Ndikimi i pandemisë së Covid-19 në bujqësi, ministri Çuçi mbledh shoqatat e agrobiznesit: Situata në monitorim të vazhdueshëm, mbledhim propozimet për paketën e ndihmëse (VIDEO & FOTO)

443
Sigal

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuci, zhvilloi një video-konferencë me përfaqësues të 11 shoqatave të agrobiznesit, për të diskutuar me ta ndikimin e pandemisë së koronavirusit në sektorin bujqësor dhe agropërpunimin. Secili prej tyre shprehu shqetësimet e veta dhe ofroi propozime konkrete se si mund të minimizohen pasojat e krizës së Covid-19 në këtë sektor. Ministri Çuçi tha se takime të këtij formati do të bëhen një lloj rituali, sidomos në këto kohë të pandemisë me një dinamikë të veçantë.

“Biem dakord që ka disa pjesë të sektorit që janë prekur nga situata dhe masat a marra për Covid-19, sikundër ka pjesë që deri më tani vlerësohet se kanë ecuri normale. Megjithatë edhe këto pjesë që nuk kanë pasur le të themi turbulenca, mbeten për t’u monitoruar si si do të shkojnë në të ardhmen pasi askush nuk e di derisa zgjat kjo krizë. Deri më sot nuk kemi pasur probleme shkëmbimesh me tregun global”, tha ministri Çuçi duke vënë theksin tek monitorimi i vazhdueshëm i sektorit nga të gjithë aktorët dhe gjenerimi i të dhënave apo raporteve profesionale lidhur me impaktin në bujqësi të pandemisë së Covid-19 në mënyrë që më pas të shkohet drejt një pakete.

Edhe pse aktiviteti bujqësor nuk është ndalur pavarësisht masave kufizuese, gjatë diskutimit u kërkua që të garantohet lëvizshmëria 24 orë edhe për punëtorët e mirëmbajtjes së linjave të prodhimit. Ministri tha se është në komunikim të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit për të ndihmuar që të mos ketë pengesa në asnjë rast. Për shkak të pezullimit të punës së restoranteve dhe të turizmit në tërësi, konstatohet ulje me 30-40% e numrit të qingjave e kecave të therur. Kjo sipas shoqatave shihet me shqetësim pasi rrezikon të krijojë vështirësi në menaxhimin e tufave dhe ulje të prodhimit të qumështit.

Çështja të tjera që ata shtruan ishin ribalancimi i regjimit fiskal sa i përket TVSH-së, si dhe futja e konceptit të çertifikatës së origjinës së produkteve shqiptare dhe përcaktimi i një kuote  (ekstra-fiskale) për të mbështetur dhe promovuar prodhimin vendas në media. Sa i përkët kredisë me garanci sovrane shoqatat kërkojnë që ajo të mos jetë e kufizuar, por të përfitojnë edhe fermerët, si dhe huaja e marrë të mos përdoret detyrimisht vetëm për paga. Përfaqësuesi i Shoqatës së Bimëve Aromatike Shqiptare kërkoi përjashtimin nga taksa e ndërtesës për vitin 2020 të sipërmarrjeve të kësaj industrie.

Ndërkohë ministri theksoi se tek Skema Kombëtare e këtij viti bimët medicinale janë një nga sektorët që do të mbështeten me fonde. Lidhur me peshkimin shoqatat kërkuan ndërhyrje për të gjetur treg në mënyrë që prodhimi të mos mbetet stok. Importuesit e miellit propozuan të shtyhet parapagimi i TVSH-së në doganë. Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkoi që supermarketet në këtë kohë të kenë së paku 40% të rafteve me produkte shqiptare për të ndihmuar ekonominë vendase.

 

Sa i përket aktit normativ që detyron prodhuesit të krijojnë stoqe produktesh, shoqatat kërkuan specifikimin e produkteve në mënyrë që të mos blejnë apo prodhojnë kot dhe më pas të kenë probleme me likujditetin. Gjatë diskutimit u kërkua gjithashtu aktivizimi i një kanali të dedikuar në RTSH për bujqësinë dhe sektorin rural. Për zbatimin e kontratave të programit IPARD, ministri Çuçi tha se autoritetet europiane do ta rishikojnë këtë çështje për të krijuar të gjithë fleksibilitetin e nevojshëm për shkak të pandemisë së Covid-19.

###

Linku me pamje (Pjesë nga fjala e ministrit dhe e disa prej propozimeve te shoqatave)  

https://wetransfer.com/downloads/0baeabdbcb728b699d91db32741f9bba20200411081223/d69ace​