Golik Jaupi: Enveri ka bërë epokë, na nxori në dritë dhe nuk e shiti kurrë Shqipërinë siç po bëhet sot. Ai dhe Mehmeti më thanë: Kur jemi të sëmurë na shëron kënga jonë labe

1318
Sigal

Albert Z. ZHOLI

Goliku ka në repertorin e tij mbi 600 këngë polifonike një pjesë të të cilave i ka krijuar vetë. Mësuesi i tij i parë për këngën labçe ka qenë, ishte Etem Paza, i cili jeton edhe sot. Atëherë Goliku ishte pionier, pra në hapat e para, ndërsa në festival ka dalë në 17 janar të 1067-ës. E mban mend që u bë një festival në nder të 500-vjetorit të Skënderbeut. Ishte një festival zonal, pra jo në rang kombëtar. Por dalja në skenë për të parë ka qenë mjaft emocionuese dhe e vështirë, aq më tepër të dilje të interpretoje përpara udhëheqjes së asaj kohe. Ishte tetor të 1964-ës dhe inaugurohej Pallati i Kulturës. Në të asistonin profesorë, doktorë e studiues mjaft të njohur si Zihni Sako e Çezar Dea ndërsa në skenë qëndronin tre udhëheqësit e qeverisë Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Behar Shtylla. Për Golikun ajo ditë ishte si të kishte qenë përballë një popull i pafundmë. Drejtuesit e Pallatit e të Komitetit i thanë që duhej të këndonte me kurajo: “Sepse ti je një djalë i talentuar dhe ke një grup të mrekullueshëm që të shoqëron, ndaj na ndero”. Sigurisht, ajo ditë ka qenë ditë mjaft e lumtur sepse i solli fat në karrierën e jetës. Në vitin 1972 grupit të tij ju afrua dhe princesha e këngës labe Paro Ziflaj. Dalja e Paros ka qenë një thyerje e tabuve. Ajo me zërin e saj brilant përshtatej shumë me zërin e tij, sikur të ishin nga një nënë, pra kishim një zë të binjakëzuar, ku të dy bashkë i dhamë një impuls grupit të Bënçës.

 

 -Para disa javësh Goliku ka marrë titullin “Mjeshtër i madh”, si jeni ndjerë dhe kujt ja dedikoni këtë titull të lartë?

-Ku titull është meritë e punës dhe këngës 45-vjeçare të grupit polifonik të Bënçës, një grup që ka lënë gjurmë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me këtë grup ne kemi kënduar që nga 1970 në të gjitha Festivalet e Gjirokastrës por edhe në shumë aktivitete të tilla në Shqipëri. Për më tej grupi i Bënçës ka kënduar në më shumë se 50 vende të botës, ku të gjithë specialistët e polifonisë janë befasuar, janë shtangur dhe në shikonin me kërshëri. Pra janë mbi 400 këngë të kënduara dhe të krijuara nga unë dhe grupi që i kemi kënduar kudo që jemi ftuar. Në shumë vende ne jemi kthyer disa herë për ta përsëritur këngën që prezantoheshim. Pra këtij grupi, zërit të tyre dhe zërit tim ja dedikoj këtë titull.

Cila është kënga e fundit që ka krijuar dhe kënduar grupi famoz i Bënçës?

Kënga e fundit që ne kemi kënduar është “Besa e labit”. Kjo këngë i kushtohet trevës sonë, luftëtarëve të saj për liri dhe pavarësi, i kushtohet trimave të saj, njerëzve të ditur të penës së kësaj treve që ka qenë shpëtimtarja e Shqipërisë në shumë raste. Për herë të parë kjo këngë është kënduar në 70-vjetorin e poetit himarjot Lefter Çipa.

I kujt është teksti i kësaj kënge?

Këtë këngë ne e bëmë vetë si grup, nga poezitë e shumë poetëve dhe dijetarëve që kanë folur për Labërinë. Pra mblodhëm vargjet në të bukura që i janë kushtuar Labërisë dhe i bëmë një këngë. Pra mblodhëm vargje nga Dritëro Agolli, Maliq Lila, Petrit Ruka, Ismail Dora por dhe vargje nga të miat…. “Besa jonë rron sa guri/ sa rron kombi dhe flamuri/ besa e shqipes, besa e burrit/ Besë në themele guri.

Ky tekst ka figuracion, ka poezi, ka letërsi, ka domethënie. Po për testet e këngëve sot ç’ mund të na thuash?

Sot nuk ka tekste, sot ka fjalë. Aty nuk gjen asnjë fjalë që të të mbërthejë dhe të të bëjë të shtangesh. Sot tekstet janë më shumë fjalë dëshirash të individit pa fabul, pa origjinë, pa mesazh, pa fjalë të ëmbël dhe tronditëse. Poezia është fjala më e bukur e kthyer në art. Ku i gjen këto vargje tek shumë këngë sot?  Ja, ti i dëgjove ato pak vargje të këngës së fundit. Ato të çojnë në qiell. Të mbërthejnë. Tekstet e sotme janë thjesht për argëtim dhe është turp t’i çosh në skenat serioze apo të botës ku bëhen konkurrime dinjitoze. Pra, bëhen tekste për tekste, tekste pa shtyllë kurrizore, tekste pa e ngjyer lapsin mirë, tekste pa e çuar fjalën në art. Ato tekste i bën çdo njeri që ecën në rrugë çdo njeri që nuk mendon dhe nuk e njeh poezinë mirë.

 

Ju jeni bërë me famë në regjimin komunist për këngën që keni kënduar për Enver Hoxhën, jeni penduar që e keni kënduar atë këngë?

Në asnjë mënyrë nuk jam penduar. Madje ndihem shumë krenar që e kam kënduar. Edhe sot drithërohem kur e këndoj, pasi ajo këngë kishte një tekst që të çon në magjinë e fjalës së bukur. Për mua Enveri ka bërë epokë, se na nxori në dritë dhe nuk e shiti kurrë Shqipërinë siç bëhet sot. Unë madje e them me mburrje se e këndoj me po aq patos edhe sot kur ma kërkojnë. Ai ishte burrë shteti me të mirat e të këqijat e tij, por që artin, kulturën këngën e lartësoi deri në qiell. Nuk ka pasur kënga shqiptare atë fuqi, atë emër sa në atë kohë. Ky është mendimi im. Nuk dua të ndikoj tek askënd. Mendimi im personal.

Jua kanë kërkuar këtë këngë ta këndoni jashtë?

Ju nuk do ta besoni, por është nj e vërtetë absolute. Këngën për Komandantin (kështu i thërras unë) ma kanë kërkuar ta këndoj në Kosovë, Izrael, Gjermani, Francë, Belgjikë. Për çudi edhe ata që ka kanë kërkuar jashtë kështu më thoshin këngën e Komandantit. Edhe unë disa herë bëja sikur nuk i kuptoja dhe i ripyesja për Presidentin sot? Ata qeshnin dhe më thoshin, jo ore jo për këta sot, Komandant ka vetëm një, Enveri, ai që na çliroi.

Ndoshta kjo nostalgji për të vjen nga momenti që ai qau kur ju kënduat këngën e tij në Pallatin e Sportit “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”?

-Mbase, por besoj nuk është vetëm kjo. Ky mbase ishte një moment, pasi të gjithë thoshin Enveri nuk ka qarë as kur i janë vrarë shokët në luftë, as kur ka kaluar situata të vështira. Por ndoshta njeriu sado i madh qoftë ka momentet e tij prekëse. Ishte ndoshta teksti, brohoritjet në Pallat të Sportit, ndoshta dhe jehona e këngës dhe të gjitha thanë që është hera e parë që Enveri qan. Kjo edhe në gëzoi por edhe na bëri të stepeshim pasi nuk donim ta shihnin atë burrë të qante. Por dhe ai njeri ishte dhe kishte dobësitë e veta. Shqipëria nëna e gjirit, të uron bir jetë të gjatë/ Dhe kur thotë dita njëmijë/ nënës prapë i duket pak ….Por ndoshta ka qarë dhe kur ka dëgjuar emrin e nënës, pasi siç na ka thënë vetë apo siç thoshin të gjithë ka pasur një dobësi të madhe për nënën e tij.

 Kur jua ka shprehur këtë dashuri për nënën Enveri?

-Grupi ynë që nga viti 1968 i ka shkuar në vijimësi në shtëpi ditën e lindjes, pra më 16 tetor. Na bënte pritje të veçantë pasi e donte shumë këngën labe. Në këto biseda na thoshte se nënën se kam dashur vetëm si nënë, por e kam dashur dhe si qenie njerëzore. Për mua na thoshte nëna mbetet Perëndi mbi perëndi. Pra mbase ishin këto dy linja teksti dhe përmendja e emrit të nënës që e bënë Enverit të qante. Por edhe Nexhmija na e thoshte se Enveri e ka dashur shumë nënën.

Po në kohën e demokracisë a e ke takuar ndonjëherë Nexhmijen?

Po e kam takuar, madje shumë herë. Por momentin më të vështirë e kam pasur kur kam shkuar ta takoj në burgun e Bënçës, në vitin 1993. Atë vit unë kisha shkuar për një koncert në Gjermani. Pas koncertit ata më ftuan veç t’i takoj. Shkova. Në fund të bisedës ata më thanë ne do të japim ca lekë dhe duam patjetër duhet t’ia japësh Nexhmije Hoxhës. Ishin studentë nga Duseldorfi dhe Hamburgu. Patjetër u thashë vetëm vulosini dhe bëjeni sa më të sigurt zarfin. Se çfarë keni brenda dhe sa keni nuk dua t’ ia di. Sa mbërrita në Shqipëri të nesërmen shkova në burgun e Bënçës dhe takova Nexhmijen. Sapo e takova ia dhashë. Sot të takoj këtu por për mua Shtëpi e Perëndisë ka qenë shtëpia e Enverit në Tiranë. Unë kam qenë edhe në Qabe, edhe në Jerusalem, pra tek shtëpia e Muhametit dhe shtëpia e Krishtit por asnjë nga këto nuk ishte si shtëpia e Enverit. Këtu ke një porosi nga disa studentë kosovarë në Greqi. Nuk di çfarë ka por ma lanë amanet. Unë po e çoj në fund amanetin e tyre. Me keqardhje të them se kur e pashë një emision televiziv në fund të bisedës i tha popullit Lamtumirë. Mund të them se aty ku ajo jeton sot jetojnë shtresa më e varfër e popullsisë shqiptare. Çfarë vodhi Enveri?

Sot polifonia dhe kënga popullore po mbytet nga turbofolku, cili është mendimi juaj?

 Ky është një shqetësim i madh për folklorin shqiptar. Këngët më të bukura polifonike apo popullore sot janë ripunuar dhe ribërë sipas kësaj rryme, ku kënga jonë e bukur duket si e rrjepur. Ky nuk është turbofolk por turpi i flokut shqiptar. Nuk ka asgjë të përbashkët me folkun tonë. Ne po ngatërrojmë këngën tonë me këngët e huaja, pra është njëlloj sikur gjuhën tonë ta përziejmë me një gjuhë apo me disa gjuhë të tjera. Askush nuk ka për ta njohur. Në ato këngë nuk merret vesh çfarë është, anglisht, turqisht, rumanisht pasi vetëm muzikë shqiptare nuk është. Gjuha, flamuri janë dy nga shenjat dalluese të nj kombi, ahere me këto rryma si do dallohet muzika e mirëfilltë shqiptare? Ne kemi një gjuhë shumë të bukur që nuk na e shuan dot perandoritë që na pushtuan. Ne kemi veshjet popullore nga më të bukurat në botë, kemi polifoninë më të bukur, pra kemi veçori që nuk i ka asnjë në botë, ahere, këtë pasuri që na e transmetuan të parët tanë në shekuj, që e ruajtën me fanatizëm si të shenjtë, përse ne tani në demokraci po e shkelmojmë? Këngën labe nuk e gjen as në Hënë. Turbofolku, as nuk këndon, as ka tekst, as të përcjell mesazh, as nuk dëgjon vargje, Turbo do të thotë turbullirë. Pra këtë mesazh marr unë nga turbofolku. Unë do të të them diçka që nuk e beson….

Me se ka të bëjë kjo që do të më thuash?

Ka të bëjë me forcën dinjitetin, burrërinë dhe ndjeshmërinë e këngës labe. Ma ka thënë dhe Enveri dhe Mehmeti, që kur jemi sëmurë apo nuk jemi në qejf, ne dëgjojmë këngë labe. Por e ka thënë dhe vetë Noli i madh “Kur të vdes, më këndoni një këngë labe”.