Ramazan Çeka: Vjoleta Zefi, lulevjola plot aromë

1155
Sigal

Urim për datëlindjen e “Mjeshtres së Madhe” këngëtares Vjoleta Zefi

Emocionet e përftuara si spektator, si artëdashës, si tekstshkrues e mbi të gjitha si bashkëpuntor me “Mjeshtren e Madhe” të këngës Violeta Zefi janë lumenj të vrullshëm kënaqësie që mbushin detet e krenarisë sonë si shkodranë e si bashkëqytetarë.Vitet mbi supet e saj ndriçojnë si rruaza brilanti dhe ia zbukurojnë akoma më shumë kuroren e lavdisë, e cila vezullon sa herë ngjitet në skenë kjo ikonë e këngës së bukur qytetare shkodrane.

Kam shkruar shpesh për këtë zë të fuqishëm, për këtë artiste të mrekullueshme, duke shfaqur simpatinë time për këtë këngëtare të madhe dhe sërish mendoj se nuk janë thënë të gjitha, pasi vlerat, meritat dhe mbi të gjitha arritjet e kësaj këngëtareje në lëmin e muzikës popullore e veçanërisht asaj  shkodrane janë pa fund.

Kësisoj, në këtë shkrim, nuk do të bëj biografinë artistike të kësaj mjeshtre të madhe, por do të përpiqem me respektin tim t’u bëj të njohur lexuesëve se Vjoleta Zefi, ashtu siç ka filluar të këndojë në adoleshencën e saj, ashtu edhe pas kaq e kaq vitesh vazhdon të ruaj freskinë e zërit të saj, buzëqeshjen e saj, aromën e ëmbël të saj nëpërmjet interpretimit, që natyrisht e bën aq të dashur në çdo familje shkodrane.

E rënditur mes artistëve më virtuozë të këngës qytetare shkodrane e jo vetëm, këngëtarja e mirënjohur Vjoleta Zefi i ka dhënë trashëgimisë sonë kulturore, shpirt nga shpirti i saj artistik, si dhe shumë vlera si përçuese në kultivimin e këngës së mirëfilltë qytetare, ku me plot gojë mund të themi se është një vazhduese e denjë e kësaj trashëgimie kulturore.

Na rastis ta shohim shpesh në skenë dhe ta takojmë në festa e sofra gëzimesh, si dhe në rrugët e qytetit e shoqëruar nga të afërm e familjar e të përshëndetemi miqësisht, apo tek bisedon me dashamirësi me bashkëqytetarët e vet shkodranë dhe menjëherë të krijon përshtypjen e një njeriu me shpirt të madh, gjë që e plotson portretin e saj titulli i lartë që ky qytet i ka dhënë “Qytetare Nderi”.

Mjafton t’i përmendësh emrin e menjëherë nga shkodranët do të marrësh një përgjigje të ngrohtë që pasqyrohet edhe në mimiken e fytyrës së tyre, në buzqeshjen e embël si shenjë nderimi, të shoqëruar me dhjetra fjalë vlerësimi dhe respekti ndaj kësaj “Zonje të madhe të këngës”, e cila përgjatë gjithë jetës së saj iu përkushtua këtij qyteti dhe këtyre qytetarëve.

Duke mos dashur të përsëris asgjë nga shkrimet e mia të mëparshme për këtë këngëtare, sërish në mendjen time më vijnë rrjedhshëm urimet e përzemërta në këtë përvjetor datëlindje për “Mjeshtren e Madhe” Vjoleta Zefi.

Njerëzit e mëdhenj nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, por për urime të ngrohta dashamirsie, ndaj nga zemra ime ju uroj: Paçi gjithmonë shëndet e lumturi në familjen tuaj, rini në zërin tënd të mrekullueshëm dhe aromë freskie në këngët e tua që për kaq e kaq vite të shoqëruan në jetë e në skenë. Gëzofsh edhe për shumë vite jetë në mesin e njerëzve me të dashur prej të cilëve merr e jep dashuri e vlersuar dhe krenare për gjithçka të çmuar që i dhe familjes, qytetit të Shkodrës e gjithë shqiptarisë me zërin dhe interpretimin e veçantë për dekada me rradhë.

Tradita për të uruar dikë për datëlindje thotë që duhet t’i bëhet një dhuratë, por ti je e veçantë. Ti me këtë rast na bien dhuraten ne, dhe për këtë, ne të falenderojmë. Në qoftëse ne të kemi përgatitur një tortë, qershinë mbi të e ke vënë ti me zërin tënd të mrekullueshëm në këngën e re që sapo ke sjellë para nesh. Kjo tregon që të gjithë të duan e të nderojnë dhe ti të gjithë i don dhe i nderon.

Datëlindjes tënde i gëzohet jo vetëm familja dhe të afërmit tuaj, por edhe gjithë Shkodra ndaj me këngën më të re, të realizuar enkas për këtë ditë “Të këndoj Ty o Shkodra ime” vjen urimi më i veçantë që sot po dhuron për ne dhe qytetin e bekuar të luleborës.

Një këngë e bukur e realizuar me zërin tënd të mrekullueshëm, por e dedikuar për Ty, për Shkodrën dhe të gjithë admiruesit e këngës tënde në gëzimin e kësaj dite.

Kjo këngë e kompozuar dhe orkestruar nga maestro Gëzim Mneri me tekstin tim, vjen para telespektatorëve shkodranë e në mbarë botën shqiptare me një klip të realizuar nga Shkodra TV1 Channel që ka për autor operatorin dhe montazhierin e talentuar Moison Kavaja.

Nëqoftëse mund të imagjinoni një bahçe me lule, ku për secilën ka një këngë, për një pjesë të tyre ka kënduar edhe Vjoleta Zefi.

Edhe 100 vite o Mjeshtre e Madhe! Zëri yt pastë gjithmonë aromen e lules, ashtu siç ke edhe emrin që të përfaqëson në oborrin e lulëzuar të këngës popullore shkodrane.