Dyfytyrësia e Europës po gjunjëzon shqiptarët dhe po shkërrmoq Shqipërinë

412

Nga Dritan Shano

Dje, ndërsa mësoja për prishjen nga Qeveria vendore të pronës private në mes të Tiranës, m’u kujtuan shumë episode të tilla gjatë këtyre 6 viteve Rilindje. Veçanërisht mu kujtua një koment aprovues i sulmit të qeverisë ndaj pronës private ndanë një autostrade, i bërë nga një zonjë në një vitrinë televizive: “Katin e dyte ai e kishte me leje, po ne i prishëm katin e parë që e kishte pa leje”

Kështu dhe dje, prishja e shtëpive me leje në mes të Tiranës është një akt i pastër dhune shtetërore mbi pronën private, mbi të drejtën e pronës private, siguria e së cilës është themeli i demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut.

“Due process” – proçesi i duhur është në Europë garancia më e rëndësishme e qytetarit për t’u mbrojtur nga qeveria. Në Shqipërinë tonë Europianët heshtin ose duartrokasin dhe mbështësin qeveritarin që eliminon pikërisht proçesin e duhur në marrëdhënie me qytetarin dhe pronën private. Kjo është sjellja e përsëritur e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili me veprimet e veta shfaqet edhe si gjykatës edhe si gjykatë, eliminon proçesin e duhur si detyrim ndaj palëve, pra pa i garantuar qytetarëve dhe pronarëve proçesin e duhur si të vetmen mundësi për t’u mbrojtur nga dhuna shtetërore.

Kjo vjen sepse në këto vite, nevoja për stabilitet statik, si ai luftës së ftohtë, që dominon sjelljen e vendeve të Bashkimit Europian ndaj nesh, në mënyrë ndoshta të pavullnetshme, ka prodhuar dhe fuqizuar këto monstra nevrastenike-autoritare, ndërsa çdo ditë qytetarët shqiptarë janë gjithnjë e më të pambrojtur nga “shteti” i tyre – për shkak edhe se nuk kanë ku të ankohen. Në Shqipëri prej më shumë se një viti nuk ka Gjykata. Qeveria i ka mbyllur ato. Prej më shumë se një viti, mbyllja e Drejtësisë shitet si reformë në Drejtësi.

Në një demokraci, është individi, qytetari që duhet të jetë më i fortë, më i fuqishëm se qeveria. Jo më kot ka Kartë të të drejtave të njeriut, nuk ka Kartë të të drejtave të qeverisë do thoshte ndonjëri. Shqiptarët këto vite po shohin se ndësa në Europë, këta europianët që merren me ne, bekojnë individin, këtu në Shqipëri bekojnë qeverinë. Këto qëndrime bipolare i kanë hequr çdo qartësi qytetarit shqiptar që sheh nga Europa si model -sheh për ndihmë që të marrë forcë të shkëputet nga trashëgimia shekullore autoritariste, që të marrë forcë të dominojë klasën politike 30 vjeçare dhe ta çojë atë në shtëpi – e kanë dobësuar dhe gjunjëzuar atë edhe më përballë qeverisë, dhe kanë shkërrmoqur Shqipërinë nga e cila këto pak vjet janë larguar gjysëm milioni njerëz, ose 17% e popullsisë.

Edhe Raporti më i fundit i KiE shprehte lumturinë për reformën në drejtësi, arritjet e saj, të mirat që ajo i ka sjellë popullit shqiptar. Ky raport është si një buzëqeshje e skërmitur, është dyfytyrësi. Fjalët e tij shërbejnë si mburojë që Qeveritarët të cënojnë të drejtën e pronës, siç është rasti më i fundëm tek Selvia. Shqiptarët dinë dhe provojnë në kurriz ndryshe nga çfarë shkruan KiE. Shqipëria është vendi ku me vendime qeverie dhe ligje të posaçme rrëmbehet prona private për ta bërë publike, dhe anasjelltas. Përballë këtyre fakteve kapicë, natyrisht, ky raport flet për një realitet imagjinar, si ato që prodhohen nën efektin e drogave të forta. Ky raport duket si një tjetër Anije Kozmike, e cila ndryshe nga ajo e Mogherinit, nuk është ulur ende në tokë.