Si u pasuruan komunistët batakçinj “antikomunistë”!

720
Sigal

Kristo  MËRTIRI

-Boll u sfilita përtej deteve e oqeaneve, miku im! Më në fund i dhashë karar: Nuk dua të më mbeten eshtrat patretur në dhera të huaj. Vetëm kurrizi dhe shpirti im e di se ç’kam hequr 22 vite në arrati. Nëntëdhjetë e shtata e zezë më përzuri dhunshëm e ika nga sytë këmbët nëpër udhët e paudha të kurbetit ilegal. Kurbet që më ndau për së gjalli nga të gjallët, por edhe nga të vdekurit e pakallur prej bijve që s’mundën t’u shohin as sytë e venitur nga malli e dëshpërimi dhe nuk morën dot asnjë grusht balte a lule lamtumire në çastet e fundit. Një dramë e plagë e pashërueshme njerëzore, por edhe një mallkim i pashuar për kupolën politike që ka pasur e ka timonin e shtetit amë… Muzgu i jetës më trokiti fort në mërgimin e detyruar. Por shpesh më dilte përballë edhe portreti i mikut tonë të përbashkët gjirokastrit, që mbrojti titullin Profesor në Bujqësi e aspak nëpër studio, auditore e laboratorë të kryeqytetit. E njohën dhe e respektuan në fusha, kodra e male të Shqipërisë sonë, atje ku mbillej e hidhnin shtat misri e gruri. Më beso, nuk më shqitet ende nga memoria ajo skenë dimërore te “21 Dhjetori”, pak metra poshtë poliklinikës, buzë trotuarit: Dy ditë para se të ikja, pashë Profesorin e dashur të mbledhur grusht e me një kapele ulur mbi vetulla, përpara një kutie kartoni me banane! Përmes cingërimës, fërkonte shpesh duart e rreshkura të bëra akull nga era e ftohtë dhe priste mos ndalte hapat ndonjë kalimtar blerës. Të parin njeri që kërkova për një kafe. Por…kishte 5 vjet në varrezat e Sharrës! Nuk kuvendova dot me atë komunist idealist e tepër të ndershëm, faqebardhë si bora mbi Çajup e mbi Malin e Gjerë në vendlindje. Iku fukara e pa u ankuar kurrë. Veçse puna i këndonte në duar, në Myzeqe e Vurg, Devoll e Zadrimë, në Orosh e rrëzë Korabit. Mirëpo, ca nxënës të tij që deri dje nuk nxirrnin dot as qimen nga qulli, ethebutë e syunjur, sot paskan hyrë fët e fët në partira politike të majta e të djathta dhe zaptuan kolltuqe zyrtare të dhuruara e aspak të merituara. Madje ndonjëri hodhi pas shpine profesionin dhe është ndërtues pallatesh banimi! Herë pas here shajnë “komunizmin” dhe rrëfehen si të persekutuar gjer në palcë nga monizmi. Fjala vjen, edhe një ish-drejtues redaksie e partie në gazetën tënde  të dashur “Bashkimi “, e gjeta me disa apartamente banimi e dyqane të privatizuar. Dikur, paska futur tinëzisht e poshtërsisht në burg edhe një patriotin e vet, duke shërbyer si përgjues e dëshmitar kryesor në Hetuesinë e djeshme! (O Zot, më mbaj gojën mbyllur, se nuk dua ta besoj!). Por një gazetë botoi faksimilen origjinale të kohës, firmosur e vulosur nga ish-Sigurimi i Shtetit. Spiun i sprovuar, jo dosido. Në fillimet çmendurake të Demokracisë, ky mi gjirizi të ka përmendur edhe ty si mbrojtës i Enverit(?!). Torollepsjen e këtij soji të lig, unë do e merrja si dekoratë. Jam ende i shokuar…!

Publikimi i faktit jo pak tronditës edhe për kolegët e mi gazetarë, do të flasë gjatë e me zë të lartë për ata ish-komunistë batakçinj që “u kishte hipur Beu në qafë”, ethebutë, skile, mashtrues e manipulatorë të thekur nëpër llagëmet erërënda shtetërore e private të dhuruara. Dje dhe sot. Duke u strehuar nën sqetulla Presidenciale, Kryeministrore, Parlamentare e Ministrore. Duke shitur pacipërisht patriotizëm kallp, besnikëri kallpazane ndaj njëshave në pushtet a opozitë. Duke notuar përditë kryesisht me “not qeni” nëpër rrëkera e lumenj hipokrizie të pashoqe. Në cirkun e neveritshëm Polit(h)ik të pseudodemokracisë shqiptare të tre dekadave të fundit, këta tipa u tjetërsuan si palaço e klounë qesharakë përballë njerëzve të thjeshtë që i njohin me rrënjë e degë. Ideali i tyre i vetëm është paraja e fëlliqur përtej borderove shtetërore! Bordero që nuk u qasen as te maja e thoit vilave, pallateve, veturave të shtrenjta e luksoze; aksioneve të shumta legale e ilegale në banka, kompanira, biznese e industrira, publike e private. Të kuptohemi mirë: Këta ish-komunistë batakçinj e pehlivanë të regjur, i gjen me bollëk majtas e djathtas, sidomos atje ku fryn sadopak era e përfitimeve të jashtëligjshme. Po shkojnë 3 dekada që kullandrisen me lugë në brez nëpër metropol e provinca, buzë “detit” që u bë kos! Sepse paraja-maskaraja, siç ka theksuar i mençuri i moçëm, “është këmbë e ndyrë e pushtetit”. Konkretisht, më thoni, rastësi e rëndomtë ishte ajo e legjislaturës së kaluar, ku hynë 32 deputetë me rekorde kriminale?! Hajdutë, vrasës e përdhunues, falsifikatorë të kalibrit sipëror, u ulën këmbëkryq në tempullin e Demokracisë. Dhe nuk i zuri rruga e nata ashtu hipur në kuaj e pela si udhëtarë hallexhinj të vonuar pranë ndonjë kishe a teqeje. Hynë me firmën e kryetarëve të partive, kryetarë që nuk kanë dhënë ende asnjë fije llogarie morale, statutore e kushtetuese. Qejf, o qejf, o qerrata! Që nga viti 2008 kështu, kur i hodhën nenet e Kushtetutës në flakërimën e Gërdecit ku piqej e digjej mish njeriu! Mileti voton vetëm për emrat vezullues të partive. Dhe një ditë befas i shikojnë të kapardisur nëpër kolltuqe e fuoristrada deputeti, si peshqeshe të liderë-kalanderëve. Shumica janë, o ish-komunistë batakçinj, o pasardhës tipikë të tyre, në të majtë e në të djathtë. Edhe në legjislaturën e tanishme paskan hyrë 11 deputetë kallpazanë me ngarkesa të ndryshme kriminale! Mos vallë janë nga ajo racë që shohin tym e bëjnë konak?… Më thoni, përveç Fatos Nanos, cili Kryetar ka dhënë dorëheqjen gjer më sot, pas këtij gjirizi ku njerëzia po mban hundën me dorë?

“Kush dehet me verë bëhet sërish esëll, por kush dehet me pasuri të pistë, kurrë!” Kjo urtësi e huaj tingëllon gjithnjë aktuale. Sidomos në Shqipërizën tonë pluraliste. Aq më tepër për ata ish-komunistë palaço “antikomunistë” dhe pasardhësit e tyre që e hodhën lumin e proceseve demokratizuese thjesht me një “Dallëndyshe, ktheje ndryshe!”. Pacipëri me brirë e pa brirë, që shpesh thërret e ulërit ende për luftë “kundër komunizmit” dhe të nesërmen zhytet prapë në llumin e korrupsionit e në karshillëk me popullin e varfër. Këtu, nuk e kam fjalën vetëm për ata “trimat” ordinerë e moral-çjerrë që ngritën dorë mbi ca pleq idealistë te Varrezat e Kombit. Ajo përplasje rrugaçësh nuk pati asnjë antikomunist të vërtetë. Prandaj u vulos në ditën e gabuar, në datën e gabuar, në vendin e gabuar dhe me njerëzit e gabuar. Sepse e vërteta lakuriq flet ndryshe: Në 2011, ata të moshuar nuk votuan për PD në zgjedhjet lokale, siç thuhet rëndom. Është tjetër avaz ai i kodit të përçudnuar, e tjetër gjë kënaqësia e ca pleqve të etiketuar “enveristë”. Veçanërisht kur ua thonë me gojën e tyre ca “antikomunistë” legenë e karagjozë. Edi Rama i përzuri e nuk i begenisi hiç, plot arrogancë. Por…shkoi kaluar e u kthye me këmbë! Më shkoqur, kësaj i thonë: Sot më përplas portën e shtëpisë në fytyrë, nesër më kërkon hesap, se përse nuk të ndihmova që të mos pikonte çatia(?!). Kush e riktheu lemerishëm mjerimin therës migjenian nëpër fshatra e qytete? Kush i shkatërroi e rrëmbeu tinëzisht kombinatet, uzinat, minierat, fabrikat, hekurudhat dhe i tjetërsuan në skrap a sheshe pallatesh me themele prostitucioni politik e moral? Shikoni pronarët dhe “kapistrat” e tyre, pastaj gjykoni. Për shembull, na tregoni minimalisht qoftë edhe një emër komunisti idealist të partisë së Hysni Milloshit të papërsëritshëm, që qenkej bërë milioner me pronat që përmendëm më lart dhe pastaj shani, mallkoni, pështyni e lëshoni jargë korrupsioni dhe qëlloni me shkopinj hipokrizie! Boll janë fyer padrejtësisht gjer në kockë! Personalisht, e kam dashur dhe e dua atë brez të kulluar e të pastër si bora në male, që i dha aq shumë Shqipërisë hallemadhe. Vetëm antishqiptarët me damkë mund ta mohojnë. Postulati lapidar i Havelit, se ‘komunistët më të rrezikshëm janë komunistët antikomunistë’, nuk të lë të livadhisësh me komente të tepërta. Ata idealistë të pandreqshëm janë më hallexhinj se të tjerët. Por kryetarët e partive janë mjeshtra në veshjen e ujqërve me lëkurën e qengjit! Dhe Shqipëria lëngon: 1,7 milionë vetë i falen vetëm arratisë, syrgjynosjes biblike!

Padrejtësitë e pakënaqësitë janë bërë sa një mal. Ndërsa “Gurët e Sizifit” u shtuan mbi kurrizin e njerëzve të thjeshtë. Ky “kapitalizëm i shfrenuar i tipit kazino” po i merr frymën Republikës. Dhe çuditërisht po pasurohen komunistët batakçinj “antikomunistë”(me tesera e pa tesera), mjerisht në emër të Lirisë e Demokracisë! Mirëpo, ajo që ka theksuar John F. Kenedy, nuk duhet harruar: “Një shoqëri e lirë që s’ndihmon dot të shumtët që janë të varfër, nuk shpëton dot as të paktët që janë të pasur.”