Prof. Dr. Valter Shtylla: Gjurmë kalldrëmesh nga rrugët në trojet e Ilirisë

30

Vendbanimet, jeta ekonomike shoqërore, federatat fisnore etj., si dhe krijimi i Mbretërisë së parë Ilire janë tregues që në Iliri jetonte një komunitet, që sigurisht për të jetuar duhej domosdo edhe të ndërtohej.

Detaj i kalldrëmit të shkallëzuar para romak në Krua Jella të Malit të Zi
Sigal

Në shkrim trajtohet një temë që shkarazi është prekur në studimet tona, pasi mbetjet materiale në këtë gjini ndërtimore tek ne janë të pakta.

Ndërtimet e shumta inxhinierike nga koha e Perandorisë Romake, të ruajtura kudo ku romakët shkelën kanë dominuar studimet historike, a thua se në tokat e pushtuara ata nuk hasën në  teknika paraardhëse.

Vendbanimet, jeta ekonomike shoqërore, federatat fisnore etj., si dhe krijimi i Mbretërisë së parë Ilire janë tregues që në Iliri jetonte një komunitet, që sigurisht për të jetuar duhej domosdo edhe të ndërtohej.

Detaj krahasues i rrugës romake në përroin Smokovac pranë rizonit në Mal të Zi

Në lëmin e krijimit të rrugëve territori i ilirëve paraqitej mjaft i adaptueshëm. Nga jugu në veri e nga lindja në perëndim, lumenjtë me luginat dhe kanionet malore, si: Kalasa, Skushica, Drino, Vjosa, Semani, Osumi, Shkumbini, Drini, etj. favorizonin ndërtimin e akseve rrugore për udhëtarë apo për karro e qerre.

Në mjaft nga këto lumenj, pas pushtimit të Ilirisë në shekullin II para erës sonë, romakët shfrytëzuan arteriet territoriale vendase që përshkruan, por dhe rrugët paraardhëse ekzistente ilire.

Burimet nga kultura materiale dhe historia faktojnë se për arsye të ekonomizimit në ndërtim dhe të aseteve financiare, kudo në fushën e rrugëve, të ardhurit në vende të ndryshme kanë shfrytëzuar rrjetin rrugor paraardhës të gjetur në trojet e pushtuara. Kjo zgjidhje ka ndodhur edhe në tokën e Ilirisë, ku mbivëniet rrugore romake, bizantine dhe turke ose i gjejmë mbi aksin ilir apo pranë tij topografikisht. Këtë aspekt në rastin tonë e gjejmë në malet e Polisit në Librazhd, ku në Xhyrë, Babje e Spatharë konfondohen Via romake Egnatia, Via Candavian ilire si dhe në Grueminë të Shkodrës ku përzjehen rruga ilire me rrugët më të vona mesjetare.

Fragment kalldrëmi antik në trojet e Labeatëve. I takon segmentit Gruemirë – Ballec i rrugës ilire Shkodër – Dardani

Evidentimi në artikull i disa trakteve nga rrugët ilire dëshmon jo vetëm përzgjedhjet natyrore optimale të trasesë, por dhe për realizimin e gabariteve të nevojshme të Komunitetit Ilir për lëvizjen gjatë rrugëve të tyre. Kështu më pas romakët pranuan dhe preferuan teknikat paraardhëse.

Në malet e Polisit në Librazhd, majtas lumit Shkumbin, romakët ndërtuan Via Egnatian, që lidhte perëndimin me lindjen.

Në antikitet malet e Polisit njiheshin si malet e Candavisë dhe në këto anë jetonte fisi ilir i Candinavëve. Në fshatin X hynë në vendin Prroi i Gurave të Zeza ku ruhet qartë një traktat i rrugës ilire Via Candavia me gjatësi rreth 100 metra dhe gjerësi që rrallë i kalon 1.2 metrat. Kalldrëmi i ngushtë është i ndërtuar me gurë me madhësi të ndryshme dhe të çrregullt dhe ka qenë përdorur për karvanë me kafshë. Pozicioni i këtij trakti është fare pranë kalldrëmit më të vonë të Via Egnatias. Si kohë datimi trakti i Via Candavias, gjykuar nga përmasat dhe nga teknika e ndërtimit qartësisht i takon një kohe para Via Egnatias së shekujve II-I para erës sonë.

Veç këtij kalldrëmi gjatë aksit të luginës së Shkumbinit Via Candave – Via Egnatia vënde vënde shihen edhe teknika autike para romake në muret mbajtëse të rrugës, si në: Xhyrë, Qafë Thanë, etj.

Kalldrëmi para romak në trojet e fisit ilir të Dokleatëve në Krua Jella të Rizonit në Mal të Zi

Më në veri haset Kalaja e Rozafatit në Shkodër me muret ilire të origjinës së saj. Akoma dhe sot ruhet rruga e vjetër me kalldrëm që nga Pazari i Vjetër më Bezistanin hipte për në hyrjen e Kalasë nga ana lindore. Në gjendjen e tanishme rruga shquan me një kalldrëm- riparim i periudhës turke. Gjatë pjerrtësisë nga ana e poshtme, rruga mbrohet nga një mur mbajtës, i realizuar me teknikën e mureve antikë, me gurë të mëdhenj të çrregullt e të papërpunuar. Kështu edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një rrugë antike me gjerësi 2.5 metra që ngjitej për në Kalanë ilire të Shkodrës, ku faza e parë ilire dominon pranë hyrjes së Kalave.

Pa dyshim trakti më i plotë e më i ruajtur për rrugët ilire tek ne haset në lagjen Vojushë të Gruemirës në Mbishkodër. Trakti me gjatësi disa qindra metra dhe gjerësi 100-150 metra është i ndërtuar më gurë mali të çrregullt të shtruar pa asnjë gjeometri. Kjo rrugë lidhte Shkodrën ilire me fisin ilir të Dardanëve në Kosovën e sotme. Rruga e ngushtë vetëm për karvanë është një objekt me vlerë për fizionominë e rrugëve ilire pararomake që për arsyen e faktorit kohë kanë arritur me pakicë.

Rruga me kalldrëm që të ngjit në Kalanë e Rozafatit Shkodër

Me interes historik dhe teknik është kjo rrugë që lidhte fiset ilire të Labeatëve dhe të Dardanëve duke kaluar nga Kalaja e Ballecit, me origjinë paramesjetare, e cila është përdorur edhe në fushatat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në shekullin e XV-të.

Së fundi, në zotërimet e fisit ilir të Dokleatëve, në veri të Kotorit, në zonën bregdetare të Rizonit ruhen gjurmë të rrugës Risinium – Salthua (Nikshiq). Në lokacionin Kruajella të Rizonit pranë rrugës së sotme Rizon – Nikshiq hasen trakte ilire të ngushta me kalldrëm të çrregullt, me shkallëzime në pjesë të veçanta.

Ngjitur me mbetjet e rrugës ilire dhe më lartë është traktati i  kohës romake me gjerësinë tipike 5-6 metra për kalim karrosh e qerresh.

Rizoni në shekullin e tretë para erës sonë ka qenë një nga qendrat kryesore të Mbretit Ilir Agron dhe gruas së tij, Teutës. Në majën e qytetit ata patën ndërtuar edhe Kështjellën Gradina. Në Rizon pranë Hotelit Teuta ndodhet një mozaik romak i shekullit të tretë i ruajtur mirë dhe i vizitueshëm nga turizmi kulturor.

Teknika tipike e rrugëve romake. Dega e Via Egnatias në Llëngë të Pogradecit

Në përfundim dy fjalë për tipologjinë e rrugëve antike ilire dhe atyre të me vona romake, të shpeshta e të kudo ndodhura.

Së pari rrugët e Ilirisë ishin të ngushta me më pak se 2 metra, të përdorshme për karvanë me kafshë apo udhëtarë, ndërsa ato romake ishin të gjera 5-6 metra për kalimin e ekspeditave ushtarake me karro e qerre.

Nga pikëpamja teknike rrugët e ngushta ilire shtoheshin me gurë mali të çrregullt të madhësive të ndryshme të vendosur me faqen e sipërme më të sheshtë. Traseja ishte pa bordura kufizuese anësore të drejta, pra kalldrëmi ishte heterogjen, pa asnjë lloj gjeometrizimi.

Trakti ilir në Gruemirë

Kalldrëmet romakë në anët e tyre kishin bordura të rregullta të drejta që kufizonin gurë të çrregullt më të vegjël në qendër të gjerësisë. Të dy tipat e kalldrëmeve rrallë kishin shkallëzime. Rrugët në qendrën e Perandorisë kishin një syprinë më të lëmuar e të sheshtë.

Natyrisht, për të ardhmen gjurmimi i traseve ilire mbetet një obligim për specialistët.

Via Candavia para romake në Xhyrë