Shkrimtarit Ismail Kadare i jepet nënshtetësia e Kosovës, Presidentja Osmani nënshkruan dekretin

64
Sigal

Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar sot dekretin me të cilin shkrimtarit, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Sipas Presidentes Osmani dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Dekreti i nënshtetësisë, Kadares do t’i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Në qershor të këtij viti, presidentja Osmani, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.