Evis Mula: Idhulli im Inva Mula, modeli babai Osman Mula

2750
Sigal

INTERVISTA/ Flet sopranoja Evis Mula: Dashuria është fat, me të vërtetë dhe fat

Sot më datën 1 maj në ora 19:00 në hollin koncertor të TKOB-it, sopranoja Evis Mula dhe pianistja Ardita Bufaj Qafoku do të jenë për miqtë dhe artdashësit shqiptarë të operës në një mbrëmje lirike. Në këtë mbrëmje do të interpretohen romanca të kompozitorëve A.Rubinstein si dhe C.Debussy, po ashtu arie të kompozitorëve G.Verdi, G.Puçini, W.A.Mozart, Avni Mula. Ajo vjen në këtë mbrëmje lirike pas shumë e shumë shfaqjesh të suksesshme në skenat më të mëdha të botës.

1.Ç’përbën për ju roli i fundit dhe si erdhi në repertorin tuaj?

Roli i fundit premiere ka qenë “La Contessa di Ceprano” në operën Rigoletto të G.Verdit. Ky rol, megjithëse, i vogël më ka dhënë mundësinë të ndaj të njëjtën skenë me legjendën botërore operistike Leo Nuçi. Këtë rol e kam debutuar fillimisht në teatrin “La Scala” të Milanos, më pas u kontaktova për pesë shfaqje të tjera në Japoni në teatrin Nacional të Tokios. Një eksperiencë e shkëlqyer, të punosh me regjisorin francez Albert Deflo, si dhe dirigjentin Gustavo Dudamel. Janë emra që për lirikën botërore do të thonë shumë, aq më tepër për mua.

2.Sa role premierë keni luajtur deri me sot?

Kam luajtur disa role premierë dhe natyrisht mosha ime, 26 vjeç, për gjuhën operistike do të thotë “ende e re”. Por të luash vetëm role protagoniste, pra heroinën e operës, deri në këtë periudhë për kohën e sotme, nuk do të ishte gjithnjë gjëja më e këshillueshme. Me këtë dua të them se, një ndër sekretet për një “balsam  të bukurisë dhe freskisë së përjetshme të  zërit” është përzgjedhja e repertorit të duhur në momentin, kohën dhe vendin e duhur.
Megjithatë nuk mund të fsheh se disa nga ambiciet e mija në këto momente do të ishin roli i Mimisë nga opera “La Boheme” e Puçinit, apo Fiordiligi nga opera “Cosi fan tutte” e Mozart, role aspak të vogla, dhe mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri si në stil ashtu dhe në përmbajtjen e karakterit.

3.Cilat janë skenat e botës, ku keni dhënë shfaqje dhe ku jeni ndjerë më e vlerësuar?

Një nga kujtimet më të  bukura për një artist, (dhe këtë e them nga optika ime), është debutimi i parë pra roli i parë me të cilën karriera jote është e destinuar të fillojë. Dhe për mua kjo ka qenë Bess, nga opera e vetme amerikane Porgy & Bess e G. Gershwin.  Ka qenë një fat dhe jo rastësi mendoj. Një produksion, i cili realizohej për herë të parë në TKOB në Tiranë. Një opere e stilit “Jazz” amerikan. Dhe kjo qe një mënyrë e bukur dhe ndoshta jo rastësore për të realizuar metamorfozën mes Evisit në të shkuarën “këngëtares së muzikës së lehtë” dhe një Evisi tjetër, asaj të së ardhmes, e cila do të ishte opera. Fati deshi që menjëherë pas pak kohësh. Të specializohesha për tre vjet radhazi në programin e këngëtareve solistë të teatrit “La Scala”.
Dhe ky teatër për mua që nga ajo kohë u shndërrua në një shtëpi të dytë. Por megjithë dashurinë dhe mirënjohjen time për këtë skenë së cilës i detyrohem shumë, duhet të them se publiku milanez nuk shquhet për “publikun më entuziast” në botë.
Ndaj përpos eksperiencës në teatrin Nacional të Pekinit dhe të Tokios do të veçoja pa dyshim publikun japonez, si një publik, i cili përulet dhe gëzon si një fëmijë përballë artistëve, që nderojnë skenën e tyre.
Publikun shqiptar, po e le në fund jo pa qëllim, për të nënvizuar kënaqësinë dhe përgjegjësinë që ndjej sa herë bie në kontakt me të. Arsyeja është sepse skenën dhe publikun shqiptar e ndjej si një njësi matëse për zhvillimin dhe rritjen time artistike.

4.Si erdhi tek ju dëshira për të studiuar si soprano dramatike? Kush ishte nxitësi kryesor?

Kësaj pyetje do t’i përgjigjem vetëm me dy fjalë: Nina Mula dhe Fati. Nina Mula si pedagogia, e cila e formoi dhe e udhëhoqi personalitetin tim artistik që në moshën 1-4 vjeçare. Dhe fati, i cili e bëri të mundur realizimin e ëndrrës së zysh Ninës dhe asaj që më vonë u bë dhe ëndrra ime.

5.Babai juaj Osman Mula, çfarë roli ka luajtur në jetën tuaj artistike?

Babai im, si prind dhe artist është gjithçka. Është një ndikim determinant në jetën time.
Frymëzimi, modeli, krenaria, forca ime artistike.
Pa ‘të, por dhe pjesën tjetër të familjes sime, nëna dhe im vëlla Soni, nuk do të isha kurrë ajo Evisi, e cila gjërat në jetë i merr me pozitivitet dhe përgjegjshmëri. E dua tim atë sepse natyrshëm, është babai im, por e adhuroj për njeriun dhe talentin e madh. E adhuroj vërtet. Mund të flisja pambarimisht për këtë temë, por si përfundim do të thoja se Zoti më ka bekuar me dy prindër dhe një vëlla si Soni. Familja është bekimi im.

6. Kë do veçoje nga sopranot  shqiptare dhe ato botërore?

Kur jam gjendur për herë të parë jashtë Shqipërisë, në audicionet e mia të para jashtë vendit, kam menduar: O Zot, këngëtarët shqiptarë, të cilët kanë mundur të ndërtojnë një karrierë botërore, përtej kufijve të Shqipërisë, janë heronj. Në plotkuptimin e fjalës, qofshin soprano, mezzo-soprano, tenorë, bas, apo baritonë. Dhe jeta më ka bërë të mundur që një pjesë të tyre të mund ta njoh në momente apo rrethana të ndryshme. Për të gjithë ata kam respektin dhe konsideratën më të thellë. I tillë është tenori shqiptar Saimir Pirgu, të cilin për herë të parë e kam takuar, pas debutimit të tij mbresëlënës në “La Scala” me rolin e Taminos në operën “Flauti Magjik”. Janë nga ato momente të veçanta krenarie, të cilat të mbeten gjatë në kujtesë. Por ndër të tjera, dua të rrëfej një intimitet, që mund të ngjaj një vogëlsi dhe fare e natyrshme për një vajzë që mban peshën e mbiemrit Mula. Kur në moshën 14 vjeçe, zysh Nina Mula, pedagogia ime, ndërtonte vokalin  dhe personalitetin tim artistik, kur me durimin dhe intuitën e saj të jashtëzakonshme më mësonte si të bëja vokalica apo si të këndoja një arie me zë të impostuar, në shtëpinë e saj dhe të axhës Avni, tek piano, syri im ndeshej gjithnjë  me portretin e fotografisë së një artisteje të madhe, Inva Mula. Që nga ai moment, e me kalimin e viteve ajo do të ishte dhe është edhe sot “IKONA ime”

7. Ku je ndjerë më keq në skenë?

Për fatin tim të mirë, ose arsyeja mbase është se karriera ime nuk është ende e gjatë për të më rezervuar momente të një karakteri kaq dramatik, ku të ndihesh “keq në plot kuptimin e fjalës”. Sigurisht nuk mund të mohoj faktin që përgjithësisht jam natyrë që emocionet e daljes para skene i vuaj goxha, por nuk mund të veçoj ndonjë moment, kur gjatë interpretimit në skenë ta kem ndjerë veten keq. Ose më mirë të them: për fat ende jo. (qesh)

8. Mendimi juaj për bashkëjetesën?

Pse jo, mendim i mirë.

9. Një përkufizim për dashurinë?

Do të përdor një frazë që mund të jetë klishe, por ky është mendimi im: Dashuria është Fat, me të vërtetë, fat.(qesh)

10. Mendoni se publiku shqiptar po i afrohet për çdo ditë e më shumë operës?

Të jem e sinqertë, do të doja shumë, ose më mirë të them dua, apo shpresoj të jetë kështu, por nga natyra ime, nuk më pëlqen të flas, kur nuk kam fakte, apo argumente sepse do të isha përgjithësuese dhe aspak racionale. Sidomos për një temë, e cila më intereson shumë.
Me këtë dua të them se, nuk kam përvojën e duhur në Shqipëri, për të patur statistika të vërteta, të cilat dëshmojnë rritje apo ulje të interesit publik ndaj operës. Sigurisht, mendoj se ka politika dhe mënyra për ta afruar publikun drejt operës dhe një ndër to mendoj se është rritja e cilësisë artistike.

 A mendoni se opera është për një publik të kualifikuar?

Në radhë të parë, mendoj se në vendin tonë duhet të kemi artistë, të cilët të jenë në koherencë të plotë me kërkesat artistike të teatrove botërore, kjo do të rriste konkurrencën dhe si rrjedhojë dhe kualifikimin. Çështja është tepër e gjerë për të mbërritur deri tek një publik i kualifikuar. Megjithatë, nëse do ta përfshija tek publiku atë masë të artistëve, mendoj se ka një ndërgjegjësim për nivelin se ku është dhe ku duhet të arrijë niveli i operës në Shqipëri.

 Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

Mendoj se janë dy: Inteligjenca dhe bukuria. Mendoj se një femër e bukur fiton shumë pikë dhe asete se kur është inteligjente dhe një femër inteligjente po ashtu kur është e bukur ka ende më shumë asete. Një femër e pajisur me këto dy armë, të cilat konvertohen në shumë përcaktime si fisshmëri, shije, ëmbëlsi, delikatesë, shkathtësi, thjeshtësi, modesti, mençuri, pjekuri, sens ironie e autokritike, pozitivitet, humor, feminilitet e bëjnë atë që me pak fjalë meriton të quhet “Femër” vërtet një Femër.

Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Të më ndjej kush vuan nga sindroma e feminizmit, unë vet mendoj se jam e tillë. Por, gjithashtu, mendoj se një nga problemet më të mëdha që femra shqiptare e ditëve të sotme vuan sot, është emancipimi përmes vetes.