Marrëveshja zgjedhore në rrezik/ Ngërç në Këshillin Politik. Bylykbashi: PS kërkon kapjen e KQZ. Gjiknuri: E papranueshme kërkesa e PD

284
Sigal

Ngërç në Këshillit Politik, Gjiknuri: Kërkesa e PD-së është e papranueshme. Bylykbashi: PS-ja kërkon kapjen e KQZ-së?

Në rrezik marrëveshja për Reformën Zgjedhore?

Mbledhja e mbrëmshme e Këshillit Politik, nxori në dritë një ngërç të ri të bisedimeve. Me sa duket kemi një bllokim tjetër të bisedimeve në Këshillin Politik, këtë herë për emërimin e anëtarëve të tre trupave të KQZ-së. Opozita deklaron se PS-ja kërkon të zgjedhë vetë të gjithë anëtarët, duke hequr çdo garanci për opozitën në nivelin më të lartë te administrimit të zgjedhjeve, duke kapur kështu KQZ. Konkretisht, formula parashikon tre faza: a) Kontrolli i kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit. b) Zgjedhja nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve, me përbërje të balancuar, 3 maxhoranca dhe 2 opozita. c) Votimi i listës në bllok nga Kuvendi. Sipas opozitës, PD-ja ka pranuar formulën e re të kompozimit të KQZ-së, por duke ruajtur garancitë aktuale mbi balancimin e KQZ-së, kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve dhe mbi shumicën e konsensusale për vendimmarrjet e rëndësishme. Aktualisht ligji parashikon që për disa çështje me rëndësi për zgjedhjet vendimmarrja është me shumicë të cilësuar, pra me konsensus midis mazhorancës dhe opozitës.

Gjiknuri: Opozita kërkon KQZ-në siç e kemi

PD-ja kërkon pak a shumë të jetë KQZ-ja siç është sot. PD-ja sa duket ka kërkuar vetëm marrëveshje zgjedhore, do vetëm identifikimin elektronik të zgjedhësit. Ky ishte devijim i bisedës e ata duhet që të reflektojnë, sepse ata nuk mund të zhbëjnë parlamentin. PD-ja kërkon sërish mandate 4-vjeçare për KQZ-në. PD-ja kërkon procedura tenderimi. Kodi Zgjedhor nuk kërkon procedura për tendera.

Bylykbashi: Kapja e KQZ-së

Dua të konfirmoj në emër të opozitës së bashkuar, i qëndrojmë pikë për pikë elementit të datës 5 qershor për identifikimin biometrik për ruajtjen e administratës zgjedhore dhe respektojmë dakordësinë në lidhje me komisionin e zgjedhjeve për formulat për një komision zgjedhor që shkon drejt një funksionimi. Kemi bërë propozim për formulë të emërimit të tre trupave të KQZ-së, nëpërmjet një formule të mirëpranuar, që sot është në Kushtetutë, një formulë që është përzgjedhur edhe me mbështetjen e partnerët ndërkombëtarë, që garanton shqyrtim të pavarur të kandidaturave me standardet më të larta të integritetit. Është një formulë e cila u kundërshtua nga mazhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Është ajo që ka qenë dakord, dhe sot nuk e arsyeton sepse i intereson kapja e plotë e KQZ-së në tre organet.