Facebook do të na tregojë edhe çfarë fqinjësh kemi

205
Sigal

Prej datës 5 maj, Facebook ka nisur testimin e “Neighborhoods”, një hapësirë e veçantë brenda aplikacionit të rrjetit social më të madh në botë, që synon të forcojë komunitet lokale.

Qëllimi është që të lidhë banorët e një pallati, lagjeje, rruge, apo qyteti përmes kësaj hapësire duke përdorur teknologjinë e lokalizimit GPS.

“Njerëzit kanë përdorur Facebook për t’u lidhur e komunikuar me fqinjët e tyre, duke e shfrytëzuar për të mbështetur biznesin, kërkuar këshilla dhe mendime, ofruar mbështetje, apo thjesht për të takuar fqinj që ndajnë të njëjtat interesa”, thuhet në deklaratën e kompanisë së Mark Zuckerberg.

Aktualisht “Neighborhoods” është ende në fazë testimi. Për t’u bërë pjesë, përveç llogarisë në Facebook është si kriter edhe mosha mbi 18 vjeç. Përdoruesve do t’u ofrohet mundësia që përmes lokalizimit gjeografik të shohin dhe njohin fqinjët e tyre, gjithmonë nëse edhe këta të fundit janë pjesë e këtij aplikacioni.

Sa i takon sigurisë dhe privatësisë, Facebook thotë se “Neighborhoods” do të ketë moderatorët dhe rregullat e veta që do të mbikëqyrin zbatimin e tyre. Moderatorët do të kenë akses që të fshijnë një postim që mund të bjerë ndesh me këto rregulla, apo mbyllin llogari që raportohen si “shqetësuese” nga një grup njerëzish.

Aplikacioni vjen edhe me mundësinë për të bllokuar dikë te Neighborhoods, por pa e bllokuar në Facebook. Bërja pjesë e kësaj hapësire është në dorën e përdoruesve, që mund të zgjedhin të krijojnë ose jo një profil dhe në rast se po mund të vendosin që të jenë të dukshëm vetëm për fqinjët e tyre, apo edhe për përdoruesit e tjerë në një rreze më të gjerë gjeografike, në bazë të parametrave që përzgjedhin vetë ata.