Ramazan Çeka: “10 personazhet shkodranë të vitit 2016”

636
“BEST 10 NORTH 2016” / E veçanta e edicionit të katërt, filloi që në hyrje të Teatrit “Migjeni” ku duke u duartrokitur nga të pranishmit, u bë parakalimi në tapetin e kuq i personazheve të kësaj mbrëmjeje.
Për të katërtin vit radhazi Agjencia e Spektakleve “Buna 1” me president dhe producent z. Arben Mazi, organizoi në fund të janarit 2017 në Teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës mbrëmjen gala “BEST 10 NORTH 2016”, për të nderuar personazhet më të spikatur publik të këtij qyteti, për kontributin e tyre në fusha të ndryshme sociale, kulturore dhe sportive.
Për të arritur në këtë natë, për disa javë me radhë ka qenë publiku që ka votuar në website buna1.net për figurat më të shquara si: shkrimtari më i mirë i vitit, piktori, aktori, sportisti, biznesmeni, politikani etj. 
Risia e këtij edicioni të katërt, “BEST 10 NORTH 2016” filloi që në hyrje të Teatrit “Migjeni” ku duke u duartrokitur nga të pranishmit, u bë parakalimi në tapetin e kuq i personazheve të kësaj mbrëmje.
Salla e Teatrit “Migjeni” me një publik të zgjedhur përjetoi me shumë emocion ndarjen e çmimeve, të organizuar jo si një ceremoni solemne, por si një spektakël që do ta bënte atë të këndshëm e impersionues.
Spektakli u hap me mrekullinë e tingujve të violinës që solli vogëlushi Juri Dajani, nxënës i klasës së dytë, performanca e të cilit u prit me duartrokitje nga të pranishmit në sallë.
Interpretimin e shkëlqyer të këtij talenti e pasuan me po kaq sukses edhe dy violiniste nga Tirana, Ajola dhe Xhanina nga grupi “Straight Girls”.
Sipari i hapur prezantoi para publikut një dekor emocionues të realizuar në mënyrë artistike dhe funksionale nga skenografi i Teatrit “Migjeni” Hysni Halili, si dhe grafika nga Valmir Hysa. Në këtë platformë magjike, po aq magjike u shfaq para publikut edhe prezantuesja e kësaj mbrëmje Siçiljana Mazi, e cila vendosi që në prezantim një urë komunikimi mes publikut dhe personazheve që do të ngjiteshin në këtë skenë, për të marrë “shpërblimin” e mirënjohjes së bashkëqytetarëve, për veprimtarinë e tyre në shërbim të qytetit dhe më gjerë.
Në këtë atmosferë të ngrohtë që mbizotëronte në sallë, filloi sipas programit edhe “procedura” e dhënies së çmimeve për 10 personalitetet më të shquar të vitit 2016, të cilët u ngjitën në skenë mes duartrokitjeve dhe emocioneve, duke shprehur mirënjohjen e tyre për vlerësimin që iu bënte qyteti dhe komuniteti shkodran.
Kështu, i pari që u ftua në skenë ishte piktori më i ri Eros Dibra, i nominuar nga publiku si piktori më i mirë i vitit. 
Çmimin ia dorëzoi piktorja e mirënjohur Ermira Jahja. 
Fotografi më i mirë i vitit u shpall Alban Xhakaj, i shquar për arritjet e tia, kryesisht në lëmin e fotografisë artistike dhe për ta nderuar me këtë çmim ishte zgjedhur znj. Brigela Demaj.
Vlerat e këtyre emocioneve i shtonte njëkohësisht edhe pjesëmarrja në këtë ceremoni e shumë personaliteteve që dorëzonin këto çmime, por që edhe vetë janë pjesë aktive e jetës sociale, kulturore, artistike e sportive e qytetit, të cilët shprehën konsideratat e tyre jo vetëm për fituesit, por edhe për punën e lavdërueshme të Agjencisë “Buna 1” për evidentimin dhe promovimin e tyre.
Përmes emocioneve të pa përshkruara e mori fjalën shkrimtari dhe dramaturgu i shquar “Mjeshtri i Madh” Fadil Kraja i cili me mençurinë dhe mjeshtërinë e fjalës së tij tha se “Një personalitet bëhet i shquar me veprimtarinë e tij kur i kalon kufijtë e qytetit ku jeton e punon dhe sonte para jush kam nderin t’ju prezantoj mikun tim dhe të gjithë Shkodrës z.Agron Çela, duke e zhveshur atë nga veprimtaria politike dhe duke e prezantuar si një njeri që me humanizmin e tij ka qenë dhe është i denjë të shpallet si politikani më i mirë i vitit”.
Në fjalën e tij deputeti i Shkodrës z.Agron Çela tha se “Kjo skenë është e shenjtë dhe unë ndjehem shumë mirë, por gjithmonë shumë i emocionuar, sepse këtë çmim ma dorëzoij “Mjeshtri i Madh”, prof. Fadil Kraja, nderi dhe mësuesi i madh i qytetit tonë”.
Për t’i dhënë larmi e gjallëri këtij spektakli, ishin të ftuar edhe këngëtaret Lorenca Preçi, Klarisa Filipi, Klodiana Vata dhe Anila Hoxha Gjermeni, të cilat me performancat e tyre, mbajtën të ndezur atmosferën e kësaj nate.
Çmimi i radhës që u dha në këtë mbrëmje ishte shkrimtari më i mire i vitit, të cilin e fitoi Zija Vukaj, si krijues, përkthyes dhe në mënyrë të veçantë mik e mësues i poetëve të rinj. 
Këtë çmim ia dorëzoi përsëri shkrimtari i mirënjohur “Mjeshtri i Madh” Fadil Kraja.
Me duartrokitje nga të pranishmit u prit ngjitja në skenë e futbollistit të Vllaznisë Ardit Krymi që solli në sallë atmosferën e këtij sporti kaq të dashur për shkodranët dhe këtë çmim ia dorëzoi po një ish futbollist, Enti Çaku, sot trajner i “Albanian Ajaks School U-19” dhe inspektor i sportit në Drejtorinë Arsimore Shkodër.
Përsëri në fushën e sportit me çmimin e radhës në këtë mbrëmje u nderua trajneri më i mirë i vitit për grupmoshat, të cilin e fitoi Luan Shpuza.
Këtë çmim ia dorëzoi nënkryetari i qarkut Shkodër z. Maxhit Cungu.
Merita Smaja u shpall aktorja më e mirë e vitit “BESt 10 NORTH” e njohur jo vetëm për karrierën e gjatë në skenën e Teatrit “Migjeni”, por edhe si pjesë e sukseseve të këtij teatri kohët e fundit. 
Këtë çmim përmes emocioneve ia dorëzoi kolegia, sot drejtoreshë e Teatrit “Migjeni” aktorja e mirënjohur znj. Rita Gjeka.
Çmimi i radhës që u shpall në këtë mbrëmje ishte biznesmeni më i mirë i vitit që e fitoi Mark Babani dhe këtë çmim ia dorëzoi gazetari i mirënjohur i RTSH për 40 vite me radhë Tom Therçaj.
Më pas moderatorja Siçiljana Mazi foli për organizimin para disa javëve në Tiranë, ku u ndanë çmime për fasonin më të suksesshëm në të gjithë Shqipërinë, ku pjesë e këtij aktiviteti, suksesi ishte edhe një nga ndërmarrje e Shkodrës, “Madish SHPK”, e cila u vlerësua në këtë mbrëmje me çmimin fasoni më i mirë i vitit.
Për këtë, administratorit të “Madish SHPK” z. Aleksandër Liqejza iu dhurua një buqetë e madhe me lule nga organizatorët.
Agjencia e spektakleve “Buna 1” nuk e kishte harruar detyrën e saj për të vlerësuar edhe talente të rinj të Shkodrës, ku kishte përzgjedhur këngëtarin e talentuar, Isli Ademi si këngëtari më i mirë i vitit.
Këtë çmim ia dorëzoi kolegia e tij Orjeta Kelaj, që vjet u nderua po me këtë çmim.
Agjencia “Buna 1” thirri para publikut shkodran personalitete të tjera të shquara, që kontributin e tyre nuk e shtrinë në një apo dy vite, por në një karrierë të gjatë në shërbim të qytetit dhe më gjërë.
Për këtë u akorduan edhe dy çmime mirënjohje.
Çmimi i mirënjohjes për rapsodin dhe lahutarin Jonuz Delaj, të cilin ia dorëzoi Kryetari i Bashkisë së Malësisë Madhe z. Tonin Marinaj dhe Akademikut z. Ahmet Osja, të cilit ia dorëzoi moderatorja e talentuar e këtij spektakli, simpatikja Siçiljana Mazi.
Këtë atmosferë ceremoniale e ngrohu dhe e gjallëroi përsëri performanca e dy violinisteve të talentuara, Ajola dhe Xhanina, të cilat interpretuan muzikë instrumentale live. 
Ish basketbollisti i shquar i Vllaznisë, trajner, por edhe personalitet i shquar publik z.Renato Radoja u ngjit në skenë, duke marrë bashkë me duartrokitjet edhe çmimin e karrierës, për punën e tij të palodhur dhe pasionante.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një sportist i shpreh mirënjohjen një kolegu të tij, ish kryetari i parë i Bashkisë Shkodër dhe sot anëtar i Këshillit Bashkiak z.Filip Guraziu.
Dashamirësi i gjithë shkodranëve, humoristi i shquar Zef Deda “Mjeshtër i Madh”, me shumë emocion u ngjit në skenë për të marrë çmimin e karrierës, të cilin ia dorëzoi moderatorja e këtij spektakli Siçiljana Mazi. 
Me humorin që e karakterizon ai u shpreh: “Karriera ime si humorist është e barasvlershme me jetën time, pasi gjithë këtë jetë e kam kaluar mes shkodranëve të mi në të gjitha lagjet, rrugët dhe rrugicat e qytetit ku kam lindur dhe ku jam rritur. Ndjehem krenar që jam bir i këtij qyteti dhe pjesë e kësaj skene magjike”.
Qershia mbi tortë ishte në mbyllje të spektaklit, kur në skenë doli për të përshëndetur të ftuarit, zëri i mrekullueshëm i këngëtares së madhe sopranoja me famë botërore Anila Hoxha Gjermeni, vajza nga Bajram Curri, e cila studioi në Shkollën Artistike “Prekë Jakova” dhe që e re interpretoi edhe në skenat e qytetit tonë.
Kënga e fundit, titulluar “Malli përtej detit” e këtij spektakli e interpretuar nga kjo soprano ishte dhe urimi “natën e mirë”, që ajo i dhuroi spektatorëve në mënyrë melodioze, për t’i kujtuar se në këtë skenë, nuk do të mungojnë kurrë aktivitete të tilla, që shkodranët i kanë aq shumë për zemër.
Agjencia e spektakleve “Buna 1” mbyll kështu një edicion tjetër të suksesshëm të “BEST 10 NORTH”, duke premtuar që vit pas viti të sjell të tjera risi, të tjera surpriza dhe të tjera figura të shquara të këtij qyteti që nuk mungojnë kurrë.
Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm drejtues të institucioneve vendore, deputet, njerëz të shquar të artit, kulturës, sportit, biznesit etj. të cilët e ndjenin veten të privilegjuar që patën nderin t’u dorëzonin çmimet 10 personazheve më të shquar të vitit, që këtë natë ishin nominuar si më të mirët.
Suksesi i kësaj mbrëmje gala që ka jehonë edhe sot e kësaj dite meriton edhe lavdërimet e përkrahësve dhe sponsorëve, dashamirës të mbarëvajtjes së jetës social kulturore dhe ekonomike të qytetit.
Një falënderim shumë i madh shkon për kompaninë “Hako SHPK”, e cila ofroi mbështetjen e saj për këtë spektakël. 
Ishte një privilegj i madh që këtë vit të merrte pjesë si sponsor një nga kompanitë më të fuqishme në Shqipëri, urojmë që ky bashkëpunim të mos jetë i fundit. 
Një falënderim tjetër shkon për mbështetjen “Madish SHPK”, Gomisteri “Sela”, Art Decor Print & Design “Terroti” si dhe Bar Restorant Bexhisteni, pronë e familjes së Astrit Meshnunit, që gjithmonë ka ofruar mbështetjen në shenjë respekti për 10 personazhet e vitit. Gjithashtu u falënderuan edhe Firma “Berttoni” si dhe Kancelari “Mazi”. 
Organizatorët falënderuan Radio Televizionin Shqiptar, si dhe të gjithë televizionet lokale, si TV1 Channel, Star +, TV Rozafa dhe TV Kopliku, për pasqyrimin e këtij aktiviteti.
Ky ishte edicioni i katërt dhe si i tillë, ai për çdo vit ka fituar rritje, duke premtuar kështu që nga viti në vit ai do të bëhet një traditë që vetëm një qytet si Shkodra mund ta realizojë. 
Sigal