Emigrantët

916
Sigal

Çdo ditë në rrjete sociale shoh plot foto me ushqime.

Sidomos nga emigrantët. Bollëk i madh. E di që nuk e bëjnë për zili ndaj shqiptarëve të varfër në atdhe. Nuk tregojnë tavolina me mishra e pije për të thënë sa të pasur janë.

Rreshtojnë pjatat që t’i mbushin mendjen vetes se ia vlejti që e braktisëm atë vend me sherre, me hajdutë, me trafikantë e vrasës.

Zbutin dhe dhembkën që lanë pas.

Por sa ngrihet e pastrohet ajo tavolinë,sa hiqen pjatat e shishet,askujt nuk i vjen në fyt gromësima e kënaqësisë. Se ndër tru nis shëtit malli për ata që ke lënë larg.

Për prindërit, fisin, varret.

Për çastet kur puthe së pari, kur fjete me këpucët e reja poshtë jastëkut,kur pe blirin që çeli e të spërkati me aromë, kur gjyshja të veshi çorapet që i beri për tërë natën me shtizat e gjera, kur babai të përqafoi për dhjetën e aritmetikës, kur recitove pa e harruar vjershën, kur të erdhi krejt klasa në spital se u operove nga bajamet…

Është një botë e tërë qe kemi lënë pas.

Rendëm e vrapojmë përditë për një tavolinë a një makinë, por humbëm veten, zbehëm kujtimet, hirnosëm ëndrrat.

Dukemi të ngopur në dreka e darka atje larg, shumë larg.

Ndërsa shpirti ka uri, shumë uri për atë cepin e vogël, që në glob nuk duket, është sa një thërrime.

Por që zemrën e kujtdo e bën ë, thërrime çdo ditë, çdo natë, përherë…

Godet papushim si pika e shiut mbi gurin e pragut të shtëpisë.

Pik, pik, pik… Ah, uria e mallit të pashuar!

Si acid që gërryen shkëmbin…