“A do të jemi njësoj pas koronavirusit?!”, Gjosha: Shqiptarët kërkojnë shpresë e siguri shëndetësore

317
Sigal

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha teksa bëri një përmbledhje të situatës që po kalon vendi ynë për shkak të COVID, shtroi pyetjen nëse pas kësaj flame do të jemi njësoj apo jo.

Në një mesazh në “Facebook” Gjosha tha se shumë familje kanë probleme të mëdha ekonomike me qëndrimin në shtëpi.

Ish-ministrja, që vjen nga radhët e LSI-së tha se sot shqiptarët kanë nevoje për shpresë.

POSTIMI

Duhej vetëm një moment të ndryshonte jetën e gjithësecilit nga ne dhe të kthente si ëndërr të vetme atë të rikthimit në normalitet. Duhej vetëm një virus për të na rikthyer në vëmendje se sa e shtrenjtë është jeta dhe njerëzit pranë nesh!

Ditët e para të qëndrimit në shtëpi për të gjithë ne ishin të mbushura me emocion, mall për familjen, shtëpinë, qetësinë, largimin nga rutina e përditshme.

Sot, pas thuajse tre javësh, rëndesa psikologjike e mendimeve, lodhjes fizike, ndarjes me njerëzit e tu, mungesës së të ardhurave por edhe frika se cfarë do të ndodhë kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, ka filluar të godasë shumë prej nesh!

Sot cdo shqiptarë ka nevojë për shpresë, jo vetëm se normaliteti dhe e përditshmja do t’i rikthehet sërish, por edhe që liria e tij do të vazhdoj të jetë e shenjtë. Sot qytetarët kërkojnë siguri për shërbimin shëndetësor, jo vetëm për ata që preken nga Covid-19, por për cdo shqetësim, sado i vogël qoftë ai, për sëmundjet kronike, për ata që vuajnë me tumor e deri te një dhimbje e thjeshtë dhëmballe që duket sikur nuk do gjejnë zgjidhje kurrë.

Sot suporti financiar është jetik për të garantuar ushqimin në familje por edhe vazhdimësinë e jetës. Është e thjeshtë t’i kërkosh qyetarëve pagesën e dritave dhe ujit si detyrim ndaj shtetit, por a është e thjeshtë ta paguash atë kur të ardhurat janë zero, kur shpenzimi i muajit Mars do të jetë i trefishuar për shkak të qëndrimit në izolim 24 në 24 orë të ditës?

A është normale t’i kërkosh biznesit pagesën e detyrimeve në data fikse, kur biznesi është i mbyllur, pa asnjë të ardhur?

A është normale t’i thuash të varfrit se do ti japësh pagën kur të hapet buxheti dhe sot ai nuk ka asnjë mundësi për t’u ushqyer?

Turizmi është në një kolaps të trishtë dhe një sektor drejt falimentit për një kohë tē gjatë. Agjensitë turistike, apo pjesa më e madhe e tyre, mund të thuhet pa frikë se panvarësisht xhiros mbi 14 milion lekë, në vetvete janë biznese të vogla, pasi fitimin e kanë shumë të vogël.

A është e drejtë që sektori që preket më shumë të mos përfitojë asgjë? A është normale t’i thuash biznesit të madh të ushqehet me dhjamin e vet kur dhjami për një pjesë të madhe të biznesit është baraz me kredi dhe borxhe.

Dhe nuk duhet harruar se është pikërisht biznesi i madh që mban në punë qindra dhe mijëra qytetarë, që shumë shpejt mund të gjenden të papunë, nëse biznesi i madh nuk ndihmohet. E kështu do të vazhdoja pafundësisht me cdo sektor e deri te ata që punojnë në informalitet dhe sot nuk kanë asnjë mundësi të ardhure financiare dhe as nuk njihet nga shteti!

Është e sigurtë që situata e virusit do të kaloj një ditë dhe do të kthehet thjeshtë në një ëndërr të keqe, por ajo për të cilën nuk jam e sigurtë është nëse do të jemi njësoj pas gjithë kësaj flame! E duke u lutur për jetën dhe shëndetin e gjithësecilit, por edhe për rimëkëmjen e ekonomisë, nuk e di sa mund të lutemi për goditjen psikologjike të një shoqërie të vuajtur dhe të varfër si kjo e jona!

Uroj që pasojat psikologjike të jenë sa më të pakta, sepse vetëm një shoqëri e shëndoshë mëndërisht mund të ringrejë një Shqipëri të së ardhmes, pas gjithë kësaj katastrofe që na ka mbërthyer! 🙏🙏