Vlora ka nderuar një nga figurat më të rëndësishme të jetës publike dhe akademike, Prof. Dr. Kristaq Kume, me titullin “Qytetar Nderi” me propozim të Shoqatës Atdhetare Kulturore ‘Labëria’ . Kume është një nga figurat më të spikatura të demokracisë shqiptare. Si studiues, si intelektual i angazhuar dhe si zë i ndershmërisë në jetën publike, ai ka qenë shembull frymëzimi për breza të tërë. Vlorën, qytetin e lindjes, nuk e braktisi kurrë në zemrën e tij. Përkundrazi, ai ia ktheu asaj përkushtimin me vepra, me fjalë, me dinjitet. Në kohë sfiduese për demokracinë, ai qëndroi i palëkundur në shërbim të së drejtës dhe së vërtetës, duke udhëhequr institucione kyçe me ndershmëri të rrallë.
Profesor Kume e cilësoi këtë titull si kulmin e karrierës së tij dhe se të vlerësohesh nga qyteti jot është një ndjesi krejt ndryshe dhe e jashtëzakonshme.
Për kontributin e tij të çmuar, Prof. Kume është nderuar me disa nga vlerësimet më të larta të shtetit shqiptar, përfshirë:
- Urdhrin “Naim Frashëri”
- Titullin “Mjeshtër i Madh”
- Dekoratën “Nderi i Kombit”
Me krenari dhe mirënjohje, qyteti i Vlorës i jep titullin “Qytetar Nderi”, si shenjë e respektit të përjetshëm ndaj një burri të dijes dhe të karakterit të lartë, që me jetën dhe veprën e tij, ka ndriçuar emrin e vendlindjes dhe të Shqipërisë.
Kryebashkiaku Dredha: Faleminderit, profesor, për të gjitha gjurmët intelektuale
Gjatë ceremonisë solemne, Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, dorëzoi këtë vlerësim të lartë. Dredha tha se Prof Kume ka lënë gjurmë ndër dekada më përkushtimin në formimin e brezave intelektual. Ndaj dhe u shpreh se : Në emër të Shoqatës Atdhetare Kulturore ‘Labëria’, Këshillit Bashkiak por edhe qytetit të Vlorës, pata nderin t’i jap, Prof. Kristaq Kumes, titullin ”Qytetar Nderi’. Faleminderit, profesor, për të gjitha gjurmët që ke lënë, ndër dekada, në botën akademike dhe në formimin e brezave të tërë, nga pikëpamja njerëzore, intelektuale dhe profesionale!