Sejmen Gjokoli/ Kush kërkon të tallet me kryeveprën shpirtërore?

978
Afro dy javë të shkuara në “ Telegraf”, në shkrimin me titull “ Kryevepra jonë dhe shteti dorë jashtë”, trajtova jo pa shqetësim indiferencën e institucioneve përgjegjëse rreth përkujdesjes ndaj, një prej dukurive më të jashtëzakonshme shpirtërore të popullit tonë siç është polifonia.
Përkimi në këtë vit, madje më saktë në datën 25 nëntor, me 10 vjetorin e shpalljes së Iso-polifonisë “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, natyrisht të nxit që edhe pritshmëria të jetë edhe më e madhe sidomos për Festivalin Kombëtar Tipologjik të Iso-Polifonisë, një nga aktivitetet në axhendën e përvitshme të MK.
Meqenëse deri ditën e botimit të artikullit në fjalë nuk kishte “asnjë fjalë e asnjë letër”, nisur edhe nga përvoja e puna e madhe që kërkon organizimi i një aktiviteti me përmasa kombëtare e mbi të gjitha duke ditur qëllimet apo objektivat që duhet të përmbush një aktivitet i tillë, e konsiderova formale e gati të pamundur mbajtjen e tij. Kështu mendova unë, por ç’thotë njoftimi që përcillet përmes Buletinit të MK. Duke lexuar këtë njoftim mëson se, jo në datën 25 deri në 28 si është zhvilluar vite më parë, por edhe më afër, 20 deri 21 nëntor, pesë ditë përpara ditës simbol të njohur nga UNESCO, do të mbahet këtë vit festivali.
Për të qenë sa më i saktë në trajtesën e mëposhtme po citoj njoftimin që na jepet nga Buletini i MK, ku mes të tjerash shkruhet : “Qendra Kulturore e Veprimtarive Folklorike Tiranë në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë, me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Iso-Polifonisë si “ Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO do të organizojë një Festival Tipologjik Kombëtar të Iso–Polifonisë…në datat 20 dhe 21 nëntor 2015 në Vlorë”.
Deri këtu njoftimi që përcillet përmes kanaleve të informacionit të MK duket korrekt, mbasi para së gjithash tregon se, ky aktivitet mbetet në axhendën e dikasterit të vetëm politikbërës të kulturës. Halli mbetet tek institucioni i vetëm zbatues e zhvillues i këtyre politikave. 
Jemi vetëm një ditë përpara mbajtjes së festivalit dhe asnjë shenjë për be, në qytetin e Vlorës. Asnjë poster i vetëm, asnjë banderolë, asnjë program i afishuar, asnjë ftesë. Në Bashkinë e qytetit të thonë se, drejt QKVF, vetëm pak ditë më parë kanë nisur një shkresë me emrat e dy punonjësve të kulturës për të qenë në komisionin organizator dhe një listë tjetër me grupet polifonike që gjallojnë në territorin e kësaj bashkie. Kuptohet emrat duhen për të qenë në rregull me shkresat, e si duket për të thënë që, “edhe komisionin organizator e kemi”. Pyesim në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Vlorës, madje specialistin e trashëgimisë shpirtërore të ngarkuar dhe që paguhet drejtpërdrejt për këtë punë. Asnjë fjalë, veç habisë dhe dëshpërimit për këtë anashkalim flagrant që QKVF i ka bërë atij personalisht dhe institucionit ku punon. Dhe që në njoftim ky institucion, si edhe bashkia e qytetit afishohen si bashkorganizatorë të festivalit. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur mëson se, ky specialist ka një bagazh dhe përvojë të konsiderueshme në organizimet e aktiviteteve kulturore e artistike, i njohur brenda dhe jashtë qytetit të Vlorës. Një nga të paktët specialist profesionist të fushës së muzikës, që aktualisht gjendet në qytetin e Vlorës. Thonë se me dikë tjetër, as nga bashkia e as nga ata që shteti paguan me taksat e veta për menaxhim të kulturës nuk është lidhur në Vlorë QKVF. 
Përkundrazi duket se festivalin e ka futur në “muze” si të ishte relikte dhe sikur Vlorës i mungojnë burimet njerëzore.
Nuk do t’i kisha shkruar këto radhë, nëse nuk do shikoja jo vetëm formalizëm, por tallje të vërtetë me pasurinë tonë shpirtërore.
Se menaxhimi i vlerave të pasurisë tonë shpirtërore nuk mund të konsiderohet si të menaxhosh, bie fjala tregtimin e makinave që i vure tabelën “shitet” dhe tutje.
Ndërkohë që grupe dhe shoqata me emër e kontribute, madje edhe me produkte mjaft cilësore jo vetëm në jetën koncertore brenda e jashtë vendit, por edhe në prodhime CD e DVD, nuk janë konsideruar e as denjuar të njoftohen. Dhe kjo ka ndodhur në Vlorë, por edhe në Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Mallakastër, Skrapar, Përmet, Korçë e në të gjitha trevat, ku lëvrohet kënga me iso.
Thonë se, “ me porosi nga lart (QKVF) e me iniciativë nga poshtë(koordinatori i përzgjedhur nga QKVF) janë njoftuar disa grupe aty-këtu, që të marrin kostumet me vete dhe në datat 20 e 21 të jenë në Vlorë për Festivalin Kombëtar Tipologjik.
Kjo është e dhimbshme, fare e papranueshme. Një Festival Kombëtar Folklori, i çfarëdo dukurie, nuk është e nuk mund të konsiderohet si një koncert i zakonshëm me këngë e valle popullore e me ç’t’i zërë hera. Ai duhet të realizojë disa standarde e duhet të përbush disa kërkesa në krijimtari, ruajtje, interpretim dhe zhvillim të dukurisë, së cilës i kushtohet. Duhet që minimalisht të ketë një platformë mbasi emërtimi “kombëtar” është në radhë të parë përgjegjësi. Sidomos Festivalet që janë e mbeten një rast i volitshëm për të vënë në lëvizje burime të shumta njerëzore, si krijues-rapsodë, këngëtarë e valltarë, bartës të fushës, por edhe të rinj që duhen stimuluar për ta dashuruar këtë pasuri shpirtërore që, siç po duket përherë e më dukshëm po bëhet një “specie” në zhdukje. Po të mos harrojmë se aktivitete të tilla realizohen edhe për t’i shërbyer sado pak gjallërimit të jetës kulturore e artistike të komunitetit, me taksat e të cilit ato realizohen. Dhe më e pakta, ditëve të Festivalit në Vlorë duhet t’i prinin ditët e mikrofestivaleve në bashkitë apo qendrat, ku gjallojnë grupe dhe shoqata të polifonisë e nga ku prej këtyre takimeve do të përzgjidheshin vlerat dhe grupet që do të ngjiteshin në Festivalin Kombëtar. Është e vërtetë që fondet për aktivitete të tilla janë të kufizuara, nuk kam ndonjë të dhënë konkrete, por është po aq e vërtetë për dëmin që shkaktohet, kur edhe ato fonde që janë në dispozicion i shfrytëzojmë për aktivitete jo cilësore, formale dhe sa për të shënuar në kalendarin e veprimtarive të realizuara nga institucionet e kulturës. Të paktën me polifoninë, “Kryeveprën…” tonë, kjo s’duhet lejuar të ndodhë. Ca më tepër, kur 10 vjetori i certifikimit dhe shënimit të saj në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” kërkonte një tjetër vlerësim e dinjitet festimi. Dhe një axhendë të posaçme veprimtarish të mirë menduar e gjithëpërfshirëse. Mbase do ishte rasti i duhur, që pikërisht në ditët e Festivalit të realizohej edhe një aktivitet, ku në këtë 10 vjetor të bëheshin vlerësime apo dekorime për individë e grupe kontribuuese ndër vite për ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të jashtëzakonshme shpirtërore. Bartësit, krijuesit, interpretuesit, por edhe adhuruesit e shumtë të kësaj pasurie shpirtërore askujt nuk ja kanë borxh nëpërkëmbjen. As të ngarkuarës me ligj siç është QKVF, por as ndokujt që kërkon t’i hedhë shpinës më shumë se sa i mban kurrizi e as të bëhet si urë lidhëse me shkarpa, jashtë institucionale. Besoj këtë borxh s’duhet ta mbajë as vet MK, tek e cila kalon fatura e zemërimit sidomos, kur e konsideron aktivitet të miratuar e pjesë të axhendës së saj vjetore.
Të paktën të urdhëronte të bëhej më e pakta: Të mos konsiderohej si Festival Kombëtar.
Sigal