-Dritëro Agolli: Për mua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë mbi të shenjtat.
Po e nis këtë kumtesë me disa thënie për Luftën nga i madhi Dritëro Agolli
“ Për mua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë mbi të shenjtat. Është ndër luftërat më të mëdha dhe me ideale humane më të larta nga të gjitha luftërat. Çdo popull do të krenohej me të, pasi është harku me qemer i urës më të madhe dhe më të qëndrueshme të historisë së Shqipërisë, që lidhin dy brigje: bregun e traditës së shkuar dhe bregun e kohëve moderne. Pa këtë urë, demokracia e sotme do ta kishte të vështirë. Ai që mundohet ta rrëzojë këtë hark madhështor me qemer, rrëzon gjithë urën, bie në lumë bashkë me mbeturinat e urës, mbytet dhe bëhet ushqim i mirë për zhabat dhe qeniet e tjera të lumit.”
Me këtë material kumtues të shkurtër me synimin që t`iu vij në ndihmë sadopak njerëzve të interesuar dhe sidomos brezit të ri, për të ditur sa më shumë rreth Luftës Antifashiste, që t`u referohen disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm për t`i bërë asaj një vlerësim sa real dhe objektiv. Është një fakt i pamohueshëm që Shqipëria u sulmua dhe pastaj u pushtua nga fashistët italianë (7.prill, 1939) dhe më vonë nga aleati i saj Gjermania Naziste (1942). Në këtë luftë heroike u përfshi masa e gjerë e popullit tonë, me angazhimin dhe sakrificën më supreme, me idenë dhe qëllimin e madh për të çliruar vendin nga okupatorët dhe për ta parë vendin të pavarur dhe sa më demokratik. Shqipëria, sipas dokumenteve arkivore u çlirua më 29 Nëntor 1944 (kjo përkon dhe me çlirimin e qytetit të fundit të çliruar, Shkodrën). Në rang vendi për këtë ideal dhanë jetën në rang vendi 28 000 dëshmorë. Mendimet, diskutimet dhe vlerësimet për Luftën Antifashiste janë shfaqur dhe përcjellë para opinionit publik shqiptar, duke filluar që në periudhën e zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore e deri më sot. Në këtë drejtim, janë shprehur dhe kanë mbrojtur luftën, sipas atyre që përjetuan dhe bënë luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si një luftë heroike që arriti të çlirojë vendin. Në këtë kontekst, dihet duke iu referuar rrjedhave historike se edhe më përpara edhe tani nuk ka një vlerësim unik nga opinioni i brendshëm dhe ai jashtë. Mendimet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të një pale apo disa palëve të tjera, duke e quajtur Luftën Antifashiste si luftë civile e tjera. Në këtë këndvështrim mendoj se vlerësimi i Luftës Antifashiste nuk mund të bëhet pa marrë parasysh domosdoshmërish katër momente historike:
- Moment ndërkombëtar
Lufta e Dytë Botërore ishte konflikti i armatosur midis Aleatëve dhe Boshtit Nazist, i përbërë nga Italia, Gjermania dhe Japonia nga viti 1939 deri në vitin 1945. Luftën siç dihet, e filluan Fuqitë e Bllokut Fashist, të cilat synonin të fusnin njerëzimin nën zgjedhën e tyre Në këto rrethana, me të drejtë, demokracitë perëndimore i konsideruan agresorët nazifashistë si më të rrezikshmit e njerëzimit. Për këtë ata në aleancë me BS-në, mbështetën e ndihmuan pa paragjykim lëvizjet çlirimtare dhe formacionet partizane në vende të ndryshme të botës. Në këto kushte Shqipëria e pushtuar për të mos rrezikuar interesat e veta kombëtare e mos binte ndesh me koalicionin anti-nazifashist duhej që domosdoshmërisht të pozicionohej.
- Zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore kanë lidhje dhe me situatën konkrete angazhuese të Shqipërisë.
Me pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939, Italia fashiste e hoqi atë nga harta politike si një shtet i pavarur (i krijuar me vendimin e Fuqive të mëdha më 29 korrik 1913 dhe i sanksionuar me praninë e saj në Lidhjen e Kombeve më 21 nëntor 1921). Për më tepër, pushtimin e Shqipërisë e njohën “de facto” dhe shtetet e mëdha. Gjithashtu, po “de facto” ekzistonte Mbretëria Shqiptare nën kurorën e mbretit të Italisë. Në këto kushte, në rast se Shqipëria nuk do të angazhohej në Luftën Antifashiste, në përfundim të luftës do të radhitej në anën e vendeve të humbura e për rrjedhojë do të vihej në bankën e të akuzuarve, ku me siguri do të ishte dënuar rreptë siç u dënuan ato të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, duke u shoqëruar jo vetëm me dëme materiale, por edhe me gjymtime territoresh. Si rezultat i kësaj, Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore u pranua në Konferencën e Paqes (Konferenca e Paqes në Paris 29 korrik – 15 tetor, 1946), rezultoi në Traktatet e Paqes të nënshkruar në Paris më 10 shkurt, 1947. Fuqitë fitimtare të kohës së luftës Aleatëve (kryesisht SHBA, BS, Britania e Madhe, Franca dhe Kanada) negociuan detajet e traktateve me Italinë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, Finlandën, etj.
- Vlerësimi i Luftës Antifashiste ka të bëjë edhe me marrëdhëniet shqiptaro-greke
Qeveria e Shefqet Vërlacit duke u solidarizuar me padronen e saj Italinë Fashiste, i shpalli luftë shtetit të Greqisë (28. nëntor 1940) për të aneksuar krahinën e Çamërisë, të cilën për arsye të llogarive politike nuk ia dhanë Shqipërisë. Këtij akti të nxituar të fuqive të mëdha, Qeveria e Shefqet Vërlacit nuk mund t`i bëjë ballë për ta denoncuar me forcë. Sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me mospërballjen me presionet e qeverisë Italiane, të kryesuar nga Musolini. Në këtë situatë duhet përmendur edhe këmbëngulja e Qeverisë Greke në Konferencën e Paqes (1946), duke quajtur Shqipërinë si agresor ndaj Greqisë, madje duke u bërë dhe favorizuese për krijimin e bazës së nisjes për sulmin e Italisë fashiste, ndaj territorit të saj. Në lidhje me këtë pretendim, pala greke si dëmshpërblim, kërkonte krahinat jugore të Shqipërisë. Por ky pretendim absurd i shtetit grek u hodh poshtë nga Fuqitë e Mëdha. Duke sjellë argumentin se populli shqiptar ishte rreshtuar në frontin e grupimit antifashist. Nga ana tjetër, u hodhën argumente dhe u mirëpranuan se populli shqiptar e kishte dënuar sulmin e Italisë fashiste ndaj Greqisë, madje në këto kushte dhe rrethana, gjithë popullata që jetonte për gjatë vijës së kufirit Shqipëri-Greqi, përkrahu dhe mbështeti ushtrinë greke, sepse ushtria italiane u quajt si agresor i përbashkët.
- Lufta Antifashiste ka lidhje sa me karakterin çlirimtar po aq dhe atë patriotik
Në lidhje me Luftën Antifashiste, vlerësimi del nga qëllimi që u zhvillua, përkatësia e pjesëmarrësve dhe sakrificat e vetëmohimi i tyre, tregojnë se kishin jo vetëm karakter patriotik, por dhe atë çlirimtar, e cila u mbështet, gati pothuajse, nga e gjithë masa popullore. Pjesëmarrja qe e gjerë dhe masive ku numri i ushtrisë së rregullt arriti deri në 70.000 luftëtarë, kur popullsia e vendit nuk i kalonte 1 milion. Sakrifikuan jetën 28 mijë dëshmorë dhe mijëra të plagosur e të gjymtuar. Të gjitha këto flasin për patriotizëm, atdhedashuri e shpirt sakrifice sikurse dhe shumë liridashëse.
- Lufta Antifashiste është vlerë kombëtare. Në gjykimin tim ka tre argumente kryesore pse ajo është legjitime, pse duhet mbrojtur e nderuar si ditë kujtese kombëtare.
- LANÇl u mbështet nga shumica e popullit shqiptar. Kjo mbështetje erdhi graduale përmes pjesëmarrjes në aktivitete të thjeshta antifashiste, në protesta e demonstrata të rinisë antifashiste, të intelektualëve antifashistë, të nacionalistëve atdhetarë. Kjo ka qenë faza e parë dhe përgatitore e kësaj Lufte që përfshiu vitet 1939-1941 dhe që është njohur me emrin Lëvizja Antifashiste. Në këtë Lëvizje morën pjesë njerëz me bindje antifashiste, që ishin nga shtresa të ndryshme shoqërore, nga krahina të ndryshme, të arsimuar e pa shkollë dhe me besime të ndryshme fetare.
- Luftën Antifashiste NacionalÇlirimtare e bën legjitime në mënyrë të padiskutueshme njohja de facto e saj nga Kombet e Bashkuara Antifashiste në krye të të cilave qëndronin tre Fuqitë e Mëdha të kohës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik.
- Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e kreu misionin e saj të çlirimit të Shqipërisë me sukses dhe si të gjithë çlirimtarëve në histori i takon një vend nderi e respekti. Jehona dhe ndikimi i kësaj Lufte nuk u mbyll në kufirin e vitit 1944. Ajo i dha Shqipërisë për herë të parë si subjekt ndërkombëtar një mbështetje që nuk e kishte gjetur më parë. Pavarësia dhe integriteti territorial i Shqipërisë kishte mbetur në të kaluarën peng e projekteve coptuese të Fuqive të Mëdha dhe të vendeve fqinje.
Si përfundim: Populli shqiptar me anë të kësaj lufte me karakter kombëtar, demokratik e popullor që u zhvillua në territorin e vendit tonë luftoi kundër dy armiqve më të rrezikshëm të shekullit të kaluar. Kjo luftë siguroi lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar. Kjo luftë e nderon dhe sot e kësaj dite Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar dhe iu jep të drejtën morale gjithë shqiptarëve që të integrohen në familjen e popujve të qytetëruar të Evropës, si një popull me individualitet, kulturë e dinjitet kombëtar.