Piktura “Flamuri”, është simbolika e kësaj ekspozite

912
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori dhe skulptori Shkëlqim Meçaj: “Këtë ekspozitë ja dedikoj 100-vjetorit të Pavarësisë”

Në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë piktori i talentuar Shkëlqim Meçaj, hapi ekspozitën “Meçaj 20-vjet art”. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, merrnin pjesë piktorë, skulptorë, aktorë, miq e të afërm të piktorit Meçaj. Ceremoninë e hapjes së veprimtarisë e përuroi aktorja e talentuar “Mjeshtër i madh” Hajrie Rondo, me interpretimin e poezisë “Flamuri” të poetit Alfred Mehmeti. Mbi vlerat artistike të pikturës së Meçajt foli kritiku e studiuesi modern Abdulla Tafa. Vlerat artistike, etike dhe estetike të veprës së Shkëlqimit janë pjesë e talentit të rrallë sepse janë pjesë e vlerave të të gjithë punës së tij krijuese me përgjegjësi e përkushtim. Të kuptojmë e vlerësojmë megjithë zemër e shpirt, me dashamirësi se ky djalë i mrekullueshëm, u rrit, u edukua dhe u mbrujt me traditat më të mira të të parëve të tij, me dashurinë për fshatin e bashkëfshatarët, ndaj dhe vepra e tij i ka rrënjët e hedh shtat duke u ushqyer me humusin e këtyre vlerave të mrekullueshme njerëzore. Pema gjithë fryte e hijeshi e punës së Shkëlqimit, pikturat e shumëllojshme, skulpturat plot sqimë në ekspozitën e fundit,  i kanë rrënjët në vendlindjen e tij, në Kreshpan.

Cili është qëllimi i kësaj ekspozite?

 Ekspozita titullohet  “Meçaj 20-vjet art”, sepse  unë po mbush plot 20 vjet nga ekspozita ime e parë dhe në këto 20 vjet  kam bërë shumë ekspozita në gjithë Shqipërinë  madje edhe jashtë  Shqipërisë. Në këtë ekspozitë unë kam ardhur  me mesazhin  se edhe larg Tiranës edhe në pamundësi ekonomike dhe financiare edhe pa mbështetjen e shtetit  artistët e vërtetë mund t’ja dalin me energjitë e tyre të brendshme të realizojnë ekspozita impresionuese dhe shumë cilësore.

Sa punime ka kjo ekspozitë dhe cila pikturë është në qendër të vëmendjes së kësaj ekspozite?

Këtu  duke i mbledhur së bashku pikturën dhe skulpturën  në dru dhe në gur janë 80 vepra të ndryshme. Pra skulpturat nuk janë vetëm në gur, por edhe në dru.  Këto punime nuk janë të një kronologjie 20-vjeçare, por janë punimet më të përzgjedhura të kohëve të fundit. Por mund të them se ka edhe ndonjë punim që është bërë në vitet e para të punës sime ku secila prej tyre është e ndryshme, është një  gjetje më vete apo ku shpreh një emocion më vete… Por ajo që më pëlqen mua më shumë dhe që lidhet me 100-vjetorin e Pavarësisë është piktura “Flamuri”, dhe që ndërthuret në mënyrë sinkrone, harmonike me vargjet e një poeti  të  njohur fierak Alfred Mehmeti dhe që për mua  është kryeqendra e ekspozitës.

Kjo pikturë është si pikënisje e kësaj ekspozite?

Kjo nuk është pikënisja, por është qendra e ekspozitës, është ajo që  ndërthuret midis aktivitetit tim  20 vjet art me 100-vjetorin e Pavarësisë. Zanafilla e kësaj ekspozite  është gjithçka që ka të bëjë me mua,  në këto 20  vjet dhe është një ndërthurje midis pikturës, skulpturës, midis historisë  dhe poezisë  të cilat janë pjesë shpirtërore e imja dhe nuk janë të rekomanduara. Këto piktura dhe skulptura janë pjesë e ndjeshmërisë time shpirtërore që  janë të ndërthurura me historinë e të parëve të mi apo të parëve tanë, me të sotmen  të cilën e quajmë bashkëkohore dhe që kjo lloj ndërthurje është shumë e natyrshme. Është një element që më pasuron shpirtërisht, por edhe më frymëzon për të shkuar më tutje.

Sigurisht shkolla ka ndikuar në nismat e tua kaq të guximshme…

Unë kam  mbaruar Liceun Artistik për pikturë dhe fatkeqësisht nuk kam pasur  mundësi  të vazhdoja Akademinë e Arteve për disa arsye që s’ka pse të bëhen publike. Më vonë vazhdova Universitetin Pedagogjik, në Gjirokastër dhe kjo shkollë më dha mundësi të tjera më të mira se sa të vazhdoja Akademinë. Me aq sa kam bashkëbiseduar me artistë të njohur  të artit në Shqipëri, por edhe me miqtë e mi ata vërejnë një lloj ndryshimi  midis artit pikturës që bëjnë artistët e  Akademisë shqiptare, me  artin tim. Kjo sepse unë sjell një lloj arti të ri të performuari, sjell njëlloj  pikture apo skulpture  që nuk ngjan me atë që ne shohim përditë, dhe kjo  vjen si rezultat i  studimeve të mia universale, kërkimeve të mia individuale mbi artin, pasi unë kam pasur miq dhe mësues profesionistë të tillë si Kel Kodheli, i cili  ka punuar me mua qysh në vitin e dytë të shkollës së mesme dhe shumë vite mbrapa, kam bashkëpunuar me një artist shumë të njohur, durrsak  Gavril Priftuli, të cilët të dy  s’janë më gjallë por që për mua mbeten pika referimi për artin. Gjithashtu kam pasur miq të shkëlqyer në Gjirokastër,  mjeshtra të punimit të gurit dhe të drurit, artistë mjaft të njohur, ku ndërkohë nuk do të lë mënjanë miqtë e mi në Fier si Minella Saro, apo dhe ndonjë tjetër që kanë ndriçuar në rrugën time.

Sa ekspozita ke hapur në këto 20 vjet punë sistematike?

Për këtë nuk mund të flas në mënyrë të përpiktë por  mund të them se kam 15 ekspozita personale që nga  viti 1992 ku bëra ekspozitën e parë dhe deri më sot. Pra kam hapur  ekspozita në kohën kur shqiptarët mundoheshin të largoheshin nga Shqipëria si në Gjirokastër dhe këtu në Tiranë. Më pas në vitin 1997 kur në Shqipëri po bëhej katrahura unë përsëri kam hapur ekspozitë tek Piramida ose QNK dhe kështu me radhë në vite të ndryshme që nga Shkodra në Sarandë. Por përveç ekspozitave personale kam hapur ekspozita edhe me kolegë të tjerë ku njëra prej tyre është ajo që ka organizuar   galeria “Tijen Xhi” në Londër me 11 piktorë shqiptarë ku midis tyre isha dhe unë.

Ku e gjen më mirë veten Shkëlqimi në pikturë apo në skulpturë?

Unë e  gjej veten shumë mirë tek të dyja ose më mirë e gjej veten mirë tek epika dhe tek lirika e vendit tim. Këto dy elementë janë ngjizur në mënyrë shumë të bukur me njëra tjetrën. Më pëlqen që në artin tim të jem origjinal dhe të shpreh atë ç’ka unë  ndjej, sepse arti im nuk është pjesë e rregullave të shkruara. Me artin, me pikturën apo me skulpturën unë  jam  i ndërthurur shpirtërisht dhe nuk nisem nga interesat  e fitimit, pra se kam parë artin si burim fitimi, por e kam parë si art, ku kam mundësi të shpreh energjinë apo aftësitë e mia dhe të sjell një mënyrë të re të prezantimit të artit dhe këtë kam bërë në këtë ekspozitë.  Shpresoj që këtë lloj energjie ta shtoj, ta kultivoj më shumë  dhe që të sjell  elementë dhe mënyra të reja të të shprehurit të ideve të temave të  caktuara të formave që më pëlqejnë ti përcjell në art..

Ju keni hapur dhe një ekspozitë në Greqi. Cili ishte qëllimi i kësaj ekspozite?

 E para si qëllim kishte për të  prezantuar një artist ku shumica e  banorëve të Greqisë apo atyre trevave ku ka emigrantë  nuk e konceptojnë që përveç emigrantëve që punojnë në punë të vështira ka dhe artistë  apo intelektualë që kanë diçka më shumë si aftësi. Shkova  me dëshirën e madhe dhe me qëllimin e bashkëpunimit pasi ekspozitën e titullova “Miqësia” për t’ju  thënë faleminderit të gjithëve miqve grekë  që  kishin ndihmuar vëllanë tim dhe jo vetëm vëllanë tim, por gjithë emigrantët të cilët me punën  e tyre mundohen të sigurojnë të mira materiale. Them se ishte një ekspozitë që ja arriti qëllimit, pasi gjeta një mikpritje dhe një përkrahje nga bashkia e qytetit Qefallonia, ku shkova  dhe përgatita një grup pune që ishte me të vërtetë për t’u përshëndetur. Ishte një bashkëpunim greko-shqiptaro-anglez që bëri që ekspozita të performohej në nivelin më të lartë. Aty ku unë hapa ekspozitën ishte një qendër kulture dhe jo një galeri e mirëfilltë. Besoj  se ja arrita qëllimit dhe falënderova dhe publikisht përfaqësuesit e institucioneve të Qefallonisë, por edhe banorët që më inkurajuan dhe më mirëpritën dhe më ndihmuan.

Në këtë ekspozitë përveç pikturës “Flamuri” kush është ndonjë punim po kaq i veçantë?

Një vepër tjetër po kaq e veçantë në këtë ekspozitë është “Mbreti Kreshtan” i realizuar në skulpturë në gur. Kjo është më shumë se një skulpturë portret, ai është mit, pasi përfaqëson historinë e të parëve të mi,  të origjinës tonë pellazgjike. Kjo vepër ka lindur natyrshëm, në mendjen dhe në zemrën time, është  pjesë e një trilli artistik, ku ndërthuret  e shkuara pellazgjike, me  trillin artistik  timin  ku nëpërmjet tij unë i bëj homazh të parëve tanë  të lavdishëm të cilët kanë lënë gjurmë dhe gjurmët e tyre,  i gjejmë sot në gërmimet arkeologjike, i  gjejmë në qeramikë apo në monedha,  forma gurësh të gdhendur.  Ky personazh  ndërthur trillin me arkeologjinë midis dy vendbanimeve të hershme që ndodhen në Cakran, të cilat janë Gurëzeza  dhe Mashkjeza, ku Gurëzeza është qyteti që sipas arkeologëve  është vendbanimi i mbretit ilir Monun, i cili ka pas monedhën e vet ku në to gjendet i gdhendur emri  i tij, i cili dallon nga monedhat e mbretërive të tjera.