Prof. Pëllumb Xhufin : Nolin, mund ta përkufizojmë me plot të drejtë si Rilindësin e fundit

648
Burrë shteti, poet, dramaturg, publicist dhe përkthyes, historian, kritik letrar dhe muzikolog, erudit poliglot, themelues i Kishës Autoqefale Shqiptare, F. S. Noli është gjeniu i kulturës shqiptare të shekullit XX. Një rrugëtim i gjatë tetëdhjetetrevjeçar, nga djepi ku e përkundi Gjyshe Sumba, në shtratin e prehjes së amshuar ku e përcolli nga larg një popull i tërë, nga një ngulim i humbur shqiptarësh në Ibrik Tepe, në kontinentin e ri, nga shkolla fillore greke e fshatit, ku e çoi të futur në thes Nënë Maria, në Harvard, nga përdorues vetëm i zhargonit shqip të katundit, në mjeshtër të shqipes së kultivuar dhe njohës të nja dhjetë gjuhëve të huaja të tjera, nga sufler teatri, në foltoren e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, nga Kryeministër i Shqipërisë në një azilant të ndjekur nga ankthi për bukën e gojës, nga përkthyes në greqisht i librit programor të Sami Frashërit për të shkuarën dhe të ardhmen e Shqipërisë, në shqipërues të kryeveprave të letërsisë botërore, nga i dënuar me vdekje prej monarkisë dhe monarkut, në të pavdekshëm, kjo është jeta e F. S. Nolit. I madh dhe “i vogël”, stërnip i Davidit dhe nip i mëkatares, Gjyshes Sumba, Samson dhe filistin, kalorës i Skënderbeut tërë jetën, por ndonjëherë kalorës i Rosinantit, fitimtar dhe humbës, Mesi dhe prift katundi, hyjnor dhe tokësor, i perëndishëm dhe vdekatar, F. S. Noli jetoi një jetë dhe la një vepër, mesazhi dhe morali i të cilave i kalon kufijtë e kohës së tij duke mbartur një vlerë e domethënie universale. Kalorës i dy utopive të mëdha dhe vuajtës prej tyre, me peshën e rëndë të Kryqit të Krishtërimit dhe të stërhalleve të vendit të vet, Noli njeri, artist e politikan, i kapërthyer midis kundërthëniesh e dilemash tragjike, i përballoi ato me filozofinë biblike të përkohësisë së fitimit të çastit dhe të përjetësisë së shembullit moral. Ai është një Jezu “që do të shpëtojë llauzin e tij nga fajet e veta” dhe jo veten e vet nga vuajtja e sakrifica, deri te sakrifica sublime e idealistit të përkushtuar-ka theksuar Akademik Jorgo Bulo për Nolin në një shkrim me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së tij. Ndërsa përkufizimi i Prof. Pëllumb Xhufi shkon edhe më tej. Ja si shprehet ai në intervistën e zhvilluar me rastin e promovimit të librit ”Fan Noli-kryeministër” e zhvilluar në Akademinë e Shkencave:
A është aq e vlerësuar figura e Nolit në vijimësi dhe në këtë 50-vjetor të vdekjes?
Figurës së Nolit i është bërë një vlerësim i madh nga Akademia e Shkencave si dhe nga Fondacioni Noli, të cilët një vit më parë dhe tani, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së tij, po e përkujtojnë jetën e veprën e këtij kolosi të kulturës, të politikë e mbi të gjitha, të patriotizmit shqiptar. Për fat të keq, institucione të tjera shkencore e akademike i kanë kaluar në heshtje të gjithë përvjetorët e mëdhenj që lidhen me figurën e Nolit: 90-vjetorin e krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, 90-vjetorin e botimit të librit të tij “Histori e Skënderbeut”, 90-vjetorin e Revolucionit të Qershorit dhe 50-vjetorin e vdekjes së tij. Institucione, si Qendra e Studimeve Albanologjike, Fakulteti i Historisë i Universitetit të Tiranës, apo Universiteti i Korçës, që me sa duket me të padrejtë e mban emrin “Fan Noli”, nuk organizuan asnjë aktivitet për kolosin e letrave e të patriotizmit shqiptar, gjë që sigurisht nuk u bën nder atyre.
Si do ta cilësonit librin “Fan Noli-kryeministër”?
Duke iu kthyer botimit që promovojmë sot dhe që është një përmbledhje e kontributeve që u paraqitën një vit më parë në konferencën për Fan Nolin, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Fondacioni Fan Noli, do desha të përgëzoj kolegen, Prof. Kaliopi Naska, e cila bëri një paraqitje të plotë të këtij botimi. Nga ana ime, do doja të shtoj një refleksion timin, që më lind nga leximi i veprës së Nolit. Më duket se Nolin mund ta përkufizojmë me plot të drejtë si Rilindësin e fundit. E di që me këtë emër kemi pagëzuar edhe të tjera personalitete të nderuara të historisë sonë. Por më duket se Noli është Rilindësi i fundit par excellence.
Pse?
Sepse, sipas mendimit tim, Noli në mënyrë të ndërgjegjshme i vuri qysh në rininë e tij detyrë vetes të realizonte tre detyra, që Rilindja Kombëtare i kishte lënë të parealizuara.
-Së pari ju vu detyrës për të krijuar Kishën Autoqefale shqiptare, që ishte një projekt i hershëm i tij. Qysh në 20 shkurt 1907, Noli ia tregonte me këto fjalë këtë projekt të tij një mikut të vet: “Meqenëse një nga ndalimet e mëdha për çështjen tonë është fanatizma që ka mbjellë priftëria dhe ky fanatizëm sikundër është mbjellë prej priftërinjsh, gjithashtu duhet të tarret e të çrrënjoset prej priftërinjsh, me ndryshimin se këta priftërinj duhet të jenë shqiptarë ortodoksë. U mejtuam, pra, të themelojmë këtu në Boston një kishë ortodokse shqip me prift shqiptar dhe me gjuhë mësimi shqipen”. Noli iu vu me pasion këtij misioni dhe e realizoi atë, në vitin 1921.
-Po në 1921, Noli realizoi edhe atë që ai e konsideronte misionin e dytë të tij rilindës, botoi librin “Histori e Skënderbeut”. Fraza e parë e parathënies së shkruar nga ai vetë, thotë: “Qëllimi im kur shkrova këtë vepër, ishte t’i jap popullit tonë një histori të Skënderbeut dhe ky libër duhet gjykuar kryesisht nga kjo pikëpamje…Shumë nyje të kësaj historie mbeten, dhe unë shpresoj t’i çkoklavisë më vonë kur të kem përpara dokumente, të cilat të më japin fillin e Arianës”. Noli, pra, iu vu punës për realizimin e një historie të Skënderbeut, i nisur nga vetëdija patriotike e qytetare, që shqiptarët nuk mund të rriteshin pa njohur kryeheroin e tyre, që duhet të ishte katalizatori i ndërgjegjes së tyre kombëtare. Por, ai ishte i ndërgjegjshëm, që vepra e tij e parë nuk kënaqte plotësisht kërkesat e një vepre të mirëfilltë shkencore, ndaj, siç kishte premtuar në parathënien e botimit të parë, ai iu vu punës për realizimin e një botimi të dytë shkencor, që e realizoi me sukses në vitin 1947. Këtë projekt të tij, Fan Noli e realizoi me shumë sukses, këtë e dinë mirë miqtë dhe armiqtë e tij, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
-Misioni i tretë rilindës, i ndjerë si i tillë nga Noli, ishte realizimi i një përmbysjeje sociale, që do sillte largimin nga skena e historisë e klasës së vjetër anadollake të bejlerëve, pashallarëve e bajraktarëve, e cila i kishte shërbyer për 500 vjet sunduesve osmanë, duke shtypur e duke lënë në padituri popullin e vet. Qeveria e Ismail Qemalit, më 1912, me përbërjen e saj me intelektualë e luftëtarë të radhëve të para të Rilindjes Kombëtare, ishte një hap i parë drejt realizimit të këtij misioni. Por, si rezultat i ndërhyrjes së qeverive monarkiste të Evropës e të Ballkanit, qeveria e Ismail Qemalit u rrëzua, dhe qeveritë pasardhëse të Princ Vidit më 1914, të Durrësit më 1919 apo qeveritë e viteve 1921-1924 të dominuara nga figura e Ahmet Zogut, përfaqësonin një restaurim të rendit të vjetër feudal. Revolucioni i Qershorit, i realizuar nga Fan Noli dhe bashkëpunëtorët e tij, ishte një përpjekje madhore për t’i dhënë fund një herë e mirë të kaluarës feudale të Shqipërisë dhe për t’i hapur rrugë evropianizimit të saj. Këtë mision, siç dihet, Fan Noli nuk mundi ta realizojë dot. Ajo mbeti për t’u realizuar në kushtet e ndryshuara të Luftës II Botërore, kur përfaqësuesit e elitës së vjetër shqiptare u vunë, për herë të fundit, në shërbim të pushtuesve nazi-fashistë të vendit të tyre, duke shënuar kështu edhe fundin e pashmangshëm të tyre. Jo pa arsye, Fan Noli u rreshtua në ato vite në krah të rinisë shqiptare, që mori armët për çlirimin e atdheut, duke e rreshtuar atë, për herë të parë, në krahun e duhur të historisë. 
Një ngjarje e veçantë
Një ngjarje e veçantë mund të konsiderohet organizimi nga Fondacioni “Fan Noli”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, i konferencës shkencore, qershor 2014, me rastin e 90-vjetorit të kryesimit të qeverisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1924, në okelion Fan S. Noli kryeministër, kumtesat e të cilit janë përfshirë në këtë libër, duke e pasuruar me disa materiale të tjera. Në hartimin e librit, i cili publikohet nën siglën e botimeve “M&B”, kanë kontribuar studiues si akademik Jorgo Bulo, Dhimitër Anagnosti, president nderi i fondacionit “Fan S. Noli”, Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Ksenofon Krisafi, studiuesja e re Danja Sinanaj etj.
Sigal