Restaurohet vila e rrallë e tregtarit korçar Qirjako, ndërtuar në vitet 1930

1053
Sigal

Shtëpia e tregtarit më të pasur korçar Irakli Qirjako, ndërtuar në vitet 1930, është restauruar dhe do të mund të vizitohet nga qytetarët.

Banesa, në lagjen 12 të qytetit pranë ish-kishës së Shën Gjergjit, është ndër më të rrallat e llojit të saj në Korçë. Gjatë viteve të suksesit të tij si tregtar, Irakli Qirjako ndërtoi dyqane, hotele dhe këtë banesë për familjen e tij. Banesa shquhet si një nga ndërtimet më dinjitoze në arkitekturën e qytetit të Korçës për atë periudhë.

Ajo është plot afreske nga brenda, kryesisht të mjeshtrit Sotir Zografit.

Shumica prej afreskeve kanë pamje të natyrës, disa të tjera janë frymëzuar nga damat ruse, por shumë prej tyre janë dhe të personalizuara sipas kërkesave të tregtarit Qirjako.

Gjatë diktaturës komuniste, shtëpia iu mor pronarit dhe shërbeu si residencë për autoritete të ndryshme gjatë regjimit komunist, derisa përfundoi si banesë shtetërore me qiraxhinj.

Pas viteve ’90, shtëpia e famshme ndërroi shumë pronarë, deri sa përfundoi në pronësi të Nesti Tarushës, i cili ka financuar dhe të gjithë restaurimin e vilës.

Punimet restauruese nisën në mars 2020 dhe kanë zgjatur 5 muaj.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kombëtare, Gjergji Koki, gjatë punimeve restauruese janë respektuar të gjitha kriteret edhe pse banesa nuk ka statusin Monument Kulture.