(Rreth librit “Histori e aventurave alpinistike”)
Imagjinata njerëzore qysh në kohët më të vjetra u ka ngritur kulte dhe i ka fetishizuar malet. Nuk është pa kuptim, ajo që në përfytyrimin e grekëve, Perënditë më të rëndësishme me Zeusin në krye, i kishin banesat e tyre të bakërta të ngritura nga Hefesti, në majën e Olimpit, pra rreth 3.000 metra të lartë, atje ku akujt dhe bora ishin të përjetshme. Edhe vetë poetët e muzikantët frymëzimin e kërkonin në masivin malor të Parnasit, ku jetonin muzat, madje dhe vetë Apoloni e Dionizi, dhe ku lindi ajo legjenda e bariut dhe e dhive që pasi thithën avullin që dilte nga shpella e malit, nisën të nxjerrin klithma të çuditshme, të cilat i identifikuan me profecitë, që edhe i nxitën të ndërtonin tempullin e Delfit. Dhe dihet si pasoi dëshira e papërmbajtur e njerëzve për të shkuar tak ai vend i shenjtëruar dhe për ta provuar vetë trallisjen që përjetoi bariu. Dhe qysh atëherë e sot e kësaj dite kjo dëshirë e njerëzve për të pushtuar malet dhe majat e tyre, ka ardhur duke u forcuar, aqsa nga nevoja për ta disiplinuar dhe për ta vënë mbi baza shkencore, lindi dhe sporti i alpinizmit. Pikërisht për këtë lloj sporti mjaft të vështirë që kërkon si përkushtim ashtu dhe sakrifica të mëdha, miku im i nderuar Aleksandër Bojaxhi, ka shkruar librin “Histori të aventurave alpinistike”, botim i “TOENA” në vitin 2009. Në vendin tonë, ku malet janë me shumicë, ndofta të gjithve na ka rënë rasti të bëhemi nga pak alpinistë. Kemi ngjitur pjerrësi malesh me dhe pa borë dhe e dimë sesa e lodhshme është kapja e një maje, ashtu sikurse kemi provuar dhe kënaqësinë që të jep pushtimi i lartësisë. Por vështirë ta marrim me mend lodhjen, stërmundimin dhe peripecitë, që kalon alpinisti i vërtetë, apo lumturinë që ndien ai kur arrin suksesin.
Ja, rreth këtyre kurioziteteve dhe pse jo edhe rreth këtij guximi, na flet Acua në këtë libër, ku thuhet se vetëm deri në vitin 2004, nga 1.700 alpinistë që ngjitën Everestin (8.848 m.), 200 gjetën vdekjen. Pra, për alpinistët nuk mjaftonka vetëm përgatitja fizike, profesionale e llogjistike, por u dashka edhe trimëria, këmbëngulja, vetmohimi e heroizmi. Falë këtyre cilësive dhe këtyre virtyteve, ata në sytë tanë marrin trajtat e njerëzve të veçantë që meritojnë gjithë vlerësimin dhe respektin tonë. Para sysh na dalin sa e sa amatorë e profesionistë, të pasur e të varfër, nga ata që synojnë famën dhe nga ata që mbajnë familjet me të ardhurat që sigurojnë sikurse janë sherpët, banorët e thjeshtë tibetianë që mbajnë me krahë ngarkesat, por prej të cilëve shumë u shquan si alpinistë të mirëfilltë. Ata, natyrisht që janë të ndryshëm nga njeri – tjetri, por dhe ngjajnë aq shumë sa nuk di si t`i dallosh, kur sheh përpjekjet mbinjerëzore dhe solidaritetin që tregojnë. Edhe historitë u përkasin jo vetëm njerëzve të ndryshëm, por dhe maleve të ndryshme, kohëve të ndryshme, mundësive të ndryshme e fateve të ndryshme. Them fateve, pasi disa kthehen shëndosh e mirë dhe mbulohen përjetësisht nga lavdia e disa të tjerë mbesin pa varr. Por një gjë është e vërtetë; ata ngjajnë si dy pika uji në luftën për të shtrirë poshtë këmbëve të tyre Xhomolungmën dhe majat e tjera mbi 8.000 metra apo ato të Evropës e kontinenteve të tjera. I parë kështu, ky libër sepse më kujton diçka nga ajo që thuhet për “Jetë fshati” e Amos Oz: “Në këtë libër ka gjithçka nga jeta mbi tokë, në këtë lloj jete ka njerëz dhe kafshë, me skena dhe piktakime mes qensh, të cilët, ku rastësisht e ku enkas, hyjnë në jetët e njeri – tjetrit. I shkruar kësisoj, çdo lexues ka të drejtë ta lexojë këtë vepër si një roman. Por “Jetë fshati” nuk është roman, por copëza të lidhura jete, që japin e marrin mes tyre si arterie të një trupi, të tilla që i japin atij jetën e një qenieje intriguese. Besnik i lojës së tij psikologjike, i vojtimit të karaktereve, i përshkrimit në detaje të jetës dhe natyrës, të veshura të gjitha me sfond historik të kohës në të cilën jeton.” Natyra ka tekat dhe të papriturat e veta të egra dhe mësë shumti të paparashikueshme.
Por njëkohësisht, mes saj dhe njeriut ka një harmoni e dashuri të çuditshme. Dhe ndofta pikërisht këtu qëndron vetë madhështia e jetës. Vdiqën shumë guximtarë për ta pushtuar një mal; por askush nuk mallkoi as mungesën e ajrit, as të ftohtit, as stuhinë, as ortekun, as pjerrësinë, as akullin e as dëborën. I pari që ngjiti Everestin në Maj të vitit 1953 së bashku me sherpin nepalez Tencing Norgey, pra Hillari, kur u kthye nga ajo lodhje raskapitëse, tha si me shaka: “Mirë George, ne e hodhëm poshtë bastardin.” Por s`kaloi shumë dhe u bë pishman, duke thënë se nëna e tij nuk do të pajtohej në asnjë mënyrë me gjuhën që përdori. Dhe janë frymëzuese fjalët e Hallit që po vdiste, pasi pak më parë i kishte vdekur shoku i tij Hanseni, kur i transmetonte në radio të shoqes; “Fli mirë zemra ime. Të lutem mos u shqetëso shumë.” Të tjerët pas tyre me të njëjtin hov, vijuan të ecin më tutje sipas mësimit të Platonit që thosh se nga kënga jote e coptuar, brezi tjetër që vjen pas, të njohë të vërtetën. Dhe s`ka gjë më të bukur se përgjigja e G. Mallorit që kur e pyetën se përse kërkonte të ngjitej në Everest, tha fjalët e arta: “Sepse është atje!” Dhe mendoni tani: ai vdiq në kreshtën prej 8.500 metra të Everestit pas një viti, por fjalët e tij u bënë moto e të gjithë alpinistëve. Kjo është përjetësia. Ajo lloj përjetësie që mrekullisht e shpreh Niko Kaxanxaqis tek “Udhëtim në malin e shenjtë”: “…e kuptoj ama, arsyen, përse shpirtat e mëdhenj duhet të mos vdesin, duke u shkëputur prej shpirtit.” Që nga 8 Gushti i vitit 1796 që mbetet dita e lindjes së alpinizmit, pra kur u pushtua Mont Blanc nga Balma dhe Pakardi ka kaluar një kohë e gjatë. Historia e alpinizmi është mbushur me ngjarje jo thjesht interesante, por edhe nga ato që të bëjnë të ndihesh krenar. Se nuk ka sesi të mos ndihesh i tillë, kur sheh se njerëzit arrijnë të bëjnë mrekullira, gati – gati të pabesueshme, vetëm e vetëm për t`i paraprirë njohjes, zhvillimit e përparimit të shoqërisë. Ishin këto përpjekje mbinjerëzore që u arrit të pushtohen të gjithë malet, madje edhe ato të katërmbëdhjeta që duke qenë mbi 8.000 metra, flirtojnë me retë. Ne, qoftë dhe për kulturë, nuk i kemi njohur këto male, por Aco Bojaxhiu me pasionin e tij të rrallë për këtë sport dhe me njohuritë e tij të thella për gjeografinë dhe historinë e shkencën në përgjithësi, na i jep të gjalla. Dhe jo vetëm kaq; por edhe gjithçka u bë nga pararendësit tanë dhe ç`bëjnë ata të ditve të sotme në këtë drejtim, ku një rëndësi të madhe marrin teknikat dhe taktikat që duhen përdorur për t`i ngjitur me siguri për jetën. Ai, na i përshkruan me imtësi mjetet që përdoren për këtë qëllim si litarët, kthetrat, plengat, karabinat, shkallët, capanet, bërroret, majthit, çadrat, bombolat etj. etj. Ai jep dhe këshilla nga përvoja personale, ku dallon porosia e mençur se: “Nëse një ditë do të keni rastin të shkoni për të ngjitur një majë mali diku në botë … (ai) do t`ju pajisë me përvojë të shumanshme përpjekjesh, lavdie dhe disfatash, do t`ju njohë me banorë vendesh të thella, të largëta nga qytetet dhe qytetërimi. Përjetimi që do të kaloni do t`ju bëjë të kuptoni se maja e malit për të cilin keni marrë udhëtimin e largët e të ëndërruar do të bëhet jo dhe aq e rëndësishme sa ishte kur u nisët. Kjo ngaqë do të mësoni shumë nga kulturat e njerëzve që do të takoni dhe kështu do të zbuloni se të gjithjë jeni i njejti realitet, i cili e bën racën njerëzore një familje të pafundme me vëllezër e motra.” Intelektual dhe sportist i klasit të lartë, Aleksandër Bojaxhiu, mbetet një njeri mjaft modest. Teksa e përgëzoja për librin, ai urtësisht më tha: “Më duhet të pohoj, ashtu si Stendali, që i thosh Balzakut, se nuk jam i sigurt nëse kam talent të më lexojnë. Unë vetëm kënaqem pa masë kur shkruaj. Kjo është e gjitha.” Po, kjo është e gjitha miku im i vjetër Aleksandër, por nuk është pak. Ky libër i shkruar me aq kompetecë dhe kaq artistikisht, jo vetëm të nderon ty, por dhe i bën një shërbim të çmuar sportit shqiptar. Ai jo vetëm shuan kurreshtjen e lexuesve, jo vetëm zgjeron njohuritë e tyre, jo vetëm u vlen si manual alpinistëve, por dhe i nxit të rinjtë ta dashurojnë dhe praktikojnë këtë sport force, karakteri, vullneti e burrërie. Se njerëzit përherë do kërkojnë të ngjiten atje lart për të kuptuar misterin e atyre klithmave që shkaktonte avulli i asaj shpellës së malit mitologjik.