Alban Tafaj: Ja Tirana ime!

1114
Sigal

Trajneri bardheblu: “Humbjet me Kukësin dhe Skënderbeun na dhembin, por të kthehemi te fitorja”

 Trajneri i ri i Tiranës, Alban Tafaj (pasoi Artur Lekbellon pas dorëheqjes së këtij të fundit), i duhet të përballet në harkun e katër ditëve dy herë me Kukësin, për kampionat (java e 9-të) dhe për Kupë, pikërisht debutuesit e Superligës, por që në Kupë fitoi 4-0 me bardheblutë, rezultat që përshpejtoi dhe largimin e “Tushes” nga rekordmenët. Në fakt, Tirana është duke kaluar një moment të errët për shkak të rezultateve të dobëta të Tiranës, në kampionat (vendi i katërt) dhe në Kupën e Shqipërisë (në rrezik real të eliminohet nga Kukësi, pas humbjes 4-0). “Sido që të jetë, trajner emergjence apo përfundimtar, unë do të jap kontributin tim, sepse është klubi ku familja ime si “tironce e vjetër” e ndjen më shumë se kushdo tjetër. Parimet e mia si trajner i këtij ekipi do jenë dy: karakter dhe dinjitet. Karakter tek skuadra për të treguar vlerat e veta, sepse unë i njoh vlerat e grupit dhe besoj tek ky grup dhe dinjitet. Kur them dinjitet është rikthimi i dinjitetit dhe i vendit që i takon kësaj fanelle”, tha tekniku i bardhebluve. “Ajo humbja me Kukësin vërtet na dhemb, aq më tepër që erdhi dhe një tjetër humbje në Korçë, ku brenda tre-katër ditëve kemi pësuar gjashtë gola. Nuk ka vend për hakmarrje kundër Kukësit, që nuk quhet më një ekip surprizë, por do të bëjmë lojën tonë më të mirë”, – theksoi Tafaj. “Dëshira jonë është të rikthehemi tek fitorja. Grupit ‘Fanatiks’ i them që jemi ndjerë vërtet vetëm në Korçë pa ata. Në Vlorë ne barazuam vetëm se kishim mbështetjen e tyre. Ata janë më shumë se lojtari jonë i 12-të. Bëj thirrje që të rikthehen ta mbështesin skuadrën, pasi është moment vërtet i vështirë”, -tha trajneri i ri bardheblu. Tafaj i drejtoi zyrtarisht bardheblutë dhe në javët 2-3 të këtij edicioni, pas refuzimit të spanjollit Hulian Rubio për të nënshkruar kontratën me 24 herë kampionët, duke fituar 3-0 me Shkumbini në “Selman Stërmasi” dhe barazuar 1-1 me Teutën në “Niko Dovana”. 39-vjeçari Alban Tafaj, aktualisht me detyrën e drejtorit sportiv, është dhe trajneri i fundit që i ka dhënë një titull kampion Tiranës, pikërisht në sezonin 2008-2009. Në fillim erdhi kroati Blazh Sliskoviç, i cili rezistoi vetëm 14 ndeshje. Pas tij, skuadrën e mori Agustin Kola (16 ndeshje) dhe në fund ishte Alban Tafaj (3 ndeshje), që e nxori për herë të fundit kampion. Një sezon më vonë, 2009-2010. Sezoni nis me Ilija Lonçareviçin në krye të ekipit (2 fitore, 3 barazime, 3 humbje, përfshi këtu edhe dy ndeshjet në Kupën e Kampioneve) dhe menjëherë pas largimit të tij ishte sërish Alban Tafaj (8 fitore, 4 barazime, 4 humbje, përfshi këtu edhe 4 ndeshje të Kupës së Shqipërisë), i cili mori drejtimin e skuadrës. Pas tij, po atë sezon drejtuan edhe Nevil Dede, Devi Muka dhe në fund Sulejman Starova. Tafaj ka luajtur gjatë karrierës së tij futbollistike me Partizanin (kampion në sezonin 1992-1993) si dhe me Tiranën (kampion: 1998-1999, 1999-2000, 2002-2003, 2003-2004, 2004-2005), si dhe disa Kupa dhe Superkupa të Shqipërisë.

__________________________________________________________________________________ 

SHKURT-LEGJIONARET

__________________________________________________________________________________

 

XHEVAIR SUKAJ, GOL I GJASHTË NË IRAN

Xhevahir Sukaj ndihmoi ekipin e tij, Sepehan, të arrinte një fitore me shumë vlerë 4-3, në transfertën me rivalin e tij të drejtpërdrejtë për titullin kampion, Naft Teheran, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të kampionatit iranian. Pas dy golave të Naft Teheranit, me anë të mbrojtësit Hadi Shakouri (6′) dhe sulmuesit kroat Goran Ljuboviç (16′), ishte Sukaj ai që e ngushtoi diferencën në 2-1 në minutën e 58-të në stadiunin “Shahid Dastgerdi” të Teheranit, duke sjellë optimizmin në ekipin e tij. Ky ishte goli i gjashtë sezonal i Sukajt, pas atyre të realizuar më parë kundër Fuladit, Sanat Naftit, Fajr Sepasit, Persepolisit, Malavanit, ku katër prej tyre i ka shënuar në transfertë. Por, në minutën e 58-të, ishte sërish kroati Ljuboviç ai që i çoi shifrat në 3-1. Gjithsesi, Sepehani, ekip me të cilin luan dhe mesfushori i Kombëtares sonë, Ervin Bulku, gjeti forca për të përmbysur diferencën dhe për ta fituar ndeshjen me tre gola të realizuar në harkun e rreth 20 minutave: një dopjetë e mesfushorit Omid Ebrahimi në minutat 74′ (penallti) dhe 92′, si dhe një gol i sulmuesit tjetër Reza Khalatbari. Sukaj është shndërruar tani në një nga të besuarit e ish-trajnerit të Kroacisë dhe Malit të Zi, kroatit të njohur Zllatko Kranjçar. Me këtë fitore, skuadra e shkodranit është ngjitur në kuotën e 24 pikëve duke qenë një pikë larg Estghlal që kryeson me një pikë më shumë në renditje.

SHAU TRAJNERIN, EDGAR ÇANIN E ZBRESIN NGA AUTOBUSI I SKUADRËS

Edgar Çani, sulmuesi shqiptar i Polonia Varshavës, dhe njëri prej lotjarëve me pagën më të lartë në Poloni, u pezullua nga klubi me ekipin e parë dhe tani do të luajë me të rinjtë. Gjithçka erdhi pas një sherri banal në fushë e më pas, një sharje të slmuesit të Kombëtares shqiptare kundrejt stafit teknik. Gjithçka raportohet nga faqja polake, Sport.pl. Lajmi u konfirmua edhe nga një komunikatë në faqen zyrtare të klubit, ku theksohej fakti që Edgar Çani do të stërvitej për skuadrën e të rinjve deri në fund të kësaj faze. “Kemi marrë një vendim me skuadrën për të mos I bërë publike shkaqet”, tha trajneri Piotr Strakoviec. Edhe presidenti i klubit nuk ka dashur të komentojë. Në fakt, sulmuesi i Kombëtares shqiptare (3 gola në 8 ndeshje), nuk pëlqehej nga skuadra dhe kjo dukej qartë. Lojtari nuk u lejua të gjuante 11- metërshin e fituar prej tij. Mbrojtësi Bzhiski, që është i caktuar nga trajneri për të goditur penalltitë ia mori me forcë topin nga dora shqiptarit dhe mes tyre pati një konflikt të shkurtër. “Problemi është që shqiptari është aq i pëlqyer në ekip, saqë po të ishte nevoja do të kishte gjuajtur edhe portieri ynë dhe jo ai”, ka komentuar gjithë mllef një lojtar Polonia Vashavëes. Në klub zbulohet se shqiptari, sharjen ia ka drejtuar trajnerit drejtpërdrejt pas ndeshjes. Ky i fundit është hakmarrë duke e  poshtëruar shqiptarin: i ka kërkuar të zbriste nga autobuzi. Për fat, aty ndodhej Pavel Olzakiem, menaxher i ekipit që bën njëkohësisht drejtorin sportiv të klubit. Ai është rikthyer në Varshavë me makinën e këtij të fundit.