Sigal

Prof. dr. Bardhosh Gace

Karakterizimet dhe simbolikat, paradigmat dhe sintagmat me të cilat është paraqitur kryeheroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jo vetëm në traktatet titullore të veprave dhe librave që janë shkruar për të, por dhe vlerësimet e tjera, të cilat më së shumti janë të tilla për shkak të profilit të prijësit të shquar në një kohë dhe epokë për të cilën kanë njohje të thellë, kanë vlerësime historiografike nga gjithë historia evropiane, që nga shekulli XV dhe në vazhdim, nuk mund të shihen të veçuara nga origjina, gjeni, tradita, edukimi dhe lidhjet e tjera, që ai kishte me familjen, me kohën, me të kaluarën dhe rrethana të shumta për të cilat është shkruar dhe do të vazhdohet të shkruhet. Dhe pse Skënderbeu i përket Arbërisë, i përket shqiptarëve dhe racës arbërore, e cila u bë bashkë me të, për të bërë praktike dhe të prekshme marrëveshjen që ai pati me arbërit për të luftuar kundër Perandorisë otomane, nevoja për ta njohur më afër nuk duhet keqkuptuar.

Ndoshta për një debat, për një kërkim më të thellë, shumë të dhëna të imta për Skënderbeun akoma nuk kanë dalë në dritë, pasi në arkivat e Stambollit apo të ndonjë vendi perëndimor, dëshmi për heroin e kohës duhet të ketë. Gati të gjithë luftërat dhe ndërmarrjet ushtarake që Skënderbeu kreu në epokën e tij kanë depërtuar në vendet e Perëndimit dhe të perandorisë, madje kjo e fundit në gjithë zhvillimet e saj ka pasur kronikanët e saj. Në këtë kuptim, si për shumë çështje të tjera që lidhen me kohën, ngjarjet, formimin, marrëdhëniet, marrëveshjet, fitoret dhe dështimet e Skënderbeut, një literaturë e shumtë shkrimore është marrë me vetë origjinën, vendbanimin, familjen dhe detaje të tjera që lidhen më heroin. Natyrisht ky komunikim ka qenë i nevojshëm dhe është i rëndësishëm sa herë që kërkohet të shkruhen të vërteta të tilla.

Një gjë të vërtetë ka në këtë rast, Skënderbeu nuk erdhi nga hiçi, nuk erdhi nga qielli, nuk e sollën të huajt, ai qe një nga arbërit e kohës, me një të kaluar familjare, me një lidhje dhe marrëdhënie të caktuar familjare, por dhe si i tillë, ai dhe familja e tij nuk ishin pa një të shkuar të dëgjuar dhe të rëndësishme për vendin. Në psikologjinë e Skënderbeut, pavarësisht burimeve letrare apo gojëdhënave, ai kishte një njohje të mirë dhe një peng të thellë për atë që kishte lënë në Arbëri, pronat, kulturën, familjen dhe miqësitë e shumta.

 

Prejardhja dhe origjina e familjes së Skënderbeut

Debatet dhe alternativat interpretuese për historinë e e Kastriotëve janë të shumta deri në ditët tona. Një debat të hapur ka pasur dhe vijon të ketë dhe mes akademikëve shqiptarë, të cilët përdorin burime të përbashkëta, por kanë interpretime të ndryshme, por dhe burime të ndryshme, pavarësisht kësaj, figura e heroit nuk cenohet aspak. Një nga qasjet e fundit shkencore lidhur me interpretimin e burimeve për origjinën e Kastriotëve, përmes një replike shkencore të gjerë është libri monografik shkencor i Prof. Dr. Kristo Frashërit i titulluar “Skënderbeu” (Jeta dhe vepra), një kolanë shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, botuar në vitin 2002, i cili përveçse bën një “mea culpa”, sjell një interpretim dhe të disa burimeve të tjera shkencore dhe informuese lidhur me këtë çështje. Prof. Frashëri ka një qëndrim tjetër për Kastriotët dhe Skënderbeun që nga viti 1974, e që në një farë kuptimi përpiqet të korrigjojë qëndrimin e tij të mëparshëm për një çështje të tillë. Në një konsideratë të tillë, interpretimi i Prof. Frashërit duket më objektiv për shkak të referencave, burimeve, interpretimit dhe debatit shkencor, prandaj vlerësimi që ne bëjmë për heroin tonë, përmes këtij përcaktimi nuk e kushtëzon aspak figurën e Skënderbeut. Prof. Frashëri mendon se burimet e para për Kastiotët janë të vona, nga Mesjeta, duke dalë në dritë për shkak të zhvillimeve me karakter ballkanik dhe evropian, atë të pushtimit otoman. Por pikërisht është kjo periudhë që sjell një dëshmi autentike për bujarët shqiptarë, të cilët përdorin si mbiemër emrin e fshatit të tyre të hershëm. Kjo duhet pranuar dhe për Kastriotët. Në Shqipëri ka një fshat, një vend të vetëm që ka emrin Kastriot, të cilin nuk e kanë njohur asnjë nga monografët e vendit dhe të huaj të Skënderbeut, të cilët janë marrë me jetën dhe origjinën familjare dhe të vetë Skënderbeut. Ky burim në shtypin e kohës është njoftuar në vitin 1903. Lidhur me origjinën e Kastriotëve dhe të Skënderbeut ka një hallakamë njoftimesh, në të cilën janë përfshirë studiues të shumtë. Kështu është thënë se origjina e tyre është nga fshati Kastër i Mirditës (njoftim i Ami Bue), Kastrati i Mbi-Shkodrës (njoftim i J. G Hahni), Iballë, Pukë (po Hahni), nga Stelushi i Matit, pastaj nga Shtjefni i Matit (sipas M. Sirdarit), dhe i mëvonshëm  është njoftimi anonim për origjinën e Kastriotëve dhe të vendit ku ka lindur dhe është rritur Skënderbeu, nga Sina e Dibrës së Poshtme, ku është dhe “Toka e Thatë” dhe ku gjendet pacenueshëm fshati Kastriot. Në ndihmë të këtij opinioni shkencor vjen dhe vështrimi i prof. Mark Krasniqit (akademik), i cili interpreton legjendat dhe gojëdhënat për Skënderbeun, ku ndalohet posaçërisht në variantin dibran. Taksativisht prof. Krasniqi shënon: “sipas traditës popullore, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot, afër Dibrës… Familja e Gjinëve në Kastriotin e Dibrës, rrjedh nga Kastriotët. Si rrëfejnë pleqtë, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot të rrethit të Dibrës. Këtu kanë qenë varret e familjes së tij. Skënderbeu ka lindur dhe është rritur në Kastriot të Dibrës, atje ka qenë i ati i tij.” Prof. Frashëri debaton përmes dëshmive dhe dokumenteve, interpretimeve dhe konteksteve kohore me autorë të caktuar, që nga biografët shqiptarë, si Noli dhe Gegaj, por dhe me studiues të huaj si Flav Komneni (i cili konsiderohet një falsifikator tipik nga Hahni), për çështje të tilla të emrave Kastri, Kastriot, Mazrek e Mat, Alemathia, me burimet që sjellin Frang Bardhi, me vlerësimet e shkencëtarëve e mediavistikës ballkanike si K. Jeriçek dhe L. Thalloczy, me Hopf-in, dhe deri me Lukarin, mbi të cilin mbështetet në masën më të madhe interpretimi i gabuar për këtë çështje, i cili mendon se Kastriotët rrjedhin nga Hasi, në librin e tij të njohur “Kronika”, ku shprehet se “Gjon Kastrioti ishte zot i Krujës” dhe se “familja e tij ka dalë nga Kastrati, fshat në juridiksionin e Hasit në Shqipëri, pak larg nga lumi Drin”. Argument, të cilit akademiku Frashëri i kundërvë regjistrin turk të vitit 1572, në të cilin Hasi i mëvonshëm nuk quhet i tillë, por Pashtrik, pastaj banori i fshatit Kastrat nuk mund të quhet Kastriot. Prof. Frashëri mendon, se ne akoma nuk kemi dëshmi dhe argumente me vlerë dokumentare për një çështje të tillë, por ai nuk nënvlerëson asnjë dëshmi dhe debat, qoftë nga Dh. Frëngu, Jastebovi, Kodeksi Boshnjak, Gjon Muzaka, dokumenti i Hilandarit, në të cilin jepen zotërimet e gjera të Kastriotëve në Dibër, të historianit italian Raffaele Volterrano dhe të tjerë. Ai i rikthehet përkundër gjithë dysive të shumta, tek dokumenti i parë për një çështje të tillë, tek Barleti, përmes dëshmive të të cilit mund t’i afrohemi të vërtetës. Prof. Frashëri shënon tekstualisht: “…kur Skënderbeu ndërmori epopenë legjendare, ai mbante titullin “Zot i Dibrës dhe i Matit”. Barleti e ndihmon mjaft origjinën dibrane të Skënderbeut në kontekstin e shkrimit të historisë së Skënderbeut në veprën e tij të famshme humaniste, pasi Çidhnnë e Dibrës, krahinën e Kastriotëve ai e quan “vise të Skënderbeut”, pastaj: “Skënderbeu u kthye nga Nishi në Dibër, ai i njihte dibranët, por dhe dibranët e njihnin Skënderbeun, prandaj ai hyri në Dibër pa luftë, si në shtëpinë e tij”. Që të nesërmen, Skënderbeu u nis për të marrë Krujën, i shoqëruar nga qindra dibranë. Barleti shënon se askush nga dibranët nuk e kundërshtoi Skënderbeun. Ai vijon se dibranët “iu derdhën të gjithë rreth e përqark e kush e kush më parë, tërë shend e verë dhe, duke kërcyer nga gëzimi, me lot që u rridhnin në faqe nga gazi i madh, një palë i puthnin duart, një palë faqet e kokën, të tjerë këmbët e pastaj gjithë trupin duke e përqafuar me përqafime të pambaruara…”

 

Familja

Ishte viti 1443. Familja e Gjon Kastriotit, ku u lind dhe Gjergji ka qenë një familje e madhe, ku shquan mjaft Gjoni. Për të thuhet se kishte një karvan me fëmijë. Ai ishte martuar me Vojsava Tribaldën, të bijën e sundimtarit të Pollogut (një trevë mes Gostivarit dhe Tetovës, vise të njohura shqiptare). Biografë të ndryshëm thonë se Donika në të vërtetë quhet Jella, ndërsa biografët e Skënderbeut thonë se Jella ishte motra e Skënderbeut dhe vajza e tretë e Gjonit. Lidhur me interpretimet e shtrembëruara historiografike sllave kryesisht dhe ndonjë tjetër, lidhur me përkatësinë e Tribalëve, Gjon Muzaka thotë se Tribalët janë shqiptarë. Nga burimet e hershme njoftohet, se Gjon Kastrioti kishte nëntë fëmijë, katër djem dhe pesë vajza. Barleti dhe Muzaka thonë, se djali i parë i Gjonit ishte Reposhi, pastaj vinte Stanishi, Konstandini dhe i vogli Gjergji. Për Reposhin thuhet se u bë mysliman, dhe Hamza Kastrioti ishte djali i tij. Ndërsa një akt noterial i vitit 1426 shënon, se Stanishi ishte djali i parë i Gjonit, pastaj Reposhi, Konstandini dhe Gjergji i fundit. Vajzat e Gjon Kastriotit ishin: Maria, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica. Vajzat e Gjon Kastriotët patën këto martesa: Maria u martua me Stefan Crnojeviçin, princin e Malit të Zi (N. Jorga thotë se ai kishte origjinë shqiptare), Jella u martua me Pal Stres Balshën, Angjelina u martua me Vlad Golem Arianitin (vëllai i Gjergj Arianitit), Vllajka u martua me Gjin Muzakën dhe Mamica u martua me Muzak Thopinë, i cili nuk kishte të bënte me Muzakët. Lidhur me vitlindjet e fëmijëve të Gjon Kastriotit nuk ka asgjë të saktë. Fatkeqësisht ato nuk kanë ardhur të shënuara, të paktën në burimet arkivore, të cilat janë zbuluar dhe që njihen deri më sot. Në një debat historiografik është përfshirë vitlindja e tij. Barleti shënon se ai mund të ketë lindur në vitin 1404, Dhimitër Frëngu shënon se ai ka lindur në vitin 1410, Gjon Muzaka, duke përllogaritur oshëm e vdekjes së Skënderbeut rreth 63 vjeç, vitlindja e Skënderbeut mund të jetë 1404 ose 1405. Në këtë çështje janë përfshirë dhe monografitë e vona të Skënderbeut; Noli mendon se Skënderbeu ka lindur rreth vitit 1412, ndërsa Ath. Gegaj mendon se ai ka lindur në vitin 1404. Ka dhe një opinion tjetër brendahistorik shqiptar, që e çon vitlindjen e Skënderbeut në vitin 1400. Ashtu siç ndodh gjithmonë lidhur me figurat e përmasave të tilla, dhe për Skënderbeun, mjaft paqartësi dhe kundërthënie historiografike janë krijuar prej legjendarizimit të figurës së tij. E mbushur me shumë-opsionalitete është mënyra si ai shkoi në oborrin e Sulltanit, mosha e tij, sa vjeç ishte dhe si ndodhi, në rrethanat familjare dhe shoqërore që u gjend ai dhe Gjon Kastrioti, i cili u detyrua t’i jepte peng fëmijët e tij tek sulltani. Ka një të vërtetë që duhet thënë dhe pranuar; Gjon Kastrioti ishte vazhduesi i një familje, e cila në fillimet kur ajo u njoh, përbënte një bujar të vogël shqiptar, e cila përfitoi gjatë reformacioneve të Mesjetës për t’u bërë një nga familjet më të fuqishme të kohës. Gjon Kastrioti ishte një luftëtar i zoti dhe i zgjuar, gjë që shihet në gjithë lidhjet martesore të kohës. Studiuesit konstatojnë se në kohën kur ai qe i detyruar të jepte Gjergjin peng tek Sulltani, përveçse zotërimet e tij rrezikoheshin, ai ishte shumë i lodhur nga luftërat. Kur turqit ia shkëputën Dibrën Gjonit, një nga zotërimet më të rëndësishme të tij, Skënderbeu ishte 25 vjeç (1430).


Portreti dhe fizionomia e Skënderbeut

Përkundër shumë opinioneve lidhur me moshën kur Skënderbeu u dorëzua tek sulltani, ka një të vërtetë që pohohet dhe nga burimet osmane, Tursuni (kronist turk), thotë se Skënderbeu ishte një fëmijë i njomë (i mitur) në Oborrin e Sulltanit), por dhe kronisti tjetër Kemal Pasha-zadeja, një bashkëkohës i Barletit, i cili kur vjen të flasë për Skënderbeun e quan një “filiz të njomë” në “pallatin e Sulltanit të botës”. Natyrshëm në opinion historiografik dhe të ndonjë fushe tjetër ka dhe një debat të vazhdueshëm lidhur me portretin dhe fizionominë e Skënderbeut, përmasat, tiparet, karakteristikat dhe të dhëna të tjera, për të cilat janë të interesuar njerëzit gjatë gjithë kohërave që nga shekulli XV e deri në kohët tona. Një nga burimet e shfrytëzuara për një çështje të tillë është ai i pikturave të kohëpaskohshme, në të cilat është fiksuar portreti apo imazhi trupor i heroit duke qenë të shumta dhe opinioni për të është edhe i dyzuar. Ndërkohë, që në fillim të viteve 1900 Konica me të drejtë pyeste: “A ekziston një portret autentik i Skënderbeut?”, përmes të cilës, ai krijon një burim referues, siç mund të jetë njoftimi se në Muzeun Perandorak të Vjenës gjendeshin dy portrete të Skënderbeut, ku në njërin portret ai paraqitet nga e majta dhe në tjetrin nga e djathta. Piktura mendohet se është e piktorit Xhentile Bellini, e vitit 1466 (kur Skënderbeu ishte në qytetin e Lagunave), pikturuar me urdhër të autoriteteve venedikase. Ndërsa Noli i kundërvihet këtij njoftimi dhe interpretimi të Konicës, dhe portret autentik të Skënderbeut mendon se është ai i Muzeut të Firences, një portret para vitit 1466. Këtë mendim mbështet dhe studiuesja Dhorka Dhamo. Në këtë debat janë përfshirë mjaft studiues të huaj dhe vendës, pasi burime të tjera vijnë dhe nga gravurat si ajo e Bernardin de Vitalit, nga ikonografia, të cilat vijnë nga shekulli XV apo dhe më vonë, të cilat gjenden dhe perceptohen në kontekste dhe situata të ndryshme. Muzetë dhe galeritë më të rëndësishme tradicionale të arteve të hershme në Evropë kanë në ambientet e tyre një numër të konsiderueshëm të portretit apo të pikturave në përmasa të ndryshme, të teknikave të ndryshme, të rrymave të ndryshme të Skënderbeut. Prof. Frashëri mendon se portreti autentik i Skënderbeut mund të jetë ai, i cili gjendej në shekullit XVI në vilën Pliniana (Muzeu i Pal Jovit), pasi mosha e heroit në këtë kohë jepet tek 60 vjetët dhe në një stinë dimri, kur Skënderbeu gjatë kësaj kohe ka qëndruar në Napoli dhe në Romë. Duhet ditur se, një kopje e portretit të Skënderbeut, pikturë e Bellinit e ka pasur familja Curani në Shkodër, së cilës iu kërkua nga shteti shqiptar të sillej në Muzeun “Skënderbeu” në Krujë.

 

Zotërimet dhe pronat e familjes së Kastriotëve

Cilat ishin zotërimet e kësaj familje të madhe shqiptare në Mesjetë, prej të cilës koha nxori një figurë komplekse, luftarake, atdhetare, burrështetase dhe diplomati të shkëlqyer, një bashkëkohës me zhvillimet e kohës, veçmas me Perëndimin. Të dhëna të konsiderueshme sjell dëshmia dhe prania e Principatës së Kastriotëve nga njëra anë, pastaj vendqëndrimet dhe relacionet e shumta me të huajt, kryesisht me Venedikun dhe marrëdhëniet me bujarët shqiptarë, por dhe një e dhënë telegrafike të themi, pasi Kastrioti kishte një mbrojtje të sigurt që nga kalaja e Petrelës, më pas ajo e kështjellës së Krujës, më tutje e Stelushit apo Petralbës, për t’u pritur i sigurt në kështjellën e Sfetigradit në Dibër. Në këtë shtrirje gjatësore, që përkon me hapësira të konsiderueshme, me lugina dhe burime ujore, me një destinacion konvencional Tiranë – Krujë – Mat – Dibër, duket se përbëjnë zotërimet e Kastriotëve në kohën e tyre më të volitshme. Skënderbeu është një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare, për të cilin historianë, studiues dhe njerëz të mendimit filozofik dhe të zhvillimit shoqëror kanë thënë se, ai krijoi një epokë. Krijimi i një epokë nuk është një gjë e thjeshtë, sado ta legjendarizosh dhe ta mitizosh një figura të caktuar të luftës dhe të veprimit. Epoka e Skënderbeut përkon me zhvillime të mëdha të rendit shoqëror – historik të Evropës nga njëra anë, të shkuarit drejt Rilindjes Evropiane, por dhe me krijimin e një precedenti historik, fuqizimin nga pikpamja ushtarake të Perandorisë Otomane dhe shpallja e synimit për të shkuar në zemër të Evropës Perëndimore. Ashtu siç thonë historianët e kohës, veçmas ato anglezë, këtë ushtri të fortë dhe të egër, të cilës nuk mund t’i dilte para asnjë ushtri evropiane, vetëm Skënderbeu me ushtrinë arbërore e kanë ndaluar, ndaj figura e heroit tonë i dha emrin e vet epokës. Për luftërat e tij tashmë është shkruar dhe folur shumë, por kauza që prodhoi atë forcë, atë fuqi, atë qëndresë, atë rezistencë të pashoqe, lidhet me të bërit të një lufte të drejtë mbrojtëse, një luftë që kundërshtonte pushtimin-otoman. Skënderbeu qe shembulli i ushtarakut dhe burrë shtetit të mençur të kohës. Ai unifikoi mjeshtërisht shpirtin liridashës të shqiptarëve, unitetin popullor me një ushtri të vogël, por të fortë, duke bërë një luftë të befasishme dhe konsekuente. Këtë luftë të gjatë, gati 25 vjeçare, të cilën e shoqëroi me një reformacion politik-ushtarak-shoqëror, me krijimin e një shteti model për kohën, Skënderbeu e zhvilloi dhe në mjaft situata delikate. Në rrjedhën e kohërave u shfaqën dhe kundërshtarë të natyrës së Ballaban pashës, një luftëtarë i përbindshëm, fitues, të cilit sulltani i kishte besuar një ushtri qindmijëshe për të shtruar dhe mundur Skënderbeun në Rrethimin e tretë të Krujës, Hamza Kastriotin (që siç thuhet ishte i biri i Reposhit, të vëllait të Skënderbeut), Moisiu i famshëm, i cili për pak kohë humbi arsyetimin dhe ekuilibrin, por u kthye përsëri tek Skënderbeu; të gjithë koto rrethana dhe precedentë të rrezikshëm në një ushtri të vogël si ajo e Skënderbeut, ky i fundit i ktheu në fitore të tij. Studimet dhe hulumtimet për Skënderbeun, për motrat dhe vëllezërit, veçmas për Reposhin, vazhdimësia e të cilit konfirmohet, e motrës së tij, e cila u martua me një princ të Malit të Zi (për të cilin thuhet se ishte me origjinë shqiptare), figura e motrës së tij Mamicës dhe rrethana të tjera, të cilat i kanë mbetur kohës, e bëjnë epokën skënderbejane emblematike, që pavarësisht dritë-hijeve ajo shkëlqen dhe na frymëzon herë pas here, pavarësisht kohëve moderne, pasi ajo ka një bashkëkohësi të përjetshme, duke qenë moderne në vetvete.