Xhelal Luca: Në Elbasan më çuan në gurore pse nuk kisha në fletore poezi për Partinë

869
Sigal

INTERVISTA/ Flet poeti dhe interpretuesi i poezisë Xhelal Luca: Pasi shpika vibratorin e thellësisë së betonit më transferuan në Tiranë

Është marrë me aktivitete kulturore qysh i vogël. Madje, dua të theksoj se në moshën 12 -vjeçare ka marrë titullin  laurant Festivali si valltar në Mirditë. Por ëndrra e tij ka qenë dhe mbetet aktrimi, dhe e ka peng në jetë që se kanë lenë të konkurrojë. Aktualisht ai është poet, por në radhë të parë recitues, interpretues i shumë poezive në të gjitha promovimet që bëjnë poetët në Tiranë dhe anekënd Shqipërisë.

 Kur ke filluar të krijosh poezi?

Një vit më vonë pas këtij titulli fillova dhe të shkruaj pra në moshën 13 vjeç, por për fat të keq ato vargje që kam shkruar në atë kohë, nuk mi pranuan pasi më thanë i ke kopjuar, pra ishin në një nivel që nuk i përshtateshin moshës time.  Ato vargje përkojnë me vitin 1966, pra afërsisht 57 vjet më parë. Ishte një poezi për partinë e Punës që unë dhe sot e mbaj mend strofën e parë.

Ti linde mes betejave, / kur vuante populli shqiptar,/ Ja preve rrugën rrëkejave,/që vërshonin mbi kombin mbarë.

Pra këtë poezi më thanë e ke kopjuar. Sepse kishte shumë zjarr brenda që i bëjnë vetëm poetët e mirëfilltë. Kjo gjë mi preu krahët. E shikoja dhe veten me dyshim. Pas ca ditësh bëra një poezi të dytë për komunistët që nuk e kishte atë vlagë që doja unë. Pra megjithëse nuk po më përkrahnin në poezi u dhashë i tëri pas interpretimeve. Kam interpretuar, drama, skeçe, me klubin e minatorëve të Kurbneshit. Unë u largova nga vendlindja Dibra, pasi bëra shkollën e mesme për elektromekanike dhe më caktuan me punë në Kurbnesh. Këtu në këtë klub apo trup amatore kam kontribuar shumë që nga skeçet, vallet, dramat. Kjo punë vazhdoi derisa u transferova në Elbasan.

 Pse u transferove në Elbasan?

 Unë u transferova në  Elbasan në vitin 1976 si punëtor i thjeshtë, për zbutje të luftës së klasave. Doja të mësoja italisht dhe të lexoja italisht dhe aty disa njerëz që merreshin me anonime i keqinterpretuan përpjekjet e mia dhe për të mos u përhapur kjo “murtajë” tek punëtorët, më transferuan në Elbasan. Atje më caktuan përgjegjës të grupit artistik të ndërmarrjes  së prodhimeve parafrabikate në metalurgji. Ishte një grup i ngritur por pa shumë rezultate. Punova me mish e shpirt jashtë orëve të punës dhe e kam udhëhequr 6 vjet këtë grup. Pra në këtë ndërmarrje fillova punë si elektromekanik, profesioni im. Këtu ngrita grupin e folklorit dhe të estradës dhe më vonë teatrin. Në rrethin e Elbasanit kam marrë disa çmime. U ngrit dhe një komision nga teatri i Elbasanit, i cili më tha një çmim special për interpretim të fjalës artistike në skenë. Ishte viti 1978. Pra këtu fillova interpretimin masiv të poezisë.

 Gjatë kësaj kohe vazhdonit të shkruanit poezi?

Po, gjithmonë krijoja. Kisha një bllok të mirë dhe aty i shkruaja. Më ishin bërë shumë, por nuk merrja mundimin ti publikoja pas atyre ngjarjeve. Por se di ku më shkoi ky bllok. E merrja disa herë dhe ën prova. Hapa fjalë se do t’i jap 5 mijë lekë atij që ma gjen bllokun me poezi. Prisja…Ky bllok doli pas disa kohësh dhe ishte në Bashkimet Profesionale të ndërmarrjes. Hajde mere vesh kush e çoi aty. Dhe filluan diskutimet, pasi pas dy poezive të para që më thanë nuk janë të tuat unë kurrë më nuk shkrova për partinë dhe sh Enver. Pra tashmë po më kritikonin. Në këtë bllok kisha lirika dashurie, këngë patriotike. Kalova një situatë të vështirë. Më hoqën nga puna dhe më çuan për riedukim 6 muaj në Shushicë të Elbasanit në gurore. Mbas përfundimit të dënimit u ktheva sërish si elektromekanik në Ndërmarrjen e prodhimeve Parafrabikate. Kantier prodhimi. Fillova sërishmi aktivitetet me të gjitha grupet amatore të ndërmarrjeve, por edhe të qytetit.  Pra linda në Zall Dardh u rrita në Mirditë dhe tani rininë e tejkalova në Elbasan. Pra 1976 deri në vitin 1983 unë ndenja punova dhe bëra shumë aktivitete në Elbasan.  Kur se prisja më transferuan në Tiranë. Në Tiranë, atëherë ishte shumë e vështirë. Po u transferova  tek Kantieri i ndërtimeve të Parafabrikateve të Elbasanit në Tiranë. Këtu bëheshin vepra të mëdha. Ishte koha kur s’ishim prishur me Kinën dhe kërkoheshin shumë racionalizime, shpikje, etj., që të mos ngeleshim të varur nga jashtë.

Pse, konkretisht bëre ndonjë racionalizim  vetë?

Po, unë atëherë bëra një racionalizim vibrator të thellësisë të betonit. Pra ishte një pajisje që e prodhoi uzina Dinamo. Vibrator thellësie për betonin. Pasi  derdhet betoni, këto pajisje e vibrojnë, e lëkundin. Kjo prodhohej për herë të parë në Shqipëri. Kjo ishte arsyeja që mua më sollën ën Tiranë. Ishte gëzim i padiskutueshëm, pasi atëherë ishte shumë e vështirë të vije në Tiranë. Por tashmë aktiviteti im artistik u ndërpre. Tirana ishte e madhe, puna larg ndaj isha më i rezervuar. Në këtë kohë fillova të krijoj sërish poezi.

 Pra ju kushtove sërish poezisë?

Po. Më erdhi ajo dëshira e parë. Kisha një frymëzim të brendshëm. Fillova të shkruaj çdo ditë, përsëri në nëj bllok të veçantë që e ruaja me shumë fanatizëm. Askujt nuk ja tregova poezitë. Në këtë ndërmarrje më gjeti demokracia. Isha ndër të parët që e përkraha dhe kam marrë pjesë në të gjitha lëvizjet demokratike në vitet 1990-1991. Përsëri shkruaja. Një ditë poezitë e mia i gjetën fëmijët vajza që ka mbaruar për gjuhë letërsi dhe djali i madh i korrektuan, redaktuan dhe i bënë gati për botim. Kështu në vitin 2010, botova librin e parë me poezi “Shpirti bredharak”.Ky libër më dha shumë krah. Titulli është paksa kontradiktor pasi flet për vitet e rinisë, për dashurinë, patriotizmin. Pashë se duhej të kaloja në një fazë tjetër krijimtarie. Punova mbi dy vjet dhe nxora librin e dytë. “Ndizem në akull”. Ky është libër që tregon pjekurinë time artistike, por dhe gamën e gjerë të problematikës së poezisë. Pra në 2011 doli libri i dytë. Ndërsa në vitin 2012 me rastin e Shpalljes së Pavarësisë u mblodhëm rreth 17 poetë dhe nxorëm një libër të përbashkët. Ky libër u titullua “5 degë, trungun thërrasin”, pra Shqipëria është ndarë në 5 pjesë dhe trungu i thërret në një shtet. Janë poezi vetëm epike dhe patriotike. Tashmë jam në disa krijime…

 Çfarë të kujton Tirana?

Në Tiranë u martova, në Tiranë u bëra me katër fëmijë, në Tiranë arsimova fëmijët. Këtu fëmijët u shkolluan. Por nostalgjia për Dibrën  nuk më ikën. Në librin e dytë poezinë më të bukur e kam thurur për Elez Isufin. Cili është ai dibran që nuk ka shkruar për të? Unë librin e dytë e mbajta 6 muaj pa e botuar vetëm të bëja një poezi për Elez Isufin. Ai është prijësi më i madh  dibran kundër serbëve. Ka qenë mik i Fan Nolit shok më Bajram Currin.

Kur je ndjerë më mirë gjatë recitimeve?

 Në një takim me Reshat  Arbanën dhe me Margarita Xhepën. Më thanë të interpretoja disa poezi. Hezitova para tyre dhe pse kisha recituar për 40 vjet rresht. Ata janë kolosë. Por më çuan me zor. Kur mbarova interpretimin Margarita Xhepa çohet nga fundi i sallës dhe më puth në ballë. Reshat Arbana më përqafoi. Ishim në Pezë.

Ke ndonjë peng që s’u bëre aktor?

Jo vetëm për aktor. Pengjet e mia janë që nuk botova librin e parë që më humbi në regjimin komunist. Peng që nuk mbarova për dramaturgji, sepse i hodha dokumentet nuk mi aprovuan. Peng kam që arsimova të gjithë fëmijët dhe sot nuk i kam në Shqipëri, por në emigracion.