqiptare do ta kishin zili. Por ky fenomen nuk ka të ndalur dhe shoqërohet me largimin e studentëve, inteligjencës së re, fuqisë punëtore, infermierëve që na mungojnë sot në spitale, brezit të ri dhe po shoqërohet me dobësimin e ekonomisë, mplakjen e popullsisë, diferencat mes moshave dhe gjinive, gjë që krijon edhe vështirsi në krijimin e familjeve të reja, pa llogaritur problemet sociale dhe shoqërore! Problemi i emigracionit është një ndër dhjetra e qindra probleme, që ka krijuar Rilindja dhe Edi Rama me bandat e tij. Ky njeri i pa skrupull, ulëret me të madhe “Shqipëria që duam”, po në të vërtetë Shqipëria nuk ka liri, nuk ka drejtësi, nuk ka demokraci, nuk ka ekonomi, nuk ka punë, nuk ka të ardhme, ka pak shpresë dhe shumë diktaturë që shtohet dhe bëhet çdo ditë me e ashpër dhe më e egër!
Kush ja jep të drejtën Edi Ramës që të bëjë çfarë të dojë me Shqipërinë dhe shqiptarët!? A luftuam në vitet ’90 të rrëzonim diktaturën totalitariste që të kishim një të drejtë, një liri, një frymë, një ajër, një shoqëri të barabartë për të gjithë dhe një të ardhme pa censurë dhe pa kontrollin e një mashtruesi që flet për demokraci dhe punon për shtypje dhe diktaturë!? Ndaj opozita duhet të organizojë revoltën mbarëpopullore pasi vendi është i kërcënuar nga një diktaturë e re dhe një influencë nën kontrollin sllavo-turk me ëndërra të vjetra që ngjallen dhe rriten çdo ditë dhe më shumë kundër sovranitetit të Shqipërisë dhe trojeve të Kombit të ndarë në 5 shtete, Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni dhe Greqi-Çamëri. Shqiptarët nuk duhet të pajtohen me këtë gjendje pas 30 vjetëve që u shemb diktatura, ku miliardat e pasurisë kombëtare po ikin në parajsat fiskale dhe qarqet antikombëtare dhe koloniale ruso- greko-sllavo po kërkojnë ta shqyejnë territorin dhe të përzënë popullsinë për ta zëvendësuar me arabë apo aziatikë. Dhe nëse opozita nuk e merr në dorë situatën në këto momente të vështira, nesër do të jetë vonë, pasi do të vijë një ditë që do të kemi Shqipëri, por pa shqiptarë brenda saj.






















