A është shkatërrimi i natyrës nga njeriu, përgjegjës për Covid-19?

385
Sigal

Nga John Vidal

Mayibout 2, nuk është një vend i shëndetshëm. 150 personat që jetojnë në këtë fshat në bregun jugor të lumit Ivindo, dhe në thellësi të pyllit të madh Minkebe në veri të Gabonit në Afrikë, janë mësuar me periudha të herëpashershme të sëmundjeve të tilla si malarja, ethet e verdha dhe sëmundja e gjumit.

Por në janarin e vitit 1996-ës, Ebola, një virus vdekjeprurës që mezi njihej nga njerëzit, u shfaq befas përmes një vale epidemish të vogla. Sëmundja vrau 21 nga 37 fshatarët, të cilët raportohej se ishin infektuar, përfshirë një numër që kishin mbartur, rrjepur, copëtuar apo ngrënë mishin e një shimpanzeje nga pylli aty pranë.

Unë shkova në Mayibout 2 në vitin 2004, për të ekzaminuar së përse sëmundjet vdekjeprurëse të reja për njerëzit, po shfaqeshin pikërisht në “vatrat e nxehta” të biodiversitetit, siç janë pyjet tropikale të shiut, dhe tregjet e kafshëve të gjalla në qytetet afrikane dhe aziatike.

Atje gjeta njerëz të traumatizuar, ende të frikësuar se virusi vdekjeprurës, që vret deri në 90 për qind të njerëzve që infekton, do të kthehej sërish. Fshatarët më treguan sesi fëmijët kishin hyrë në pyll bashkë bashkë disa qen që e kishin vrarë shimpazenë.

Ata më thanë se të gjithë ata që e gatuan apo hëngrën mishin e kafshës, nisën të vuajnë brenda disa orësh nga ethe të tmerrshme. Disa vdiqën menjëherë, të tjerët u dërguan në spital. Disa, si Nesto Bematsik, arritën të shërrohen. “Ne e donim pyllin, po tani kemi shumë frikë prej tij”-më tha ai.

Shumë nga anëtarët e familjes së Bematsik vdiqën. Vetëm 1 ose 2 dekadë më pare, mendohej se pyjet tropikale dhe mjediset natyrore të paprekura, të cilat përziheshin me jetën e egër ekzotike, kërcënonin njerëzit me viruset dhe patogjenët që transmetojnë sëmundje të reja tek njerëzit, si Ebola, HIV apo ethet e verdha.

Por një numër studiuesish, mendojnë sot se është në fakt shkatërrimi i biodiversitetit nga ana e  njerëzve, ai që krijon kushtet për lindjen e viruseve dhe sëmundjeve të reja si Covid-19. A është e mundur, që të ketë qenë veprimtaria njerëzore, si ndërtimi i rrugëve, hapja e minierave, gjuetia dhe prerja masive e pyjeve, ato që shkaktuan epidemitë e Ebolës në Majibout 2 dhe gjetkë në vitet 1990, dhe që po shkakton sot tmerre të reja?

“Ne po i pushtojmë pyjet tropikale, të cilat strehojnë kaq shumë lloje kafshësh dhe bimësh, dhe brenda atyre krijesave ka kaq shumë viruse të panjohura”- shkroi së fundimi në “The Neë York Times” Dejvid Kuamnen, autor i librit “Përhapja:Infeksionet e kafshëve dhe pandemia e ardhshme”.

“Ne i presim pemët; i vrasim kafshët, ose i fusim ato në kafaze dhe i dërgojmë në treg. Ne prishim ekosistemet, dhe sjellim mes njerëzve viruset e rrezikshme nga mikpritësit e tyre natyrorë. Kur kjo ndodh, këto viruse kanë nevojë për një bujtës të ri. Shpesh, ne jemi të tillë”- shprehet ai.

Hulumtimet sugjerojnë se epidemitë e kafshëve dhe sëmundjeve të tjera infektive si Ebola, SARS-i, Gripi i Shpendëve dhe tani Covid-19, të shkaktuara nga një koronavirus i ri, janë në rritje. Patogjenët po kalojnë nga kafshët te njerëzit, dhe shumë prej tyre janë në gjendje të përhapen shpejt në vende të reja.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, vlerëson se treçereku i sëmundjeve të reja që infektojnë njerëzit, e kanë origjinën nga kafshët. Disa sëmundje si tërbimi dhe Murtaja, kaluan nga kafshët tek njerëzit shekuj më parë. Të tjerë, siç janë Ethet e Marburgut, që mendohet se transmetohet nga lakuriqët e natës, janë ende të rralla.

Disa si Covid-19, që u shfaq vitin e kaluar në Vuhan të Kinës, dhe Mers që lidhet me devetë në Lindjen e Mesme, janë të reja për njerëzit, dhe janë përhapur globalisht. Sëmundje të tjera që kanë kaluar nga kafshët tek njerëzit përfshijnë Ethet Lassa, që u zbuluan për herë të parë në vitin 1969 në Nigeri; Nipah nga Malajzia; dhe Sars nga Kina, që vrau më shumë se 700 njerëz dhe udhëtoi në 30 vende në vitet 2002-2003.

Keit Xhons, drejtuese e departamentit të ekologjisë dhe biodiversitetit në Universitetin e Kalifornisë, i quan sëmundjet infektive të lindura nga kafshët, një “kërcënim në rritje dhe shumë domethënës për shëndetin, sigurinë dhe ekonominë globale”. Në vitin 2008, Xhons dhe një ekip studiuesish identifikuan 335 sëmundje që janë shfaqur midis viteve 1960-2004, dhe të paktën 60 për qind e tyre vinin nga kafshët.

Gjithnjë e më shumë, thotë Xhons, këto sëmundje zoonotike, janë të lidhura me ndryshimin e mjedisit dhe sjelljen e njeriut. Sipas saj, shpyllëzimi i nxitur nga prerjet e pyjeve, minierat, ndërtimi i rrugëve nër vende të largëta, urbanizimi i shpejtë apo edhe rritja e popullsisë, po i vendos njerëzit në një kontakt gjithnjë e më të ngushtë me speciet shtazore, që mund të mos kenë ekzistuar kurrë më parë.

“Nëpër pyje ka patogjenë të panumërt, që vazhdojnë të evoluojnë, dhe në një moment ato mund të paraqesin një kërcënim për njerëzit”-thotë Erik Fevre, ekspert i sëmundjeve veterinare infektive në Institutin e Infeksioneve dhe Shëndetit Global në Universitetin e Liverpulit.

“Ne kemi krijuar një popullatë të dendur, ku përkrah nesh jetojnë lakuriqët e natës, brejtësit, zogjtë, kafshë shtëpiake dhe gjallesa të tjera. Kjo gjë krijon një ndërveprim intensive, dhe mundësi që viruset të lëvizin nga speciet në specie”-thotë ai.

Tomas Zhillespi, profesor i asociuar në departamentin e shkencave të mjedisit të Universitetit Emori, thotë se patogjenët nuk respektojnë kufijtë e specieve. “Unë nuk jam aspak i befasuar nga epidemia e koronavirusit. Shumica e patogjenëve, presin ende të zbulohen. Ne po shohim vetëm majën e ajsbergut. Njerëzit, po krijojnë vetë kushtet për përhapjen e sëmundjeve, duke zvogëluar barrierat natyrore midis kafshëve që i bartin viruset, dhe atyre vetë”- thotë Zhillespi.

Ndërkohë Riçard Ostfeld, shkencëtar në Institutin e Ekosistemeve në Nju Jork, thotë se

kërkimet mbi shëndetin e njerëzve, marrin rrallë në konsideratë ekosistemet natyrore përreth tyre. “Ka një keqkuptim midis shkencëtarëve dhe publikut, sipas së cilës ekosistemet natyrore janë burimi i kërcënimeve për veten tonë. Gabim. Është e vërtetë që natyra paraqet kërcënime, por janë aktivitetet njerëzore, ato që shkaktojnë dëmin e vërtetë. Rreziqet për shëndetin në një mjedis natyror, mund të përkeqësohen kur ne ndërhyjmë në të”-thotë ai.

“Brejtësit dhe disa lakuriqë nate, lulëzojnë kur ne prishim habitatet e tyre natyrore. Ata kanë më shumë të ngjarë të promovojnë transmetimet e viruseve. Sa më shumë që dëmtojmë pyjet dhe habitatet, aq më shumë rreziqe sjellim për veten tonë”-thotë ai.

Ekologët e sëmundjeve, thonë se viruset dhe patogjenët e tjerë ka të ngjarë të lëvizin nga kafshët te njerëzit në shumë tregje informale, që sigurojnë mish të freskët për popullatat urbane me rritje të shpejtë në të gjithë botën. Këtu kafshët vriten, therren dhe shiten në të njëjtin vend.

“Tregu i kafshëve në Vuhan, që mendohet nga qeveria kineze si vatra fillestare e pandemisë aktuale të Covid-19, ishte i njohur për shitjen e shumë kafshëve të egra, përfshirë këlyshët e ujqërve, salamandrat, krokodilët, akrepët, minjtë, ketrat, dhelprat dhe breshkat.

Edhe tregjet urbane në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore shesin majmunë, lakuriq nate, minj dhe dhjetëra lloje shpendësh, gjitarësh, insektesh dhe brejtësish. “Tregje të tilla, përbëjnë një mjedis ideal për transmetimin e këtyre patogjenëve”- thotë Zhillespi.

“The Guardian”