Raundi i parë i zgjedhjeve legjislative në Francë, fitore e pamohueshme e partisë së presidentit Macron

506
Diana SKRAPARI

“Nëse veprimet e tua inspirojnë të tjerët për të ëndërruar më shumë, për të mësuar më shumë, për të bërë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë ti je një lider” 

John Quincy Adams
Partia e Emmanuel Macron ka dominuar në raundin e parë me 32.32% të votave duke kaluar të djathtën me (21,56%) dhe FN (Frontin Kombëtar) (13.2%), në bazë të rezultateve përfundimtare. Partia Socialiste pothuajse u asgjësua pasi mori vetëm 13,81% të votave, në një nivel me ekstremistët e majtë. Abstenimi u rrit në 51.29%. Kancelaria Merkel uroi Macronin për suksesin e tij në zgjedhjet legjislative. Kancelaria gjermane Angela Merkel ditën e hënë ka dërguar urimet e saj Presidentit francez Emanuel Macron, pas raundit të parë të zgjedhjeve legjislative. (“Urime për @EmmanuelMacron, për suksesin e madh të partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve. Votoni më shumë për reformat,” tha ajo në llogarinë e saj Twitter të qeverisë.)Pas raundit të parë, vetëm katër anëtarë u zgjodhën: dy nën etiketën La Republique en marche!, Sylvain Maillard në rrethin e 1-rë të Parisit dhe Paul Molac në Morbihan, Partia e djathtë dhe e qendrës në Somme me Stéphane Demilly, dhe një i majtë në Wallis dhe Futuna, Napole Polutene. Në rrethin e 1-rë të Aube, tre kandidatë do të konkurrojnë në trekëndëshin e vetëm të raundit të dytë. Zgjedhjet e franceze të vitit 2017 do të caktojnë anëtarët e legjislaturës XV të Republikës së pestë franceze dhe raundi i dytë do të zhvillohet të dielën më 18 qershor 2017. Këto zgjedhje ndjekin zgjedhjet presidenciale të zhvilluara më 23 prill dhe 7 maj 2017. Që nga fillimi i Republikës së Pestë, kur zgjedhjet parlamentare zhvillohen në prag të zgjedhjeve presidenciale, presidenti i zgjedhur ka pasur gjithmonë në Asamblenë Kombëtare një shumicë absolute ose relative. Emmanuel Macron u zgjodh më 7 maj 2017 dhe kërkon të ketë një shumicë me partinë e re Republique en marche! në këto zgjedhje. Të 577 deputetët që përbëjnë Asamblenë Kombëtare zgjidhen nga sistemi uninominal mazhoritar me dy raunde në çdo zonë zgjedhore. Për t’u zgjedhur në raundin e parë, kandidati duhet të marrë shumicën absolute të votave të hedhura dhe numrin e votave të paktën të barabartë me një të katërtën e votuesve të regjistruar. Nëse asnjë kandidat nuk i plotëson këto kushte, një raund i dytë mbahet. Në raundin e dytë zgjidhet kandidati që ka fituar shumicën e votave. Fushata elektorale zgjat 20 ditë dhe përfundon në mesnatë të premten para zgjedhjeve. Partia Socialiste dhe aleatja e saj Partia Radikale e Majtë kishin shumicën në Asamblenë Kombëtare të mëparshme pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2012, me 39.9% të arritura në raundin e parë. Prapa 39.9% të shumicës ishte 34.7% e të djathtës parlamentare të udhëhequr nga Jean-François Cope, me 13.6% të Frontit Kombëtar të Marine Le Pen dhe 6.9% të Frontit të Majtë të Jean-Luc Mélenchon dhe MoDem i Francois Bayrou mori vetëm 2 deputetë, me 1.77% të votave. Më 19 janar 2017, Partia En marche! e Emmanuel Macron bëri thirrje për nominime për zgjedhjet legjislative, komiteti i emërimeve kryesohej nga Jean-Paul Delevoye për përzgjedhjen e kandidatëve për 577 zonat sipas kritereve të ndershmërisë: dosje e pastër penale, barazi, të paktën gjysma e kandidatëve ishin kandidatë për herë të parë dhe kryesisht nga shoqëria civile, që mishëronin tiparet e partisë së re të Emmanuel Macron. Pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, Emmanuel Macron dha dorëheqjen nga presidenca e En marche! dhe u zëvendësua nga Catherine Barbaroux; dhe lëvizja, u quajt Republique en marche!. Më 11 Maj u prezantuan 428 kandidatë të përzgjedhur nga 19 000 kandidatë: 214 burra dhe 214 gra, 52% nuk kanë pasur kurrë një mandat; 93% janë aktiv, 2% kërkojnë punë, 4% janë pensionistë dhe 1% nxënës; Nga këto 428 kandidatë, ka 24 deputetë të majtë të legjislaturës së mëparshme dhe anëtarë të MoDem, por asnjë deputet të Les Republicains. Pas bashkimit të François Bayrou-së me kandidaturën e Emmanuel Macron, MoDem, presidenti i të cilit është ai, arriti një marrëveshje mbi 90 zonat zgjedhore, duke përfshirë 50 që mund të fitohen. Publikimi i 428 kandidatëve të Republique en marche! mërziti François Bayrou, i cili shpresonte më shumë kandidatë MoDem, dhe thirri Byronë Politike të lëvizjes të nesërmen duke kërkuar më shumë kandidatura MoDem. Vetëm 35 kandidatura MoDem janë zgjedhur fillimisht, në vend të 120 të premtuara. Ekipet e dy lëvizjeve kanë arritur një marrëveshje me En Marche! në 12 maj, që François Bayrou e quan “të fortë dhe të ekuilibruar”. Aleanca Republikanët-Unioni i djathtë dhe i qendrës mori në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale 20.01% , pas një rezultati prej 31.7% në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale të 2015. Fronti Kombëtar ka mbledhur 21.5% në raundin e parë në 2017 në zgjedhjet presidenciale, pas një rezultati prej 27.8% në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale të 2015. Mosha mesatare e kandidatëve është 47 vjeç dhe ka pothuajse barazi me 247 femra dhe 259 meshkuj. Marion Maréchal-Le Pen, deputetja më e re e legjislaturës së kaluar e diplomuar nga Universite Paris 2 Assas-Pantheon, që ka fakultetin më prestigjioz të drejtësisë në Francë, konfirmoi më 9 maj se nuk do të kandidojë. FN kishte një listë prej 553 kandidatësh në 15 maj. Partia kishte 86% kandidatë të rinj në zgjedhjet legjislative në krahasim me vitin 2012. Marine Le Pen vuri kandidaturën në një prej 8 rretheve të Pas-de-Calais që mbaheshin kryesisht nga socialistët, në të cilat presidentja e FN kishte marrë më 7 maj mbi gjysmën e votave kundër Macron, gjë që ndodhi edhe në rrethet 7 dhe 13 të rajonit Nord-Pas-de-Calais. Humbja në zgjedhje e socialistëve francezë është tregues i drejtimit katastrofik që ata i bënë Francës duke bërë reforma të pasuksesshme dhe duke ulur nivelin e jetesës në Francë. Ndërsa në kohën e Presidentit Sarkozy, kriza ekonomike nuk u ndje pothuajse aspak në Francë dhe gjatë kohës së udhëheqjes së Hollande, ekonomia franceze mori të tatëpjetën. Prandaj, në raundin e parë të zgjedhjeve legjislative francezët votuan kundër atyre që i besuan mazhorancën dhe drejtimin e vendit në 2012 dhe e kuptuan se kishin bërë gabim t’i besonin drejtimin e vendit njerëzve të gabuar, Hollande dhe Manuel Valls. Me Emmanuel Macron, Franca shpreson të rigjejë dinamizmin ekonomik qe ajo pati gjatë udhëheqjes së Sarkozy megjithë krizën ekonomike që kishte pushtuar Evropën dhe t’i bëjë ballë sfidave të shekullit XXI. John Quincy Adams, presidenti i gjashtë i SHBA-ve nga 1825-1829, thoshte “Nëse veprimet e tua inspirojnë të tjerët për të ëndërruar më shumë, për të mësuar më shumë, për të bërë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë ti je një lider”, urojmë që Emmanuel Macron të sjellë erën e ndryshimit në Francë për të larguar nga memoria franceze 5 vite udhëheqje socialiste të përqendruara më shumë në skandale të jetës private.
Sigal