Raporti i KE, Gjosha: 7 pika kyçe që rrëzojnë qeverinë, zgjedhje pa opozitën është vrasje

414
Sigal

“Sot ka një mungesë të theksuar të bashkëpunimit të institucioneve tona me ato të vendeve anëtare të BE-së, që do të thotë se kredibiliteti ynë si partner i qëndrueshëm ka rënë”. Këtë pikëmapje i jep ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, Shqipërisë dhe rrugës drejt BE-së. Në një intervistë për “Koha Jonë”, lidhur me çeljen e negociatave, ish-deputetja e LSI-së thotë se rekomandimi pozitiv nga KE-ja nuk është një surprizë dhe për të nuk është hera e parë për vendin tonë, pasi është rekomandimi i katërt që nga viti 2016. ”Raporti në brëndësinë e tij ngre çështje serioze që kanë të bëjnë me mos funksionimin e shtetit, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e dialogut politik, çështjet e krimit organizuar, korrupsionit dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut ku përfshihet edhe e drejta e pronës. Kjo kërkon një udhërrëfyes urgjent që do të koordinonte intitucionet mes njëra tjetrës për plotësimin e këtyre kushteve thelbësore”. Për protestën e 2 qershorit, ish-deputetja thekson se: “Sa për zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk besoj se ka vend në botë që do të kundërshtonte këtë kërkesë legjitime të opozitës. Taktikat që ndiqen dhe teknikalitetet janë çështje që i takojnë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. 30 qershori pa një alternativë do të ishte vetvrasje për demokracinë dhe të ardhmen europiane”.

Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave me Shqipërinë. Si e analizoni këtë vendim pozitiv? Në disa pika u vu theksi për mungesën e shtetit ligjor por eurodeputetët nga ana tjetër folën pro zgjedhjeve të 30 qershorit?

Rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë nuk është një surprizë dhe as hera e parë për vendin tonë. Është rekomandimi i katërt që nga viti 2016. Në një analizë të ftohtë kjo do të thotë:

1-Qeveria nuk i kishte çelur negociatat ashtu siç deklaroi në deir të plotë qershorin e vitit 2018 dhe këtu del qartë loja politike që qeveria bën me këtë proces të rëndësishëm për çdo qytetarë shqiptarë.
2-Negociatat kanë ende një rrugëtim të gjatë për të marrë një dritë jeshile sepse gjithçka do të varet nga provimi më i vështirë që duhet të kalojmë në mbledhjen e Këshillit Europian dhe shpresoj që ekzekutivi të tregoj përgjegjshmëri dhe seriozitet në këtë sfidë që ka përpara. Sot që flasim janë minimumi katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër.
3. Rekomandimi pozitiv tregon rolin e katalizatorit që ka Komisioni Europian në lehtësimin e rrugës integruese të Shqipërisë dhe vendeve aspirante, për t’i dhënë një shtysë edhe vendeve anëtare të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor.
4. Komisioni Europian do të duhet të qëndroj fort në qëndrimet e mbajtura deri tanë për të ruajtur edhe kredibilitetin kundrejt vendeve anëtare. Debat ky që ka qënë në qendër të vëmendjes të BE-së kur flitet edhe për një reformim të brendshëm të mënyrës si funksion BE sot dhe institucioneve të saj.
5. Rekomandimi pozitiv vjen edhe si pasojë e nevojës ekzistenciale që Shqipëria ka për të mos u ndarë nga blloku me Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte shkatërruese për perspektivën europiane të vendit tonë.
6. Raporti në brëndësinë e tij ngre çështje serioze që kanë të bëjnë me mos funksionimin e shtetit, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e dialogut politik, çështjet e krimit organizuar, korrupsionit dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut ku përfshihet edhe e drejta e pronës. Kjo kërkon një udhërrëfyes urgjent që do të koordinonte intitucionet mes njëra tjetrës për plotësimin e këtyre kushteve thelbësore.
7. Theksi i veçantë është vendosur te kriteri ekonomik dhe dhe te papunësia, duke vënë në dukje sistemin e dobët ekonomik dhe duke e kthyer tashmë një kusht të rëndësishëm në vazhdimësinë e peocesit. Sa për zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk besoj se ka vend në botë që do të kundërshtonte këtë kërkesë legjitime të opozitës. Taktikat që ndiqen dhe teknikalitetet janë çështje që i takojnë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. 30 qershori pa një alternativë do të ishte vetvrasje për demokracinë dhe të ardhmen europiane.

Fakti ndërkombëtar është i ndarë për situatën politike në vend. Përtej përkrahjes ndaj opozitës ose qeverisë, kjo krizë a po e thellon më tej largimin e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE-në?

Kriza jonë e brendshme ndikon në perceptimin që ndërkombëtarët kanë për Shqipërinë por edhe në kushtet e funksionimit normal të parlamentit tonë, negociatat do të ishin thuajse të pamundura, për shkak të mungesës së rezultateve dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë. Vendet anëtare kanë informacionet e tyre si nga organet e inteligjencës ashtu edhe nga misionet e posaçme që ato sjellin në vendin tonë për të analizuar situatën. Sot ka një mungesë të theksuar të bashkëpunimit të institucioneve tona me ato të vendeve anëtare, që do të thotë se kredibiliteti ynë si partner i qëndrueshëm ka rënë. Ky fakt u tregua qartë në parlamentin holandez me votimin e rezolutës për rikthimin e vizave me Shqipërinë. Fenomen ky i paprecedentë që kërkon një ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse Maqedonia merr negociatat dhe Shqipëria jo, atëherë ky është faji i opozitës. A ka përgjegjësi opozita për negociatat?

Gjithmonë fajin e ka një palë tjetër përveç z.Rama. Është një qëndrim i njohur për ne dhe nuk sjell asnjë risi. Nëse Kryeministri nuk do t’i kishte deklaruar të celura negociatat që vitin që shkoi, ndoshta mund të kishte punuar pak më shumë për të përmbushur kriteret dhe kushte që janë ende pezull.

Opozita proteston, kurse maxhoranca ka nisur fushatën elektorale, për të cilën kryeministri Rama thotë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, madje ka kërcënuar me burg kush i pengon. Përveç protestës së 2 qershorit, si do të veprojë LSI-ja më 3 qershor, çadra përballë Kryeministrisë?

Opozita tashmë është pozicionuar qartë në betejën e saj dhe ajo nuk është e vetme sepse mbron kauzën e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Protestat tona janë protesta qytetare, jo partiake dhe kjo është një drejtë thelbësore në çdo vend demokratik. Rama mund të zvarritet pafund në arrogancën e tij për ruajtjen e pushtetit personal por kjo nuk shkon në të njëjtën qasje me shqiptarët. Ndaj zgjedhje pa alternativë opozitare është e pamundur të konceptohen në Shqipërinë e 2019. Kjo do të ishte një vrasje për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë.

Në letrën e gjashtë për Bashën, Rama thotë se kjo është java e fundit për dialog. Në kushtet kur sistemi i Drejtësisë ka rënë, duhet LSI-ja që të ulet për ti dhënë zgjidhje krizës dhe jeta politike ti rikthehet normalitetit?

Zgjidhja e krizës kërkon dialog të sinqertë, çështje madhore për diskutim por mbi të gjitha kërkon kushte të barabarta në tryezë. Përsa kohë z.Rama kërkon të dialogojë në pozicionin e kryeministrit, tryeza bëhet e pamundur.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se Parlamenti i Kosovës dhe Shqipërisë duhet të miratojnë një qëndrim të përbashkët ku të shprehën hapur për bashkimin e dy vendeve. Çfarë pasojash do të kishin dy shtetet nesër bëhet një hap i tillë?

Sa herë liderat dështojnë në qeverisjen e tyre të brendshme, i drejtohen qasjeve të rrezikshme, nacionaliste për të tërhequr vemendjen. Paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë bazohet mbi respektin që gjithësecili nga ne duhet të ketë për shtetet fqinje. Më vjen keq që liderat mundohen të fshijnë historinë duke anashkaluar atë që kanë bërë partnerët tanë si SHBA-ja për panvarësinë e Kosovës dhe për t’i dhënë fund konfliktit të kufijve. Shqipëria dhe Kosova duhet të drejtohen drejt perspektivës euro atlantike dhe këto qëndrime e vështirësojnë këtë rrugëtim tonin.