Eshtrat e gjetura në tunelin e Matit, historia e ’97-ës ku mbetën të vdekur 23 njerëz, mes tyre 12 fëmijë

515
Sigal

Eshtra njerëzish janë gjetur ditën e sotme në tunelet e Qafë Shtamës në Mat, të cilat dyshohet të kenë lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, ku tunelet e mbushura me armatim shpërthyen, duke shkaktuar 23 viktima.

Sipas të dhënave të para mësohet se, eshtrat e gjetura kanë lidhje me këtë rast, ndërsa janë konstatuar gjatë operacionit të pastrimit të ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes.

Ende nuk ka të dhëna për identitetin e personit që i përkasin këto eshtra.

Historia

Hapja e depove në vitin 1997 shkaktoi trazira të shumta njëherësh edhe shumë viktima. Më 29 prill 1997, teksa banorët e një fshati të vogël pranë tuneleve të Qafë Shtamës, po bënin “punën” e përditshme, pra zbrazjen e barutit dhe grumbullimin e gëzhojave për shitje, ndodhi ajo që nuk pritej. Nga mungesa e dritës, banorët mbanin me vete qiri apo elektrik dore, por kjo shkaktoi tragjedinë, ku 23 persona humbën jetën nga shpërthimet në tunel.

Shpërthimet nuk kursyen as fëmijët, të cilët ishin 12 veta. Rasti alarmoi të gjithë vendin, duke ngritur edhe shtetin në këmbë.

Vetëm një ditë më vonë, banorë të fshatit, ushtarakë, punonjës policie nisën kërkimet për gjetjen e trupave pa jetë, Hazis, Selman e Lik Dishani gjetën forca për të rrëfyer ngjarjen aq sa dinin. Pas më shumë se një muaj kërkimesh në tunele, u gjetën eshtrat e 11 viktimave, ndërkohë që 12 prej tyre ende nuk janë gjetur. Familja e Hazis Dishanit ishte nga më të mëdhatë që la jetë në tunele plot 7 veta. Lik Dishanit i mungonin tre njerëz të afërm, po kaq edhe S.Kurtit e Z.Dishanit, Ferit Uka e Murat Dishani humbën nga dy të afërm. Ndërsa Selman, Ali, Halil, Besnik e Dyl Dishani nuk kishin në gjirin e tyre nga një familjarë. Fatkeqë qenë edhe Hysen Rama, Rifat Barci, Osman Haxhiu.

23 të ndjerët ishin përkatësisht 12 vajza e 11 djem, prej të cilëve vetëm 5 ishin të martuar, 5 të tjerë kishin kryer shërbimin ushtarak, ndërsa 12 ishini fëmijë të vegjël.