Frank SHKRELI * / Ideali kombëtar në 100-vjetorin e Pavarësisë

602
Sigal

Zhvillimet historike nëpër, të cilat ka kaluar kombi shqiptar, shpesh të ngarkuara me fatkeqësi fatale, kanë bërë që kombi shqiptar të humbasë kohë dhe si rrjedhim të mbesë mbrapa kombeve të tjera si motra në Evropë.  Nuk është se shqiptari nuk kishte gjallëri dhe prirje për të ecur hap më hap me kombet e tjera. Shqiptari luftoi, e u dogj por mbijetoi, gjithmonë me bindjen se: ”Kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë”. Rrjedha e shekujve e bëri atë që të priste me vuajtje e durim – në një hapësirë gjeografike të tijën të zvogëluar nga grabitqarët fqinjë- duke kapërcyer sulmet armiqësore dhe planet ngatërrestare shekullore të armiqve të kombit shqiptar dhe bashkëpunëtorëve djallëzorë të tyre.

Më në fund lindi drita, lindi mëngjesi i ri, u shpall Pavarësia e Shqipërisë, 100-vjetori i së cilës festohet brenda një muaji. U rivendos nderi i flamurit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe i Lidhjes së Prizrenit si dhe u rishfaq shpresa për një të ardhme më të lumtur dhe të lirë për kombin shqiptar. Kjo fitore, që i ndryshoi kombit shqiptar fytyrën anakronike të tij të deri atëhershme, u realizua nga rilindësit, përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, të një kombi të pandarë, me interesa dhe me një fat të përbashkët, të një kombi që ishte dhe është integral, homogjen në trojet e veta dhe i pandashëm. Prandaj, ky përvjetor thërret me zë të lartë nevojën për një ideal njerëzor dhe kombëtar, për të bashkuar jo vetëm të gjitha forcat me ndërgjegje kombëtare, por edhe secilin bir e bijë të kombit shqiptar, kështuqë të gjithë të gjejnë vullnetin dhe arsyen – me të drejta dhe detyrime të barabarta – të punojnë  të gjithë së bashku për lartësimin e interesave të kombit dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë.  Në sofrën e festës së 100-vjetorit duhet të ketë vend për të gjithë.  Kjo është trashëgimia e Lidhjes së Prizrenit, për një Shqipëri për të gjithë dhe nga të gjithë.   Jo, një Shqipëri me pa ndërgjegje kombëtare;  jo një Shqipëri me ndasi krahinore ose fetare;  jo një Shqipëri e sunduar nga një klasë politike, pakicash oligarkike me interesa tregtare dhe ekonomike në kurriz të shumicës, e cila gabimisht mendon se duke pasuruar vetveten, përmirëson gjendjen e mbarë vendit. Në këtë 100-vjetor, kombi shqiptar fatbardhësisht ka njerëz mendje-ndritur dhe ekspertë në çdo degë dhe fushë të jetës njerëzore. Ky përvjetor është momenti historik i përqendrimit në idealin njerëzor dhe kombëtar. Mungesa e idealit kombëtar, tërheqë lakmitë e të huajve dhe dashtë e pa dashtë bie viktimë e tyre.  Ideali kombëtar duhet të jetë lartësimi i vëllazërimit kombëtar në nivelin e trashëguar nga të parët: të nderit, besës dhe burrnisë — trashëgimi kjo e stërgjyshërve tanë dhe e krenarisë së emrit shqiptar.

Shqipëria për 100-vjet pavarësi dhe 20-vjet demokraci, megjithëse e cunguar, është mëkëmbur duke lëshuar rrënjë si një shtet modern, anëtar i NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.   Ajo do të jetojë pa marrë parasysh armiqësitë dhe lakmitë e fqinjëve, të cilët gjithmonë i kanë shkaktuar pengesa.   Kosova gëzon gjithashtu, pavarësinë, ëndërr shekullore e të gjithë shqiptarëve.   Në këtë përvjetor, edhe  shqiptarët kudo në trojet e veta gëzojnë liritë e tyre (megjithëse jo të plota) si asnjëherë më parë në historinë e tyre plotë vuajtje.   Por megjithë këto arritje, kombi shqiptar duket sikur thërret për rivendosjen e idealeve shpëtimtare të rilindësve dhe stërgjyshërve, për fuqi dhe ide të reja, të shëndosha dhe të pastra përparimtare të kombit, për të venë në vend amanetin e tyre.

Për arsye të pushtimeve të huaja shekullore, 50-vjet të diktaturë komuniste si dhe koston e madhe njerëzore e morale që bartin ato, duhet pajtuar me faktin se të gjithë shqiptarët kudo, si të pasur ose të varfër, si të shpërndarë dhe të përçarë, si vuajtës dhe si përkrahës të rrymave dhe partive të ndryshme politike, ata nuk do të pushojnë kurrë së vajtuari  traumat e së kaluarës, sepse dhembjet nga ato periudha historike janë ende të freskëta dhe shumë të mëdha.   Por ama si të tillë, shqiptarët në këtë 100-vjetor, nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër veçse të jetojnë si komb së bashku, të shtohen dhe të rritën, në harmoni me njëri tjetrin dhe në begati, të bashkuar nga idealet kombëtare që nuk mund t’i thyej asgjë.

Prandaj, në qoftë se do të festojmë diçka, nuk ka gjë më të shenjtë se pavarësia e një kombi dhe si e tillë duhet të festohet me gjithë mend e zemër, nga çdo shqiptar dhe nga i mbarë kombi.   Ndjenjat dhe krenaria kombëtare duhet të rivendosen, forca e ndjenjës së vëllazërimit kombëtar e rilindësve duhet të kthehet.   Personat dhe zërat e kundërt, qofshin ata politikanë, në pushtet ose jashtë pushtetit, teoricienë, akademikë ose tregtarë, nga veriu ose nga jugu, nga Kosova ose nga viset e tjera shqiptare në Ballkan — të cilët vendosin pengesa ndajë rivendosjes së këtyre idealeve kombëtare duhet të shpallen si persona me mendime të ndryshkura dhe të pandërgjegjshëm nga pikëpamja kombëtare.

Prandaj edhe njëherë, le të shërbejë ky përvjetor si një rast për shërimin e plagëve të vjetra, për pajtimin e mendimeve të ndryshme dhe për ribashkim në festën e madhe të kombit shqiptar.  Në të njëjtën kohë, festa e përbashkët e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të jetë gur-themeli mbi të cilin do të ndërtohet  një  tempull i ri i lirisë kombëtare shqiptare, në pajtim, paqe dhe begati për të gjithë dhe me njëri- tjetrin.

* Ish-drejtor i VOA-së për Euroazinë