Llazar Mazniku:Ju tregoj si e ngritëm për tre muaj memorialin e partizanit shqiptar në kampin famëkeq të Mat’hauzenit

1053
Sigal

Flet  Llazar Mazniku “Laurat i Çmimit Republika

Llazar Mazniku është lindur në Vërnicë të Gollobordës më vitin 1928 në një familje të njohur, me tradita të lashta patriotike e arsimdashëse. Si të gjithë gollobordasit edhe familja e tij është përmendur në fushën e ndërtimit. Babai i tij ka qenë  sipërmarrës ndërtimi në Selanik të Greqisë si edhe në Tiranë pas kthimit nga emigrimi.  Pas çlirimit të vendit ai ishte një nga asistentë – inxhinierët e parë. Vëllai i Llazarit, Trajçe Mazniku ka punuar në shumë objekte të rëndësishme të Tiranës, është dekoruar me titullin e madh “Hero i Punës Socialiste” dhe ka marrë pjesë me armë në dorë në luftën për çlirimin e vendit. Vëllai tjetër Ilia Mazniku është mjek i njohur ortoped dhe mban titullin Prof. Dr. Vetë Llazari ka punuar ndërtues, brigadier e asistentë e inxhinier në rindërtimin e Tiranës të shkatërruar nga lufta. Është i martuar me znj. Sofika Koleci (Mazniku) dhe kanë dy fëmijë. Djali Andrea ka mbaruar për inxhinier ndërtimi dhe për një kohë ka punuar si zv/ministër i Ndërtimit dhe tani banon në Kanada. Vajza Jolanda ka mbaruar të mesmen teknologjike dhe punon në një firmë private.

Z. Llazar kur keni ardhur në Tiranë?

Mbasi mbarova shkollën fillore në Vërnicë në atë kohë shkollë 7- vjeçare në Gollobordë nuk kishte. Babai dhe vëllai i madh ishin në Tiranë dhe më morën edhe mua. Unë isha ende i vogël për punë dhe fillova shkollën 7- vjeçare siç quhej atëherë. Mbasi mbarova shkollën fillova edhe unë punë në ndërtim. Në atë kohë kishte sipërmarrës që ndërtonin vila banimi. Pas çlirimit të vendit në Tiranë u krijuan dy ndërmarrje ndërtimi Nr.1 dhe Nr.2 . Unë fillova punë në ndërmarrjen Nr.1, atje punova pak kohë sepse në Gjirokastër kishte filluar ndërtimi i Spitalit dhe kërkoheshin ndërtues. Kështu unë, Filip Nina po nga Vërnica, Jovan Gjurgjaj nga Ostreni i vogël dhe Sandri Shatraj nga Pasinka shkuam në Gjirokastër. Atje punova gati 1 vit, më erdhi thirrja për ushtarë dhe vajta ushtarë në Brigadën e Xhenjos në Shkodër. Pas mbarimit të shërbimit të detyrueshëm disa nga ne na dërguar në shkollën e Bashkuar për oficerë rezervë. Kursi zgjati 5 muaj dhe unë u lirova nga ushtria. Kur u lirova unë kishte filluar ndërtimi i Kombinatit të Tekstileve Tiranë dhe fillova punën atje, ku punova në disa nga fabrikat e tij.

Ku keni punuar më pas?

Unë kam punuar në shumë objekte të Tiranës. Gjithë karriera ime prej gati gjysmë shekulli kantiereve të ndërtimit ka kaluar nga objekti në objekt. Por më e rëndësishmja për t’u shënuar është puna për ndërtimin e Pallatit të madh të Kulturës. Atje kam punuar që nga fillimi dhe deri në përfundimin e tij.

Çfarë detyre kishit?

Puna atje ishte ndarë në 3 seksione. Në seksionin, ku është Teatri i Operës isha unë asistencë – inxhinier, në seksionin e mesit ishte Negri Nikolla dhe atje ku sot është Biblioteka Kombëtare ishte Kristo Popa.

Kur e keni marrë çmimin e Republikës të shkallës së dytë?

Po, e mbaj këtë titull dhe e kam merituar për punën e bërë në ndërtimin e Pallatit të Kulturës. Me largimin e inxhinierëve dhe specialistëve rus, ne na mbeti një detyrë e madhe për përfundimin e tij. Në atë objekt është derdhur djersë e mund nga ndërtuesit, shumica e të cilëve ishin Gollobordas. Siç ju thashë unë drejtoja punimet në seksionin, ku sot është Teatri i Operës. Problem na doli ndërtimi i skenës së teatrit, atje puna duhej të vazhdohej edhe se sipër saj vazhdonte ndërtimi. Ajo kërkonte një sasi të madhe lëndë drusore, për të mos na ndodhur ndonjë aksident apo vonesë në ndërtimin e saj unë bëra një propozim. Me disa kapriata të kthyera mbrapsht ndërtuam një dysheme dhe kështu puna në skelë nuk u ndërpre dhe nuk na ndodhi asgjë e papritur. Gjithashtu, me propozimin e vëllait tim Trajçe Mazniku, timit dhe të Hajdar Mijës u vendos që për montimin e ventratave të mos vinin specialist nga Italia, por morëm përsipër që t’i montojmë neve. Këto propozime u vlerësuan si racionale dhe me leverdi ekonomike. Kështu që pas përfundimit të Pallatit Trajça mori titullin “Heroi i Punës Socialiste” ndërsa unë e Hajdar Mija morëm “Laurat i Çmimit të Republikës të Shkallës Dytë”.

Z. Llazar si e ndërtuat memorialit e kampit famëkeq në Mat’hauzen të Austrisë?

Unë, Adem Kërmaku nga Stërbleseva dhe Taqo Miho nga Korça kemi qenë grupi i parë në ndërtimin e tij. Them se grupi i pare, se  në pranverën e vitit tjetër, shkuan përsëri Taqo Miha e Thanas Marku për të bërë disa meremetime të mermerit. Atje bënte shumë ftohët dhe kishte pasur disa plasaritje. Të tre ne punonim në ndërmarrje e ndërtimit “21 Dhjetorit”. Kur një ditë na thërret në zyrë drejtori i ndërmarrjes i ndjeri Thoma Disha. Ndërmarrjes sonë tha ai, i është ngarkuar një detyrë shumë e rëndësishme dhe me përgjegjësi politike, të ndërtoj memorialin e të burgosurve tanë në kampin e Mat’hauzenit në Austri. Unë,- vazhdoj ai, -mendova që këtë detyrë tua ngarkoj juve. Nuk e di a jeni dakort?

Po ju çfarë i thatë?

Me thënë të drejtën në fillim na erdhi mirë, por kur pamë projektin sikur u stepëm pak, ishte goxha punë e madhe dhe një afat të shkurtër më pak se 3 muaj. Megjithatë, e pranuam detyrën dhe morëm detyrën ta realizojmë brenda afatit të caktuar. Atëherë, -tha Drejtori, – që nga sot do të liroheni nga punët që keni dhe do të merreni me studimin e projektit. Tani dini se çdo material që nevojitet për ndërtimin e memorialit do ta merrni me vete me maunat tona. Atje do të blini vetëm zhavorrin. Tani shkoni takoni shefin e kuadrit, i jepni të dhënat që do t’ju  kërkoj për nxjerrjen e pasaportave dhe përgatituni për gjërat tuaja personale. Çdo problem që do t’ju dali do ta konsultoni me mua.

Pastaj ju çfarë bëtë?

Ne filluam studimin e projektit dhe përgatitjet tona, si për pajisjet personale ashtu edhe për veglat që nevojiteshin. Do të punonim gati 3 muaj atje dhe duheshin bërë mirë llogaritë.

Po ju nuk ishit inxhinier, mundeshit të zbërthenit projektin?

Sigurisht, ne vërtet nuk ishim inxhinierë, por kishim bërë edhe këtu objekte të cilësisë të lartë, kishim zbërthyer e zbatuar edhe projekte më të ndërlikuara nëpër objekte, ku kishim punuar, pra kishim eksperiencën e mjaftueshme edhe për zbatimin e këtij projekti.

Kush e kishte bërë projektin?

Emrin e projektuesin nuk e mbaj mend, por ishte miratuar nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve nr 1. Në atë kohë vetëm ai kishte të drejtë të miratonte projektin.

Kur u nisët nga Shqipëria për në Austri?

Aty nga mesi i shtatorit të vitit 1966. Materialet i ngarkuam me tre mauna me targat e Durrësit që në atë kohë shkonin jashtë.  Udhëtimi zgjati 3 ditë nëpërmjet ish -Jugosllavisë.

Po atje kush ju priti?

Kur vajtëm atje kishte dalë për të na pritur sekretari i ambasadës sonë në Austri, Rakip Hoxha. Na kishin caktuar një magazinë për materialet në një nga kapanonet, ku mbaheshin të burgosurit. Atje i shkarkuam të tre maunat me të gjitha materialet e nevojshme. Siç thashë, atje blemë vetëm rërën dhe zhavorrin.

Po ju vetë ku u vendosët?

Ne na kishin caktuar një dhomë në zyrat, ku banonin gjatë internimit, personeli i ruajtjes të së burgosurve. Atje kishte dhe pajisje të kuzhinës të nevojshme dhe ne gatuanim vetë.

Po shtetet e tjera kishin bërë monumente për të rënët e tyre?

Po, ata i kishin përfunduar. Ne ishim të fundit. Prandaj kërkohej ritme të larta punë për të përfunduar në afat edhe monumenti i të rënëve tanë. Rusët kishin ndërtuar 2 monumente. Njëri për ushtarët dhe oficerë të thjeshtë dhe një tjetër i veçantë për një gjeneral që kishte vdekur atje pas shumë torturash çnjerëzore.

Kur filluat nga puna atje?

Që ditën e mbërritjes. Pasi i shkarkuam materialet dhe u sistemuam për vete shkuam të shohim vendin që na ishte caktuar. Meqë kishte akoma ditë filluam piketimin e bazamentit për ta bërë gati për të nesërmen. Sa filluam piketimin na erdhën 2 veta. Njëri ishte përkthyesi dhe tjetri përgjegjës i punimeve.

Po ju si u morët vesh me ta, dinit gjuhë të huaja?

Përkthyesi ishte një spanjoll që dhe ai kishte qenë i internuar atje dhe pas çlirimit të kampit kishe qëndruar atje dhe ishte martuar atje po me një grua të internuar. Ai na foli anglisht, por asnjë nga ne nuk dinte anglisht. Unë dija italisht sepse në Tiranë kisha punuar shumë me Italianët e ngelur nga lufta e dytë botërore. Komunikoja mirë italisht dhe ju përgjigja atij italisht. Atij i erdhi mirë sepse edhe ai e kishte mirë të komunikonte në italisht. Kur na pa përgjegjësi i punimeve vetëm me kazma dhe lopata nënqeshi tundi kokën e iku. Mua më mbeti merak përse e bëri atë gjest. Në darkë vajta tek përkthyesi për ta pyetur përse bëri ashtu përgjegjësi i punimeve. Përkthyesi nuk më tregoi të vërtetën ishte tjetër punë tha ai nuk kishte të bënte me ju. Të nesërmen ne ju përveshëm punës ashtu siç dinim të punonim edhe në vendin tonë dhe deri në darkë e kishim përfunduar gërmimin duke e bërë gati për betonim madje edhe dheun e kishim larguar se atje ishte rregull se në vendin e punës nuk mund të liheshin mbeturinat. Kur erdhën përsëri me na pa se si ecte puna u habitëm kur e panë vendin gati për betonim. Na dhanë dorën dhe na përgëzuan. Atëherë përkthyesi më tregoi se, përse e kishte bërë përgjegjësi atë gjest. Nuk kishte besim që ne mund të përfundonim punimet në afat. Që atë ditë ata jo vetëm fituam besim për punën tonë por sa herë që vinin na përshëndesnin duke na buzëqeshur miqësisht.

Përsa kohë e përfunduat memorialin?

Për gati 3 muaj. Shkuam në 15 Shtator 1966  dhe u kthyem në Tiranë në 2 dhjetor. Në fund të punimeve sekretari i Ambasadës tonë në Austri na mori në Vjenë dhe na dha një drekë. Atë natë fjetëm në hotel në Vjenë dhe të nesërmen u nisëm për Tiranë.

Po materialet që ju ngelën i morët me vete?

Po, ato i ngarkuam tashmë në një maune sepse vetëm pak material kishin mbetur. Të tjerët ishin vendosur në objekt. Kështu 29 Nëntorin e atij viti e bëmë në Beograd, ku na priti sekretari i ambasadës Hajrulla Kuburi nga Stërbleva e Gollobordës. Fjetëm atje një natë e të nesërmen u nisëm për Tiranë.

Ju faleminderit!