Prof. Dr. Klara Kodra:Libri i Alfred Uçit “Nga një shekull në tjetrin”

541
Sigal

Një mozaik shumëngjyrësh shqiptar

“Nga një shekull në tjetrin” është një titull kuptim plotë që shpreh një hapësirë njëqindvjeçare dhe fushat e ndryshme që shtrihen dhe e kryqëzojnë njëra-tjetrën në atë hapësirë. Ky është titulli i veprës se re të studiuesit Alfred Uçi, të pjekur në moshë, pot ë ri në frymëzimin e tij që ngjan i pashtershëm. Kjo vepër është një mozaik ndërdisiplinor që ndërthur probleme estetike, vëzhgime letrare, çështje historike, ese filozofike, socio-politike, shkrin të përgjithshmen me të veçantën. Ai shpreh fizionominë origjinale të një kombi, aspekte të jetës së tij, të letërsisë të cilës i ka dhënë dritë dhe njëkohësisht të një studiuesi që, po të përdorim shprehjen metaforike të shkrimtarit të shquar italian Alfieri, si një lis, jo vetëm synon “të fusë më thellë rrënjët” po edhe “ta stolisë ballin me degë të reja”. Vepra është një mozaik shumëngjyrësh, në të cilin çdo ngjyrë kombinohet dhe harmonizohet me tjetrën. Nuk është e rastit që kjo vepër del në dritë në përvjetorët e dy rilindjeve politike, asaj të Shqipërisë (100- vjetori i Pavarësisë) dhe asaj të Italisë (150-vjetori i bashkimit). Meqenëse një pjesë e ndjeshme e këtij libri i kushtohet kulturës dhe letërsisë arbëreshe që si një urë bashkon kulturat e këtyre dy vendeve. Në pjesën e parë të vëllimit autori jep këndvështrimin e vet mbi probleme të rëndësishme estetike teorike duke paraqitur figurën origjinale të një esteti-poet, De Radës. Ai paraqet poetikën e tij (të ndryshme nga poetika konkrete në të cilën ai ishte romantik, meqenëse shpreh një figurë iluministe të ndërthurur me klasicizmin) nëpërmjet veprës “Parimet e estetikës” një ndihmesë shqiptare në çështje të estetikës dhe teorisë së letërsisë. Gjithashtu autori vizaton figurën vigane të rilindjes europiane, gjeniun Dante nëpërmjet vetëizolimit dhe ndërlikimit që pati në Shqipëri duke dëshmuar njëkohësisht edhe për ndihmesën shqiptare në studimet dantologjike nëpërmjet veprës së arbëreshit Domeniko Mauro. Koncepti dhe reforma e “Komedisë Hyjnore” (1862) ku ky studiues synon të deshifrojë simbolet e poemës së Dantes. Studiuesi Uçi sheh edhe ndikimin krijues që pati ky poet gjenial qysh nga fillimet e letërsisë shqipe e deri vonë. Alfred Uçi jep edhe një lexim të ri të vetin dhe të personazheve të pavdekshëm të letërsisë botërore si Prometeu, Hamleti dhe Don Kishoti duke përcjellë duke përcjellë mesazhin që ata i japin lexuesit të sotëm. Gjithashtu studiuesi shpreh mendimin e vet sa origjinal aq edhe objektiv mbi individualitete të spikatura të letërsisë shqiptare si Naimi dhe Migjeni, për të cilët shkenca letrare ka thënë shumë, pa mundur ti shterojë dhe nganjëherë duke reduktuar e shtrembëruar veprën e tyre. Tërë ky kapitull shpreh sfidat e një esteti dhe historiani të letërsisë që nuk ngurron tu drejtohet problemeve kyçe dhe figurave të mëdha të krijuesve. Pjesa e dytë është një pasqyrë e shkurtër e historisë së Shqipërisë që ka vetëm vlera njohëse për të huajt, po edhe interpretime, ndriçime të veçanta të problemeve të debatuara nga historianët për një kohë të gjatë, të para jo me syrin e një historiani profesionist, po me syrin e një sociologu dhe një atdhetari. Pjesa e tretë ka vëzhgime dhe mendime për çështjet aktuale politike dhe sociologjike, çështjet aktuale politike dhe sociologjike, çështje nurolgjike që autori megjithatë guxon ti hapë. Pjesa e parë është ndoshta më e realizuar. Po edhe dy pjesët e tjera kanë veçantinë e tyre, guximin në kapjen e problemeve, frymëza atdhetare dhe çiltërsinë. Në këtë triplik e kaluara dhe e sotmja i japin dorën njëra-tjetrës. E kaluara i flet së sotmes dhe e sotmja ndriçohet nga e kaluara. “Nga një shekull në tjetrin” është një vepër që përmban në vetvete një copëz Shqipërie për t’ia bërë të njohur të huajve me identitetin e vet të veçantë dhe njëkohësisht si pjesë e pandarë e Evropës, një ngjyrë e veçantë në spektrin evropian, është një vepër-pasqyrë ku shqiptarët të shohin vetveten dhe të ndërgjegjësohen për vlerat e kombit të tyre (po edhe për gabimet, kufizimet e mungesat që të mund ti kapërcejnë) një vepër si teleskop ku ata të shohin të ardhmen e tyre.

Përurohet libri i Prof. Alfred Uçi “Da un secolo all’altro”

 Pak ditë me parë në Tiranë, u bë përurimi i librit të prof. Alfred Uçit, akademik “Nga një shekull në tjetrin-100 vjet të historisë së Shqipërisë parë me sytë e një protagonisti. Ai është botuar në italisht nga Instituti Mesdhetar, në Kozenca të Italisë me kujdesin e drejtorit të tij, Mario Bruneti. Në këtë libër me 215 faqe, ai u është drejtuar dhe ka  informuar lexuesit italianë, sidomos ata arbëresh të Kalabrisë, me disa aspekte të udhës së popullit tonë, atdhetar, liridashës dhe përparimtar në shekullin e fundit të ekzistencës së tij. Në përurim kishin ardhur punonjës të arsimit dhe kulturës, pedagogë e studentë, profesorë dhe akademikë, përfaqësues të shoqatës A. K. “Devolli” dhe të ftuar të tjerë. Përurimin e drejtoi pedagogu, Erion Kristo. Në hapjen e veprimtarisë foli edhe vetë profesor Alfred Uçi, i cili u ndal në arsyet përse e shkroi këtë libër, pikërisht tani dhe  e  publikoi në Kozenca të Italisë. Ndër të tjera ishte dëshira e përqasjes së dy ngjarjeve madhore në historinë  e dy vendeve tona fqinje dhe mike. i ndarë në tri pjesë, libri synon të njohë lexuesit italianë por sidomos atë arbëreshë me disa “nyja” të rëndësishme, të cilat i ka përjetuar populli.