Sigal

Është e bukur, e qeshur shumë e dashur, por mbi të gjitha, është shumë e talentuar. E kemi fjalën për këngëtaren e njohur shkodrane, Vilzana Parubi, e cila në një intervistë për gazetën “Telegraf” tregon se si e nisi rrugën e muzikës. Ajo flet për klipin e saj më të ri “Hatri i dashurisë” një këngë që është pritur mjaft mirë nga publiku. Bukuroshja shkodrane në këtë intervistë gjithashtu kthehet 10 vite pas dhe na tregon edhe eksperiencën e saj në “Star Academy 5” për të cilën thotë se ka qenë një ndër eksperiencat e saj më të bukura. E megjithatë, e pyetur, nëse do të përsëriste sërish këtë show, ajo thotë që nuk beson se do t’i jepet rasti që të rifutet në një format të tillë. Vilzana numëron disa këngë në repertorin e saj.

Kur ka nisur rrugëtimi juaj në muzikë?

Në fakt unë që fëmijë jam rritur me frymën e muzikës. Mbaj mend që e vogël fare, në moshën 8- vjeçare kam marrë pjesë në festivalet Ndërkombëtare të fëmijëve që atë kohë bëheshin në qytetin tim në Shkodër. Aty nisi rrugëtimi im i parë që e vazhdoj dhe sot. Një rrugëtim që do më ndjekë deri në fund të jetës sime, pasi pa muzikë unë nuk jetoj dot. Është thjesht një dhunti, dhuratë nga zoti.

Keni pak ditë që kini publikuar këngën dhe klipin më të ri me titull “Hatri i dashurisë” një bashkëpunim ky mjaft i suksesshëm, cila është fabula e kësaj kënge?

Kënga “Hatri i dashurisë” është balada më e re dhe ka pak ditë që u publikua. Është bërë në bashkëpunim me këngëtarin nga Shkodra Daniel Kopsaj. Fabulën e kësaj kënge do ta lidhja me temat që ne, realisht, i jetojmë në ditët e sotme .Unë jam shumë e lumtur, pasi kënga është pritur shumë mirë nga publiku, gjë të cilën në këto nivele nuk e prisja. Faleminderit të gjithëve!

Fabula e kësaj këngë dashurie ka të bëjë me jetën tuaj private?

Jo, aspak. Ideja e kësaj kënge lindi spontanisht, domethënia e saj nuk ka të bëjë me jetën time private. Teksti u thur nga autori dhe mua, thjesht më pëlqeu si tekst dhe e realizova.

Cilët janë bashkëpunëtorët e këngës dhe të këtij klipi?

Kënga është punuar nga Egzon Bajraliu, teksti nga Kreshnik Avdiu. Kurse klipi është realizuar nga Ego Films. Jam shumë e kënaqur që bashkëpunova me ta, pasi janë të gjithë profesionistë dhe do i falënderoja shumë për punë e mrekullueshme që kanë bërë.

Cilat janë projektet më të afërta të Vilzanës?

Projektet më të afërta dua që t’i lë surprizë, pasi po t’i them që tani nuk do jenë më interesante. Por di të them që do këtë mjaft projekte të reja së shpejti dhe besoj që do të priten shumë mirë nga publiku, ashtu siç jam pritur deri tani, por më mirë ia lëmë kohës.

Ju keni marrw pjesë edhe në një talent show siç është “Star Academy 5”. Çfarë mbani në mendje nga kjo eksperiencë?

Më ktheve 10 vite pas në kohë. Është eksperienca më fenomenale që kam përjetuar ndonjëherë në jetë, ishte fantastike të isha pjesë e një edicioni aq të madh dhe të bëhesha një ndër konkurrentet që kishin fatin të ishin pjesë e sfidave të “Star Academy 5”. Kujtoj shumë momente, sfida të një pas njëshme, pas atij Show m’u hapën shumë rrugë në botën e televizionit. Që nga ai event, sot unë e quaj profesionin tim, Muzikën.

Nëse do t’ju jepej prapë mundësia për një show të tillë do të merrnit pjesë sërish dhe çfarë do të bënit ndryshe?

Nuk e besoj se mund të përsëritet më ai Talent show, pasi tani nuk kam nevojë më për sfida dhe vlerësime. I kam përjetuar dhe kaluar, pasi ato i kam marrë shumë vite më parë.

Çfarë natyre ka Vilzana?

Vilzana ka një natyrë të thjeshtë për ato që më njohin, ndryshe nga paraqitja e jashtme, edhe pse dukem shumë e ftohtë dhe mendjemadhe, por nuk jam aspak e tillë. Unë jam aq e afrueshme sa dhe të tjerët janë me mua, as më shumë dhe as më pak.

Çfarë e bën të veçantë Vilzanën?

Do të theksoja se pikat e mia më të forta, sigurisht, më bëjnë të veçantë. Është ndër to karakteri im që dominon në shumicën e rasteve. Mirësia dhe mirënjohja zë vend shumë të rëndësishëm tek unë, ndaj i posedoj mjaft mirë këto dy virtyte. Jam shpirt i lirë dhe vetvetja gjithmonë, nuk i dua imitimet

Çfarë urreni më shumë?

Urrej errësirën (hahaha). Urrej ato njerëz që tjetër janë dhe tjetër hiqen, ato që të shesin shumë lirë kur i humbet interesi, ata të ashtuquajturit (MIQ). Urrej padrejtësitë dhe s’i dua fare njerëzit që duan të bien në sy me zor Më pengojnë shikimin d.m.th., ma vrasin syrin këta tipa njerëzish. I urrej zhgënjimet,mund të fal, por nuk harroj.

Intervistoi: Era Çela