Nuk po kuptoj asgjë!

1636
Sigal

Nga Hana Xhihani

Më, nuk mundem!

Nuk mundem të përcjell mallin,

që torturon peshën e rëndë të kujtimit.

Nuk e besova që vetmia do t’më torturonte

sot,dje, pardje.

Lënduar nga plagosja e dimrit të acartë,

dëshpërimi vrapoi bashkë me erën e veriut,

duke shtuar ndalesat e trenave për në rrugën aq të dëshiruar.

Jeta derdhet më pas menduar,

shqetësuar,

duke lënë kujtimet të vadisin pikëlluar fletët e ëndrrave.

Çdo çast,

çdo ditë,

shikoj kohën të ecë fshehtë,

dielli ndalon kaldajat e ngrohjes dhe hëna nuk vesh më rrobën e ndritur.

Nata frikësohet,

fsheh fytyrën me maskë.

Vetmia u ngjye me pluhur trishtimi.

Vërtet,

mjaft e trishtë të mos shohësh yjet nga qielli i maskuar.

 

Nëse shkëlqimi qiellor nuk depërton në syrin tim,

Atëherë buzëqeshjen e rreme

të fshehur nën errësirë

s’e dua!

Zemrën nuk e dua të thyer nga errësira!

Nuk e di pse kujtimet marrin arratinë,

duke u përplasur pas mureve të heshtjes.

Kjo gjëndje më bën të ndihem

si i dehuri që rrëkëllen gotën me fund

e më pas nuk di se çfarë ka pirë.

Sa do të doja,

që dielli të ishte historia ime!

Përse vallë fshihet pas një reje?

Nuk kuptoj asgjë