Prof. Dr. Qemal Lame: Marrëveshje epokale e Bashkimit Europian me fondin e rimëkëmbjes

401
Sigal

 

Pandemia e Coronës që ka tronditur thellë Europën dhe gjithë botën dhe bindja e 27 shteteve anëtare në domosdoshmërinë e masave të përbashkëta për përballimin dhe mënjanimin e dëmeve të shkuara, duke garantuar një të ardhme më të sigurtë, influencuan që shtetet sovrane të bashkërendojnë interesat e tyre themelore dhe të marrin vendime me mirëkuptim. Solidariteti europian tregoi se bashkërisht arrihen qëllime të përbashkëta dhe u mënjanuan dyshimet për ndarje. Në këtë drejtim jepen energji pozitive edhe nga fakti se largimi i Britanisë së Madhe nuk e dëmtoi bashkësinë, ashtu si idealizohej nga ultranacionalistët. Përkundrazi ekonomia dhe monedha e euros janë fuqizuar në krahasim me dollarin amerikan e paundin anglez.

Mbi këtë bazë, BE-ja e njohur për ngadalësinë e vështirësitë në marrjen e vendimeve për shkak të vetos që sfidon edhe shumicën e cilësuar, arriti një vendim të shpejtë për paketën historike financiare. Fatet e bashkësisë të lidhura ngushtë me ato të shteteve anëtare dëshmuan mirëkuptimin, solidaritetin e përbashkët dhe qëndrimin unanim për të hedhur hapa të jashtëzakonshëm për një të ardhme më të sigurtë për të gjithë. Bindja për rolin parësor të bashkësisë dhe solidariteti janë dëshmi në ndryshimin përgjithmonë e pozitiv të Bashkimit Europian.  Samiti i BE-së u vu në fakt para provës së rolit të tij për të ardhmen dhe fatet e përbashkëta, apo të ndasive nacionaliste e rrezikut të ndarjes të shteteve që njihen për qëndrime të ndryshme. Në katër ditë të bisedimeve intensive u dallua interesimi i përfaqësuesve të gjithë shteteve anëtare për të diskutuar me sinqeritet e analizuar me objektivitet e përgjegjësi të përbashkët gjendjen dhe marrjen e masave konkrete. Kriza e thellë e pandemisë dhe gjendja e jashtëzakonshme e përjetuar me dhimbje në çdo shtet vlejtën që gjatë tre muajve diskutime nga paraqitja e fondit të jashëzakonshëm e gjigant të rimëkëmbjes ekonomike  të bindi me vullnet të përbashkët marrjen e vendimit historik, në 21 korrik 2020, lidhur me buxhetin e ardhshëm (2021- 2027) dhe Fondin e Rimëkëmbjes (2021-2023). 1.BE-ja arriti një marrëveshje historike në interes të së ardhmes së përbashkët të europianëve. Për herë të parë u pranua dhe u vendos të merret një borxh europian në emër dhe me përgjegjësinë e përbashkët për të zbutur krizën ekonomike në vendet anëtare dhe konsoliduar e forcuar më tej bashkësinë. BE-ja nuk ka patur dhe nuk pranohej nga shtetet anëtare të kishte një fond të përbashkët, borxhe të përbashkëta dhe një union europian borxhesh. Ajo që mendohej e pamundur disa muaj më parë, mrekullisht u bë një realitet me vullnet dhe sanksione shtetërore. Është me vend të theksohet kthesa pozitive e Gjermanisë për domosdoshmërinë e borxhit europian, të unionit të borxheve dhe sovranitetit financiar të bashkësisë. Qeveria gjermane duke respektuar  kriteret e Bundestagut në veprimtarinë e saj për marrëveshjet me BE-në pranoi dhe ndryshoi kursin e njohur të kursimtarit që zbatohet edhe nga disa shtete të tjera, dhe iu bashkua konceptit të propozuar nga presidenti francez Macron,  për një politikë të përbashkët buxhetore dhe të sovranitet financiar europian. Bindja dhe kontributi gjerman bëri të mundur këtë hap historik. Kjo kthesë dhe ky sukses i presidencës gjermane do të hyjë në historinë moderne të BE-së si një ndryshim epokal për bashkësinë dhe popujt e saj. Vizioni europian dhe përkushtimi në të ardhmen e përbashkët është konkretisht arritja më e madhe në politikën e Europës së Bashkuar e Angela Merkel. 2. Vlerësimi me përgjegjësi i realitetit dhe i së ardhmes së BE-së bindi politikën për bashkëpunim dhe marrjen e vendimeve duke harmonizuar e plotësuar interesat e bashkësisë dhe  ato të shteteve anëtare. Marja e borxheve të përbashkëta ishte zgjidhja më e drejtë dhe më efektive. E reja e kësaj praktike është krijimi i fondit të ndihmës, pa ndikuar në rëndimin e buxhetit  të shteteve anëtare me borxhe kombëtare. Borxhi europian i gjeneratës së sotme është borxh për gjeneratën e ardhshme europiane. Popujt europianë kërkohet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e borxhit për mënjanimin e masave të pandemisë dhe garantimin e të ardhmes më të mirë. Zgjidhjet e sotme për mënjanimin e krizës, hapin perspektivën e ekonomisë, punësimit e arsimimit. Tek brezi i ri transmetohet mesazhi motivues i jetës më të mirë me anë të sakrificës për solidaritet dhe përgjegjsisë së tyre për të punuar, zhvilluar ekonominë e financat dhe pagesën e borxheve.  3. BE-ja dëshmoi se është mekanizmi qendror që kërkojnë europianët për shtetin e tyre të përbashkët e të fuqishëm për të sotmen e të ardhmen. Suksesi suprizë i pamenduar më parë ju dha goditje të fuqishme nacionalistëve kundërshtarë të integrimit dhe i tregoi bashkësisë ndërkombëtare se është zot i fateve të popujve të saj. Megjithë diferencat e dallimet nacionale që ka, ajo ka forca të veprojë dhe të marrë vendime me guxim. BE-ja konsolidohet më tej si mekanizmi shtetëror qendror, si dhe ombrella e përbashkët e sigurtë e shteteve të saj anëtare. Këtë forcë dhe efektivitet të ndihmës e solidaritet nuk e gjejmë në Amerikë, në Azi ose në Afrikë, ku shtetet e veçanta detyrohen të përballojnë me fondet e mjetet ekonomike gjendjen e tyre dhe nuk marrin ndihma bashkësia ndërnacionale.

  1. 4. BE-ja thelloi përmbajtjen e kapitalizmit me natyrë sociale, në krahasim me kapitalizmin klasik të disa shteteve të tjera perëndimore. Paketa gjigande prej 1,8 bilionë euro është një investim dhe një shpërndarje gjigande financiare e shteteve më të fuqishme tek ato më të dobët. “Pesë kursimtarët” donin të jepnin më pak dhe pritësit donin të merrnin më shumë. Nevoja e përbashkët u vu përballë ndasive të njëanshme dhe fitoi solidariteti e patriotizmi i përbashkët Marrëveshja dhe vendimi unanim janë shumë pozitive dhe inkurajuese. Ata hapin horizonte të reja për drejtimin dhe efektivitetin e pushtetit qendror të bashkësisë. Njëkohësisht, kërkohet të njihen edhe të metat që nuk mund të nënvleftësohen e të lihen në heshtje. Me vlera është fakti se Kryetarët e Shteteve e të Qeverive vepruan me vendosmëri e morën vendime vizionare për të sotmen e të ardhmen e bashkësisë e të shteteve anëtare. Ata morën masa të guximshme për të mënjanuar pasojat e krizës. Përfitimet janë për gjendjen e sotme, ndërsa përgjegjsia i lihet brezave të ardhshëm. Më qartë nënvizojmë se udhëheqësit aktualë morën vendime pa krijuar asnjë problem për të sotmen, për buxhetin e shtetit për të cilin kanë përgjegjësi, mënjanuan çdo reagim kundër nga opinioni publik dhe e hodhën përgjegjsinë tek ata që do të vijnë. E para, fondi i ndihmës krijohet nga gjenerata e sotme dhe do të mbetet përgjegjësi për ta shlyer gjenerata e ardhshme. E dyta, me këtë parim nuk zbatohet përgjegjësia konkrete e gjeneratës së sotme që merr borxhin për ta shlyer proporcionalisht në bazë të përfitimeve e mundësive që krijohen aktualisht për buxhetin shtetëror, ekonominë kombëtare e nivelin e të ardhurave të punonjësve. E treta, nuk barazohet dhe as ballancohet përgjegjësia midis brezave.  Fondi i ndihmës e rimëkëmbjes ekonomike është vetëm një pjesë e masave kundër coronës me të cilën përballet bashkësia dhe shtetet e saj anëtare. Kërkohet të njihet fakti se shumë fonde vijnë nga programet kombëtare dhe sidomos nga blerja e bonove që bën Banka Qendrore Europiane.  Për herë të parë në historinë e  Bashkimit Europian kushtëzohet dhënia e fondeve nga buxheti me respektimin e shtetit të së drejtës. Kjo masë e butë u imponua pasi bashkësia nuk arriti të vejë para përgjegjësisë financiare  Poloninë dhe Hungarinë që kritikohen e akuzohen për shkelje të parimeve të shtetit ligjor. Polonia dhe Hungaria shfrytëzojnë pa përgjegjësi shtetërore e kombëtare solidaritetin dhe ndihmat europiane. Nevoja për marrëveshjen e përbashkët imponoi futjen e normave të rregullores vetëm për verifikim të parimeve të shtetit ligjor. Me të drejtë vlerësohet e propogandohet suksesi i marrëveshjes. Nga ana tjetër, është e nevojshme që opinioni publik të njihet e sensibilizohet edhe për të metat e dobsitë, ndasitë, dallimet, kundërveprimet e nacionalizmave ndaj integrimit europian, qëndrimet e njëanshme duke shfrytëzuar sovranitetin shtetëror nacional përballlë atij ndërkombëtar të bashkësisë. Problem tjetër që kërkon zgjidhje është zgjerimi, hapja e bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë dhe anëtaësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor.  Efektiviteti i Fondit të Ndihmës shtron nevojën e ndërgjegjësimit dhe marrjes së vendime të shpejta Komisioni, Parlamenti dhe nga institucionet e tjera qëndrore vendimarrëse të bashkësisë. Ekonomia europiane dhe ajo e shteteve anëtare do të arrijë “bumin” atratktiv të shpresuar nëse lëvrimi i fondeve arrihet të fillojë sa më parë e gradualisht sipas nevojave emergjente të përballimit të krizës dhe të mos mbetet në perspektivën e planifikuar për vitet 2021-2023.