Sejmen GJOKOLI*/ Trashëgimia kulturore dhe dimensioni i munguar 

562
Sigal

Ajo të konsiderohet edhe si një dimension i rëndësishëm i kohezionit social të shoqërisë

Nëse Kombi ynë shënjon për disa vlera dhe pasuri dalluese mes kombeve të tjerë duhet të pranojmë se në këtë realitet Trashëgimia Kulturore  ka vendin e vet të padiskutueshëm. Rrallë vende e kanë me kaq tepri këtë pasuri publike, në raport me popullsinë dhe territorin, edhe pse jo e gjitha është zbuluar e vendosur në fondin e shtetit.  Historia e lindjes dhe zhvillimit të një kombi, rruga e bërë prej tij në shekuj nuk mund të konceptohet pa vlerat që mbart Trashëgimia Kulturore, si ajo shpirtërore ashtu edhe ajo materiale. 29 shtatori daton si Dita e Trashëgimisë Kulturore dhe sa herë vjen kjo ditë, sidomos ata që merren drejtpërdrejt me ‘të apo edhe të tjerë të interesuar , kthejnë kokën e shtojnë përqendrimin. Flitet ca më shumë se në ditë të zakonshme, por edhe zhvillohen aty – këtu disa veprimtari, në më të shumtën e herëve simbolike, si për ta vendosur këtë fushë në qendër të opinionit publik.  Pastaj ndonjë ekspozitë apo aktivitet pompoz në një nga objektet e listës së inventarit dhe më tej ca lajme të emetuara në ekranet e TV. Kështu ka ndodhur dje thuajse kështu edhe sot ndonëse, për të qenë korrekt, në këtë faqe viti është folur ca më shumë rreth kësaj fushe e duket se ka një kënd vështrim më optimist. Kur them është folur edhe është vepruar me disa iniciativa apo edhe aktivitete të munguara më parë e ku disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore duket se kanë dalë mbi “ujë”  sidomos në disa qytete, të cilat edhe më parë kanë patur përvojë pozitive.

 Por, në këtë shkrim, për një tjetër gjë duam të flasim

Krahas vlerave dhe misionit tanimë të njohur duket se ka ardhur koha që Trashëgimia Kulturore të konsiderohet edhe si një dimension i rëndësishëm i kohezionit social të shoqërisë dhe i zhvillimit kulturor e ekonomik të saj.   Është fjala për rolin që duhet të marri kjo fushë e sidomos shumë prej objekteve të Trashëgimisë Kulturore të klasifikuara apo që mbajnë statusin “ Monument Kulture” në zhvillimet sociale dhe ekonomike të banorëve dhe zonave apo territoreve ku shtrihen këto pasuri materiale e shpirtërore.  Kam krijuar bindjen se ndërkohë që në shumë fusha të jetës me kohë janë bërë e po bëhen përpjekje për t’ju përshtatur ekonomisë së tregut, në fushën e Trashëgimisë Kulturore duket se vazhdohet me të njëjtën qasje si në kohën e sistemit ekonomik të centralizuar. Ndërkohë, harrojmë se ai sistem, qoftë edhe për interesa të propagandës, kur vinte puna tek pasuria shpirtërore apo materiale, e derdhte “qesenë”. Ndonëse në inventarin e institucioneve rajonale që menaxhojnë këto pasuri gjenden listat e tyre e për shumë ndër to edhe database me të dhënat gjeo – historike ato vazhdojnë të trajtohen si stoli apo sikur janë zbuluar e ruajtur për tu vendosur në “muze” apo për të mbajtur disa njerëz në punë. Përvoja gati njëzetvjeçare që kam patur rastin të fitojë si rezultat i menaxhimit të disa prej vlerave të qenësishme të trashëgimisë kulturore shpirtërore më kanë krijuar mundësinë të njoh dhe të krijoj një lidhje të pa zgjidhshme edhe me vlera të trashëgimisë kulturore të fushës materiale. Kam parë me sy e kam dëgjuar nga afër se si në Europën që presim të integrohemi, në mjaft shtete e qytete të saj, trajtohen, ruhen e promovohen vlerat e Trashëgimisë Kulturore materiale si kala, parqe arkeologjike, shpella, monumente kulti, banesa karakteristike etj.. Kam parë e kam vizituar mjaft monumente kulture që  “mbrohen nga shteti”   në Itali, Poloni, Kroaci, Spanjë, Lituani, Moldavi, Turqi, etj dhe gjithmonë kam menduar: po ne kur do t’i bëjmë vlerat tona materiale apo shpirtërore qofshin, të  klasifikuara “monumente të trashëgimisë kulturore” apo “ kryevepra të njerëzimit”, prona të qytetarëve e vizitorëve të ndryshëm e, më kryesorja kur këto pasuri do ti orientojmë drejt   zhvillimeve të dukshme social – ekonomike të territoreve e banorëve të tyre.  Duhet ta themi hapur se shumë prej këtyre monumente deri sot, thuajse, konsiderohen vetëm “pronë” e  arkeologëve dhe specialistëve të fushave kërkimore e shkencore ndërkohë që duhet të kthehen tërësisht në funksion të publikut e vizitorëve, vendas apo të huaj, për të mësuar e parë me sy historinë dhe lashtësinë tonë si vend e si popull por edhe të kenë një impakt pozitiv në zhvillimet rajonale.

Në fakt duhet të pranojmë se Shqipëria e ka një model: Parkun Kombëtar të Butrintit.

Aksesi i krijuar në këtë Park Arkeologjik për publikun, por edhe infrastruktura e realizuar është një shembull por dhe një përvojë se si duhet të veprohet për zbulimin, ruajtjen dhe menaxhimin e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.   Por këtë konstatim nuk mund ta përgjithësojmë edhe për mjaft objekte të tjera , madje nuk mund ta themi as për objekte me vlera të jashtëzakonshme si qytete antike, parqe arkeologjike, kala me emër etj. Kam krijuar përshtypjen se Monumenteve të Kulturës, në Qarkun e Vlorës bie fjala,  do tu kthehet shkëlqimi i munguar vetëm atëherë kur të mendohet e punohet që këto objekte të vihen në funksion të gjallërimit real të zonave ku shtrihen dhe, banorët për rreth në radhë të parë, të bëhen përfitues të këtij zhvillimi. Aksesimi përmes rrugëve dhe infrastrukturës së domosdoshme, deri sot të munguar apo të cunguar keqas, duhet pa tjetër të shikohet si pjesë e domosdoshmërisë së këtij zhvillimi. Kjo , natyrisht, mbetet sfidë e politikave të institucioneve qendrore të shtetit në fushën e Trashëgimisë Kulturore dhe një nga prioritetet e rëndësishme që mund të realizohet jo  vetëm në bashkëpunim por edhe si detyrim ligjor me pushtetin vendor në territorin dhe juridiksionin e të cilëve gjenden këto pasuri kulturore. Ndarja e re territoriale, zmadhimi i sipërfaqeve të njësive vendore por edhe kompetencat e shtuara të pushtetit në këto njësi, lypset të çojë drejt një sjellje të re edhe ndaj pasurive të Trashëgimisë Kulturore që ndodhen në këto zona. Besoj ka ardhur dita që t’i jepet fund këtij centralizimi të tejskajshëm e fare të pa kuptimtë që ekziston sot në fushën e Trashëgimisë Kulturore ku thuajse mungon fare aksesi i pushtetit lokal ndaj pasurive që ndodhen në territorin nën juridiksion të tyre dhe vet legjislacioni në fuqi duket se i ka përjashtuar organet vendore nga menaxhimi e administrimi i tyre. Asnjë herë deri sot këto pasuri e vlera të qenësishme historike e kombëtare nuk janë parë nga politikat lokale si asete që, krahas investimeve e kujdesit shtetëror, shumë mirë mund të investohet jo vetëm për ti ruajtur e mirëmbajtur por edhe për ti shfrytëzuar si kapitale qarkulluese. E nëse njësitë e reja administrative priten të kenë një impakt krejt tjetër në raport me administrimin dhe menaxhimin e territorit kjo duhet të çojë natyrshëm edhe drejt një qasje të re ndaj pasurive të Trashëgimisë Kulturore. E para, lypset që këtyre monumenteve tu mundësohet “a”-ja e ekzistencës së tyre, deri sot thuajse e munguar, infrastruktura qarkulluese dhe, së dyti, kthimin e këtyre objekteve në mundësi  vizitash e kontaktesh përmes aktiviteteve të herë pas hershme të instaluara e të shtrira gjatë gjithë vitit. Ndërtimi i infrastrukturës qarkulluese në çdo e për secilin objekt me status “Monument Kulture”  mbetet nga problemet ende të pa zgjidhura,ndërkohë që infrastruktura qarkulluese për në objekte e brenda tyre kërkon të realizohet, madje edhe me standarde, për të patur aksesin e lëvizjes edhe për target grupe vizitorësh me aftësi të kufizuara. Hartimi i agjendave të veprimtarive me karakter kulturor, promovues apo turistik si dhe ato me karakter tregtar, kryesisht me prodhime e punime tradicionale, me siguri do të krijojnë një marrëdhënie te re të banorëve me këto objekte. Kështu mund të ndodhë me Qytetin e  Orikut, në Orikum ; Qytetin e Amantias, në zonën e Sevasterit; Kalanë e Kaninës , në Kaninë, në Kishën e Shën Mërisë, në ishullin e Zvërnecit etj.. Ndërkohë që, bregdeti i Orikumit për çdo vit e më tepër po kthehet në një destinacion të dukshëm turistik, instalimi i aktiviteteve kulturore, pikërisht në amfiteatrin e Orikut, do ta shtonin edhe më tepër bukurinë dhe atraktivitetin e këtij rajoni. Siç do të shërbenin edhe aktivitete të ndryshme, festivale apo panaire të shumëllojshme, për të gjallëruar sado pak një zonë të tillë si ajo e Kudhës- Gërhotit (Sevasterit) përmes menaxhimit të një qyteti antik të jashtëzakonshëm si Amantia. Mund të sillja në këtë trajtesë të shkurtër shumë shembuj se si në të tjera vende të Evropës apo edhe më gjerë pasuritë e trashëgimisë kulturore kanë çuar në zhvillime të dukshme social ekonomike por le të mjaftohem vetëm me dy, ndër ta. Vetëm 70 km nga Izmiri dhe rreth 20 km nga Efesi ndodhet shtëpia e Shën Marisë, vendi, ku kjo shenjtore kaloi ditët e fundit të jetës së saj. Çdo ditë dhe pa prerë kjo shtëpi –kishëz e vogël pret e përcjell qindra  vizitorë nga çdo anë e botës. Dhjetëra autobusë në dispozicion të turistëve që vijnë me kroçera e që s’mund ta kuptojnë udhëtimin në brigjet e Turqisë pa prekur nga afër  shtëpinë e Shën Marisë. Një zhvillim i mahnitshëm përmes një infrastrukture të gjerë në shërbim të turistëve ardhur përmes qarkullimit të njerëzve e shërbimeve. Nuk po flas për menaxhimin e Efesit, ajo është industri më vete turistike, thjesht për një shtëpi të vogël e kthyer në një kishë që për nga konstruksioni as mund të krahasohet më Kishën e Shën Mërisë tonë në ishullin e Zvërnecit. Por ndërsa aty në shtëpinë e largët të Shën Marisë së brigjeve të Detit të Zi infrastruktura të lejon të parkohen pa fund autobusë e automjete, në “shtëpinë” e Shën Mërisë tonë, brenda ujërave të Adriatikut, në një mrekulli të vërtetë shqiptare, nuk mund të shkojë pa lere të parkohet qoftë dhe një autobus i vetëm.  Tjetër. Vetëm pak vite të shkuara gjatë pjesëmarrjes në festivalin folklorik  të Pirenejve në pjesën franceze, organizatorët, në axhendën e aktivitetit kishin programuar performancë në një zonë  diku qindra kilometra nga ku organizohej festivali.  Dita e “Derrit të egër”,- kështu e kishte emrin aktiviteti apo festa që zhvillohej në zonën që konsiderohej pasuri natyrore, diku në Kastelanjë të Francës. Menduam se do të ishte ndonjë park me derra të egër e do të shikonim nga afër këtë kafshë të rrallë. Përkundrazi asnjë të vetëm nuk pamë gjëkundi, vetëm gjatë servirjes së drekës do të kishim rastin të provonim një thelë mishi sa “dy gisht”. Siç mësuam për këtë “dy gisht” mish vinin atë ditë në festë, në parkun më pyje, me mijëra banorë, duke u bërë pjesë e një industrie të tërë biznesi me produkte të ndryshme të zonës e duke e kthyer pyllin në një panair të stërmadh natyror. Kështu të tjerët edhe kur si kanë i sajojnë vendet, historitë e legjendat, ne i kemi me tepri; edhe vendet me histori,edhe vendet si pasuri me traditë e trashëgimi dhe fare pak i shfrytëzojmë.  Më shumë i mbajmë e i trajtojmë si stoli.   Dhe, së fundi: si inxhinier miniere, njoh e di mirë se nëntoka mban e ruan pasuri të çmuara që gjithmonë duhen zbuluar ndërsa si i apasionuar me vlerat e trashëgimisë kulturore kam bindjen se ora e nxjerrjes se pasurive kulturore nga guidat e fjetura, në mjedise të vizituara, të populluara e të mirë menaxhuara, ka ardhur.  Por, duket se koha ka ardhur që këto pasuri t’i kthejmë edhe në fuqi e mundësi zhvillimi si një kontribut i drejtpërdrejtë në përmirësimin e kohezionin social e ekonomik të shoqërisë. Zhvillimet pozitive që kanë filluar  të ndodhin në të gjithë vendin në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës,kryesisht asaj turistike, duhet t’u përgjigjen edhe zhvillimet në objektet dhe pasuritë e trashëgimisë kulturore që ngarkohet me ligj të menaxhohen nga struktura të posaçme të shtetit e pushtetit, por edhe nga vetë shoqëria civile.

   *Autori i diplomuar Master  në “Menaxhim Arti”