Sot në orën 08:00 hapet Panairi i 17 i Librit “Tirana 2014”

550
Sigal

Shtëpitë Botuese “Toena”, “Pegi”, “Morava”, “ArgetA-LMG” surpriza e Panairit

Në Panairin e 17 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja

 Sot hap siparin Panairi i 17 i librit. Kjo veprimtari e gjerë e librit shqip që do të zhvillohet në datat 12-16 nëntor 2014 përbën një ngjarje të rëndësishme për gjithë lexuesin shqiptar. Në Panairin e 17 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe është Panairi i 17 që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës. Për herë të parë ky aktivitet madhor është zhvilluar në vitin 1998. Ndoshta është një nga organizimet më efikase për vetë faktin  se nga viti në vit vjen duke shënuar rezultate në rritje si sasiore edhe cilësore.

Në gjithë hapësirën shqiptare, organizimi i Panairit është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore. Risi e këtij Panairi është se do t’i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada. Për këtë qëllim tek  hyrja e Pallatit të Kongreseve, do të vendoset një portret i De Radës, por edhe te aktivitetet e shumta që do zhvillohen gjatë 5 ditëve të Panairit, në shumë stenda do të jenë portretet e tij. Ky Panair do të ketë  Çmimin e madh Jeronim de Rada, që do të jetë edhe kurorëzimi i veprimtarive për De Radën.

 Shtëpia Botuese “Morava”

Në këto 17 vjet shtëpia botuese “Morava” ka marrë pjesë në 13 panaire. Për ne ky është Panairi më i rëndësishëm jo vetëm për sasinë e titujve, por edhe për cilësinë e tyre. Librat më të shitur të “Morava” kanë qenë ata me tema historike, triller dhe romanet psikologjik. Romani i ditëve të fundit “Treni i Jetimëve” është në krye të klasifikimit botëror për numrin e lexuesve. Ndër romanet më të shitur dhe më të kërkuar në treg janë “Pallati i dimrit”, “Perandoresha e natës”, “Të katër motrat mbretëresha” dhe “Zotëria i jetimëve” që flet për Korenë e Veriut. Po hedhim në treg në këtë Panair 10 tituj të rinj ndërsa në stendën tonë do të ketë më shumë se 150 tituj.

Shtëpia Botuese ArgetA-LMG

 Shtëpia Botuese ArgetA-LMG vjen në panairin e 17-të të librit me kryeveprat e letërsisë botërore si : “Panairi i kotësive” i Ulliam Theker, botim i plotë i “Novela” të Stefan Cvajg, botim i plotë “Novela & Tregime” të Anton Çehovit , “Lirika & Poema” të Sergej Esenin , “Kostandinopoja” me autor Edmondo De Amiçis dhe një botim enkas për Panairin e Librit “Femrat” e Çharles Bukovvskit.

Nga autor shqiptarë në këtë panair prezantohet me tre botimet e tij të librave të shahut, nga mjeshtri i shahut Edmond Bushi. Një tjetër autor shqiptarë vjen me dy botime enkas për panairin e librit, Nuri Plaku me titujt “Ekologjia e Kulturës” dhe ” Bibla e udhëve të mia”.

Shtëpia Botuese “Toena”

Panairi i Librit që nisi sot në Tiranë konsiderohet nga ne si një stacion i bukur dhe i rëndësishëm i punës sonë botuese dhe promovuese.

Toena vjen këtë vit me shumë tituj të rinj, mbi 120 të tillë, shumë prej të cilëve promovohen për herë të parë në stendën e saj në këtë Panair.

E nisim nesër me katër takime të rëndësishme. Në orën 12 në stendën Toena do të jetë i pranishëm prof. Rexhep Qosja. Në orën 13 një takim i veçantë do t’i dedikohet mësueses Lumturi Vladi dhe librit të ri kushtuar figurës së saj me titull “Nënëmadhja e fëmijëve”. Në orën 17 në stendën Toena, prof. Paskal Milo do të prezantojë librin e tij të ri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”. Në orën 18:00, një takim promocional do t’i kushtohet figurës së gazetarit Niko Nikolla dhe librit të tij të ri “Homo Balcanicus”.

Shtëpia Botuese “Pegi”

 Në këtë panair vjen me 100 tituj të rinj dhe në stendë do të jenë mbi 1100 tituj. Veçojmë librat “Natë e ditë”, “Ema”, “Ema”.

Librat e rinj në këtë Panair:

“Natë e ditë” nga Virginia Vvoolf

” Ema” nga Jane Austen.

” Ema” nga Kami Garcia dhe Margaret Stohl.

  Albert Z. ZHOLI

 ****

Zoti Petrit Ymeri, pse “ADA” është jashtë këtij Panairi?!

 Roland Lushi-botues

 Më datë 12-16 nëntor 2014 hap siparin Panairi i Librit “Tirana 2014”. Ky është Panairi i 17 që zhvillohet radhazi në kryeqytetin shqiptar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë… Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore qe zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën Shqiptare. Në Panairin e 17 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, vendase e të huaja, Institucione të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin. Këto janë disa fraza nga njoftimi i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për panairin, të cilat nuk ke se si të mos i duartrokasësh… Po shtëpia botuese “Ada” përse nuk po duartroket!?? Nuk duartrokasim, sepse njoftimi është një butafori e shtirur, pas së cilës fshihen smira e keqdashja, interesi për vlerat monetare dhe jo për vlerat e vërteta letrare, tendenca dhe xhelozia, frika nga konkurrenca e ndershme dhe synimi për të shfaqur të fortin në kurriz të ligjit dhe normave të demokracisë, – thotë shtëpia Botuese Ada nga jashtë këtij Panairi. Është jashtë, jo se nuk ka pasur dëshire të jetë pjesëmarrëse por sepse ndonëse ka qene ndër të parat që ka bërë më shumë se një herë kërkesë, edhe me shkrim (Gusht 2014), për të pasur pavijonin e saj në hapësirat e bollshme të pallatit të kongreseve por është jashtë sepse Shoqata e Botuesve Shqiptar ose më saktë vet presidenti i saj Zoti Petrit Ymeri, e kanë refuzuar me arrogancë këtë kërkesë me të vetmin motiv se nuk paska vend. Çudi për tu çuditur! Nuk paska vend për shtëpinë Botuese ADA e themeluar që më 19 Mars 1999, pra për një shtëpi Botuese ndër të parat në historinë e botimeve shqiptare të pas ’90, me një numër botimesh qe ua kalojnë shumë shtëpive të tjera botuese, (mbi 1000 tituj të botuar, që me një llogari të thjeshtë i bie nga 80 tituj në vit), një shtëpi botuese, ku trokasin qindra autor të njohur e të rinj, ku shfaqen shkrimtarë të famshëm botëror nën përkthimet e penave të përkthyesve më të njohur shqiptar, një shtëpi botuese që boton me cilësi dhe më lirë se shumë të tjera simotra të saj, një shtëpi botuese që ka shtypshkronjën e saj e që nxjerre një revistë (Obelisk) mirëfilli letrare dhe artistike me fondet dhe forcat e veta. Një shtëpi botuese e licencuar dhe me kontrate të rregullt me Bibliotekën Kombëtare. Në festivalin e librit e të artit pamor dhe në Panairin e Librit në Vlorë (2014) organizatorët bënë njoftimin e na dërguan planimetrinë e vendeve ku do të organizoheshin veprimtaritë dhe tarifat përkatëse, gjë të cilën ja kërkuam edhe Shoqatës së Botuesve Shqiptar por asnjëherë nuk morëm përgjigje derisa morëm “Jo”-në përfundimtare. Pra zoti Petrit Ymeri, me një “jo” inatçore, ku dallohen qartë shenjat e xhelozisë dhe smirës, duke shkelur çdo etike marrëdhëniesh në këtë fushe, lë jashtë shtëpinë Botuese ADA, duke urdhëruar kështu ndalimin e 1000 titujve të librave të botuar, duke penguar komunikimin me lexuesin të qindra shkrimtarëve që kjo shtëpi botuese ua nxjerr librat në qarkullim. Dhe kjo shëmti ndodh brenda tempullit të kulturës dhe vlerave artistike siç mund të quhet një panair libri. I veshur me pancirin e kryetarit, Petrit Ymeri, ndjehet i zoti të marrë edhe shkopin e policit dhe t’i thotë ndal kujtdo, duke harruar se historia ka provuar që censura dhe koha e ndalimit me diktaturë ka perënduar një herë e mirë edhe në Shqipëri, sidomos kur bëhet fjale për librin dhe fjalën e lirë. Zoti Ymeri! Edhe duke lënë jashtë shtëpinë botuese ADA, juve nuk ja hiqni asaj hapësirat e natyrshme që tashme ajo i meriton. Dhe se fundi, nëse sinqerisht është mungesa e vendit, mospjesëmarrja jone në këtë panair, publikisht bëj kërkesën që sot për pjesëmarrje në panairin e ardhshëm, edhe me shpresën e zgjedhjes së një kryesie të re të shoqatës së botuesve shqiptar që të jetë më bashkëpunuese e transparente me shtëpitë botuese.