Pa një shtet inkurajues, letërsia dhe artet do të ngelen të panjohura

1026
Sigal

INTERVISTA/ Flet Fatmir Musai, poet, drejtor i TKRS në Bashkinë e Elbasanit

Qyteti i Elbasanit është një qytet që ka nxjerrë shkrimtarë dhe poetë të talentuar. Sot është ndër qytetet e paktë në vend që ka një klub shkrimtarësh dhe poetësh të cilët bëjnë veprimtari të shumta promovuese. Një ndër nxitësit kryesorë të aktiviteteve është bashkia, me kryetarin e saj, Qazim Sejdini. Por si çdo qytet tjetër edhe ky qytet ka problemet e veta të krijimtarisë. Për këtë qëllim ne zhvilluam një bisedë me një ndër krijuesit më aktivë, z. Fatmir Musain.

Si është organizuar sot Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e qytetit të Elbasanit?

Faktikisht qyteti i Elbasanit pas viteve  1990,  është një ndër qytetet apo rrethet e vetme, i cili e ka ruajtur traditën dhe nuk është shprishur si institucion, duke e krahasuar me shumë qytete apo rrethe të vendit tonë. Fill në vitet e para të demokracisë këtu u formua dega e Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj më pas u emërtua Klubi i Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”. Veç kësaj, në qytetin tonë ka hedhur bazat apo është krijuar duke marrë modele të huaja një poezi e veçantë që quhet Haik. Haiku është një poezi moderne trivargshe fillesat e së cilës janë në Japoni. Për këtë poezi Elbasani është qendra ku në bazë të eksperiencës së saj shihen lëvizje për t’u përhapur dhe në qytete të tjera. Pra me këtë ide u formua dhe Klub Haiku Shqiptar, ku kryetar i saj u zgjodh poeti Milianov Kallupi. Madje mund të them me bindje se sa ka qenë në krye të këtij klubi z. Kallupi, qyteti ynë ka bërë më shumë se kushdo aktivitete letrare se çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Madje mund të themi dhe më shumë se Tirana.

Ju folët për ecurinë letrare të Elbasanit postkomunist, por mund të na përcillni diçka për atmosferën dhe aktivitetet letrare të Elbasanit në regjimin komunist?

 Dihet se Elbasani ka qenë dhe mbetet qytet i artit dhe kulturës, një qytet arsimdashës. Nga ky qytet kanë dalë shumë figura të letrave dhe akademikë që i kanë dhënë emër Shqipërisë. Shkrimtarë si: Dhimitër Shuteriqi, Dhimitër Xhuvani, Ali Abdihoxha, Musa Vyshka, etj., janë emra të shquar të letërsisë shqiptare. Pra qysh në vitin 1930 dhe në vijimësi si hallka zinxhiri asnjëherë nuk ka pas ndërprerje figurash letrare qyteti ynë interesant. Mbi të gjitha unë do të veçoja Kostandin Kristoforidhin që hodhi bazat e alfabetit shqip.

Këtu që po flasim në këtë dhomë tek dera në tabelë shkruhet Klubi i Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”…

Po. A nuk tregon kjo qartë se çfarë interes kanë krijuesit elbasanas për krijimtarinë. Besoj se do të jenë të pakta ambientet e tilla për krijuesit në qytete të tjera. Madje unë di se në Tiranë tashmë nuk ka asnjë ambient për shkrimtarët dhe godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve e ka marrë MTKRS. Kjo është e pa falshme. Në Elbasan ky ambient është dhënë për ne krijuesit falë dashamirësisë së Bashkisë (e cila i përkrah krijuesit e vetë), personalisht të kryetarit Qazim Sejdini, i cili interesohet personalisht për aktivitet tona.

Fatmiri poet dhe shkrimtar, por i mëshon më shumë poezisë, përse?

Nuk e di, po poetët tanë të mëdhenj si Agolli apo Kadareja kanë thënë se poezia është ndjenja e parë sentimentale. Unë nuk mund ta shtjelloj pasi më vjen vetiu, pa paramendim, pa ideuar performancë paraprake. Në antikitetin grek, me fjalën poezi nënkuptohej gjithë arti, pra aktrimi, piktura, skulptura, muzika, letërsia, etj…me kalimin e kohës këto gjini u ndanë. Pra poezia ka një emër përgjithësues në artin e të gjithë kohërave. Pema gjenealogjike e të gjitha gjinive krijuese e ka bazën tek poezia. Ndaj dhe unë nuk e di si hyj më shumë tek poezia, mbase krejt natyrshëm, pasi poezia është më e thjeshtë për t’u përhapur, më lehtë të bësh publike, më lehtë ta bësh libër xhepi, më lehtë t’i tërheqësh vëmendjen dikujt, më e lehtë për t’u asimiluar. Ndoshta janë këta faktorë që mëshoj më shumë tek poezia.

Libri dhe përkthimi. Cilat janë arsyet e mos përkthimit të librave të autorëve tanë?

Së pari, nuk kemi cilësi botimesh, autorë të talentuar. Së dyti, mos ekzistenca e përkthyesve të licencuar, me autoritet. Ne jemi një vend  i vogël, me treg të vogël, me krijues jo shumë cilësorë ku dhe jehona s’do të jetë e madhe. Por mbi të gjitha është dhe heshtja dhe mosinteresimi i shtetit. Këtu shteti duhet të thotë fjalën e tij ku duhet të investojë në drejtim të librit duke përkthyer dhe bërë prezent në vendet apo gjuhët kryesore veprat më të mira. Asnjë shkrimtar apo poet nuk mund t’i përkthejë librat në mënyrë individuale. Pa një shtet inkurajues letërsia shqiptare do të ngelet në vend, e panjohur.

_____________________________________________________________________________________

FLAMURI I PAVARËSISË NË ELBASAN, TRI DITË MË PARË SE NË VLORË!…

– Dihet në gjithë Elbasanin (por jo në gjithë Shqipërinë e dinë, apo diku e dinë po heshtin historianët), se në Elbasan është ngritur Flamuri i Pavarësisë më 25 Nëntor, pra 3 ditë më para se të ngrihej në Vlorë.

-Ngritja e flamurit në Elbasan u bë zyrtare, me miting, u bë me popull, u bë me flamur të veçantë, pasi nuk kishte ende një flamur zyrtar. Pra flamuri dhe ngritja e tij në 25 Nëntor në Elbasan ka disa karakteristika që historia duhet t’i nxjerrë në pah.

-Në ditën e ngritjes së flamurit ishin 20 firmëtarë intelektualë dhe njerëz nga dyer të mëdha që firmosën për këtë ditë dhe këtë deklaratë ia nisën Ismail Qemalit, në emër të kësaj krahine, të këtij qyteti.

-Klubi ynë në këtë 100-vjetor po merr masa konkrete që të nxjerrë në pah rolin e qytetit tonë në ngritjen e flamurit në Vlorë për të mos anashkaluar faktin se flamuri i parë i Pavarësisë u ngrit në Elbasan më 25 Nëntor 1912.