Merr pjesë ambasadori shqiptar në Kosovë, z. Qemal Minzhozi
Është çelur mbrëmjen e së hënës një ekspozitë e veçantë pikture në qytetin e Sarandës. Ka qenë piktorja Sarandë Kika-Bahtiri nga Kosova që ka sjellë emocionet e frymëzimit të saj me peizazhet dhe motivet sarandjote, një entuziazëm që ka ngjallur motivi dhe subjekti natyror i qytetit jugor të Shqipërisë për piktoren me emrin Saranda, motiv i ngjallur nga vizita e 40 Sarandave kosovare që vizituan qytetin e emrit të tyre vitin që kaloi. Piktoren Saranda e ngacmon qyteti i emrit të saj dhe, si mirënjohje, i sjell këtë ekspozitë të çmuar ndërtuar mbi bazë mjeshtërore ku imazhi i personazhit dhe idesë jepet edhe nëpërmjet hollimit në mënyra të ndryshme të bojës duke e stacionuar penelin në mbishtresa të njëpasnjëshme dhe që arrijnë vlera që të duken në pamje të parë si të dorës së dytë, por po t’i shikosh me vëmendje për së dyti, kupton se je përballë vlerave që dinë t’i realizojnë mjeshtrit e penelit të bojërave të vajit. Mbi këto parime ka ndërtuar edhe Saranda ekspozitën e sajë ku harmonizon në mënyrë të papritur edhe skajet më të largëta të spektrit. Piktura me thellësi mendimi e shprehur tek ngjyra me një orkestrim të ndjeshëm, por me një qëndrim serioz ndaj elementeve të tjera të pikturës, ç’ka i jep tipare individuale kësaj ekspozite të veçantë. Publiku e ka pranuar të kënaqshme në të veçantën e saj këtë ekspozitë dhe ka merituar duartrokitje nga pjesëmarrësit në Galerinë e Artit të Sarandës, ku e veçanta qe përshëndetja e Ambasadorit tonë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, i cili u shpreh se: “Nuk mendoja kurrë se vizita e 40 Sarandave nga Kosova në Sarandë vitin që kaloi, do të krijonte kaq shumë emocione tek qytetarët e Sarandës, tek Sarandat e Kosovës dhe tek unë personalisht. Një befasi e paparë, një emocion të veçantë më krijon sot edhe hapja e ekspozitës personale “Unë dhe Saranda” nga piktorja shumë e talentuar Saranda Kika Bahtiri. Pothuajse janë punime të punuara enkas për artdashësit, dhe pse jo për gjithë banorët e Sarandës. Një ekspozitë që përmban, përveç jetës dinamike të femrës shqiptare, edhe bukuritë e bregdetit të Sarandës, peshqit, peizazhet e më gjerë. Është hera e parë që një vajzë artiste e talentuar dhe simpatike nga Kosova hap një ekspozitë personale që mban emrin e saj Saranda” Piktorja Saranda është gjendur kështu mes ngrohtësisë së shpirtit sarandjot, mes mirënjohjes së tyre ndaj mirënjohjes së saj për qytetin që do të mbetet përherë me urimin Saranda piktore e do Sarandën dhe shkriu artin e saj, por edhe Saranda qytet që i ka dhënë emrin do t’i japë shpirtin e saj. “Unë e dua Sarandën” dhe Saranda të do Saranda e mrekullueshme!
Agron MEMA