Dy kadetët shqiptarë nga Kosova ia dolën me faqe të bardhë në Akademinë Ushtarake Amerikane, West Point

397

Një tregim suksesi

Sigal

Frank Shkreli

Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë*

Gjatë një vizite në Washington, katër vite më parë, Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) Z. Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Rrahman Rama ishin takuar me gjeneral-lejtënantin amerikan Kenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve.  Pas atij takimi në prill, 2016 u njoftua lajmi i mirë nga gjenerali amerikan, McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova ishin pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në West Point.  Ai ka me atë rast se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së, të pranuar në Akademinë ushtarake më të njohur në botë, ishin Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku.  https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-historike-kadetet-shqiptare-nga-kosova-pranohen-ne-akademine-ushtarake-amerikane-west-point/

Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku bënë histori! Ata ishin studentët e parë nga Kosova që u shkolluan dhe u diplomuan këtë të dielë në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara Amerikane, me famë botërore, West Point, në vitin 2016.

Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është kollaj, por është një nder i jashtëzakonshëm që gjithmonë është rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të Amerikës, por edhe të botës, që pranohen në atë institucion. Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet morale dhe të karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor.  Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia Ushtarake Amerikane.  Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane, gjatë gjithë jetës, do i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, nga karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata kultivojnë aty për katër vite, duke i bërë ata anëtarë të një grupi elitar ndërkombëtarë, të dalluar dhe shumë të respektuar.  Sipas Akademisë, zhvillimi etik dhe moral është thelbi i përvojës dhe i edukatës prej 47-muajsh për kadetët në West Point.  Karakteri personal theksohet si një vlerë e pa zëvëndsueshme në mbështetje të motos së Akademisë: “Detyra, Nderi, Atdheu”, si dhe idealet e shtatë vlerave të Ushtrisë: Besnikëria, respekti, shërbimi i pa kusht, nderi, integriteti dhe guximi personal.

Janë këto vlera në bazë të cilave të rinjët nga Kosova, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku u pranuan katër vjetë më parë në Akademinë Ushtarake më prestigjoze në botë dhe janë këto vlera në bazë të cilave ata u diplomuan bazuar krejtësisht në meritat e veta, si dhe falë përgatitjes së tyre personale, fizike dhe akademike.  Katër vjetë, më parë në një shkrim modest, për të shënuar këtë ngjarje historike të pranimit të dy kadetëve shqiptarë nga Kosova në West Point, kisha uruar dy të rinjtë nga Kosova, që të dilnin me sukses dhe me faqe të bardhë në rrugëtimin e tyre, ashtuqë që të bëhen njëkohësisht edhe frymëzim për bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë.  Suksesi i tyre është suksesi i të gjithë shqiptarëve,por veçanërisht i brezit të Yllit dhe Arelenës se megjithë mungesën së shumbujve të mirë aktualisht, me shembullin e tyre i treguan brezit të tyre se sukseset e vërteta në jetë arrihen edhe pa korrupsion e krime, shembuj për të cilëve vuan shumë bota shqiptare, përfshirë sidomos politikën.  Këta dy të rinjë na rikthejnë përsëri shpresën e humbur se me me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur në jetë.

Ja pra, këtu jemi sot, katër vite më vonë, dy të rinjë shqiptarë nga Republika e Kosovës, pas 12-vite pavarësie të vendit të tyre dhe 21 vit pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovën e lirë në Akademinë Ushtarake Amerikane u diplomuan Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, së bashku me rreth 1100 kadetë të tjerë, shumica amerikanë por edhe nga vende të tjera të botës.  Në ceremoninë e diplomimit, të shtunën që kaloi, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump i cili mbajti edhe një fjalim me këtë rast, para të diplomuarve.

Me rastin e diplpmomit të tyre nga Akademia Ushtarale Amerikane , West Point, Arilena dhe Ylli shprehën ndjenjat dhe emocionet e tyre për këtë ditë historike për ta, për prindërit e tyre, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët vullnetmirë.  Para zhvillimit të ceremonisë së diplomimit, Arilena Shala tha për Zërin e Amerikës se,“Kjo (ditë) më bën të ndihem edhe më shumë krenare, pasi kur të përmendej emri im dhe i Yllit gjithashtu do të përmendet edhe emri i Kosovës. Më bën edhe më shumë krenare pasi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë dhe do të dijë se Kosova ishte e suksesshme në West Point”.  Për arritjet e saja, ajo falënderoi prindërit e vet, të gjithë ata që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim, u shpreh ajo, duke theksuar veçanërisht falënderimet e saja për ndihmën që ka marrë nga “Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe nga Shtetet eBashkuara të Amerikës, që më kanë ofruar të jem në West Point”, përfundoi Arelena Shala.  Ndërsa edhe Ylli Dalladaku u shpreh se ishte krenar që përfaqësoi Kosovën në West Point dhe për, “Mundësinë të jap kontributin tim, për të përforcuar imazhin e vendit tim në një vend siç është West Point, ku e dimë se përfaqësohen shumë shtete.  Besoj se të gjitha aftësitë që kemi përfituar këtu në West Point, kanë qenë për mua një përvojë e veçantë.  Ishte një përgjegjësi e madhe që përfaqësova Kosovën për herë të parë në West Point, por njëkohësisht ky ka qenë edhe motivimi im kryesor.  Është një ndjenjë e jashtëzakonshme që të përfaqësosh diçka që është më e madhe se vetja jote dhe mua kjo më ka shtyr të kujdesëm më shumë për të tjerët se sa për veten dhe të jem besnik i atyre vlerave, fillimisht ato familjare, me të cilat jam mësuar por edhe ato të cilat i kam mësuar këtu në West Point”, tha Ylli Dalladaku.

Arelena dhe Ylli janë vërtetë një tregim suksesi.  Me sjelljet dhe me sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që u ka dhënë Akademia Ushtarake në West Point, Arelena dhe Ylli nderojnë veten, familjen që i rriti dhe mbarë Kombin shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot, në këët ditë gëzimi, është krenar për ta.  Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e Kombit shqiptar do të njoh ditë më të mira kur të gjithë shqiptarët do të udhëhiqen nga gjenerata e Arelena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që u ka ofruar disiplina, dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it.  Keni plot arsye të jeni krenar.  Sot, me arritjet tuaja, i zbardhët faqen vetes, familjeve tuaja dhe të gjithë shqiptarëve kudo! U lumtë dhe suksese gjithmonë në jetë.  Lartë e më lartë në karieren tuaj!