Novruz Shehu: Kombet nuk mund të kuptohen pa intelektualët!

734
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari dhe publicisti, Novruz Shehu: Kam mbledhur reliket e 100 personaliteteve nga At’ Zef Pëllumbi dhe deri te Vaçe Zela

Këto ditë në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar u hap ekspozita (ose këndi muzeal, apo si i thuhet Muzeu shëtitës ) e shkrimtarit Novruz Shehu, me relike të disa prej personaliteteve më të shquara të artit, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Pra ishin relike të rreth 100 personaliteteve, ku disa prej tyre kishin dhe tre relike. Nëpërmjet  relikeve  z. Shehu ka parasysh që të japë mesazhin e ndriçimit të veprës së personaliteteve. “Në globalizimin e shoqërisë, mendoj -thekson ai- është e domosdoshme të pasqyrohen e prezantohen figurat e shquara të kombit tonë si Pjetër Arbnori, At’ Zef Pëllumbi, Musine Kokalari, Leonard Ajkun, Tefta Tashko Koço, Muntaz Dhrami, Aleksander Filipi, Jorgjia Truja, Margarita Xhepa, Vaçe Zela, Jani Jançe, Saimir Strati, Ali Kastrati, Avzi Nela etj…”.

 Si ju lindi ideja për të bërë këtë ekspozitë kaq të veçantë me relike dhe me sende të personaliteteve të ndryshme?

 Unë e kam pasur pasion të veçantë qysh në rininë time të shkruaja për personalitetet, pra për personalitete letrare, historike dhe shkencore. Pas ardhjes në Tiranë  në vitin 2010 kam shkruar një numër të konsiderueshëm ese për personalitete të ndryshme të kulturës  dhe letërsisë. Duke shkuar në shtëpitë e tyre dhe duke marrë intervista, apo për t’i vizituar, vura re se në disa prej shtëpive të tyre, brenda kishte kënde muzelae të jashtëzakonshme. Pra brenda  shtëpive. Për shembull Sali Shijaku ka një muze të mrekullueshëm apo dhe shumë të tjerë si Dhimitër Shuteriqi që ka materiale të jashtëzakonshme. A nuk do të ishte mirë sikur plus intervistës të kisha dhe një relike apo send të punës së tyre që t’i bëja si reklamim në një ekspozitë. Pra kështu mori udhë ideja ime për të hapur këtë ekspozitë lëvizëse.

 Si i merrje këto relike?

Duke ua kërkuar vetë dhe duke u marrë në fund dhe një deklaratë me shkrim dore që është e dhuruar dhe është e tyre. Vetëm kështu do besohet që janë të tyre, ndryshe mund të thuhet se janë fantazuar. Kështu, më lindi ideja për këndin muzeal, apo si i thuhet “Muze Shëtitës”. Integrimi në BE është një ballafaqim kulturash dhe ne, s’e kemi të paktë kulturën. Nuk mund të flitet për një bashkim Europian ekonomik pa një bashkim kulturash, ku secili vend të ruajë identitetin e tij. Dhe identiteti i një kombi varet nga kultura, nga personalitetet më të mëdha të letërsisë, artit apo shkencës. Kështu, pra fillova të mbledh shumë relike. Mblidhja çdo ditë relike, trokisja çdo ditë në dyer personalitetesh derisa u krijua bindja që ka ardhur koha për një ekspozitë.

 Vetëm nga personalitetet brenda vendit ke marrë në konsideratë apo dhe në diasporë?

Jo edhe në diasporë. P.sh këtu kam dy harta të Shqipërisë dhe harta e diasporës. Si hartë të diasporës kam marrë hartën e  Leonard Xhokaxhi, i cili është një valltar  i shquar, i cili banon në Amerikë dhe është bërë i famshëm në botë. Ai më dha një bluzë interesante, kur ai kishte zëvendësuar Nurejevin, valltarin e shquar rus në një koncert të madh në Paris. Nurejevi atë natë ishte i sëmurë dhe kërkuan një valltar të dytë dhe zgjodhën Leonardin. Ky akt, kjo lojë ka bërë që ai të hyjë në historinë e Muzeumit të Artit të Parisit për kërcimin e veçantë, elegant dhe tepër deçiziv në jetën e tij.  Pra u fut  në fondin e Artë të Kulturës botërore dhe unë i mora atë bluzë që ai kishte kërcyer në Francë ditën kur zëvendësoi Nurejevin. Këto relike janë zëri i mjetit për të shkuar  tek individi, tek personaliteti i tyre. Këtu kam relike të Pjetër Arbnorit. Kur shkruaja letrat e Pjetrit në një libër, jam mahnitur. Nëna e tij i kishte ruajtur për 28 vjet letrat që ai i dërgonte nga burgu në Burrel. Ja kërkova zonjës së tij, ku më dha dhe një stilolaps dhe një cigare që një spanjoll mik i Shqipërisë, bëri enkas për të një cigare Purro me emblemën Pjetër Arbnori. Kemi një stilolaps të Papa Vojtilës që i është dhuruar Pjetër Arbnorit nga vetë ai kur Pjetri i kishte dhuruar një pikturë, peizazh me Skënderbeun. Mua këtë stilolaps ma dha motra e tij. Kemi një stilolaps dhe  një kryq që mi ka dhënë At’ Zef Pëllumbi në vitin 2009. Të gjitha këto me shkrim dore. Kur i mora reliket ai pinte një gotë rakie rrushi të veçantë që përdor dhe Dritëro Agolli. At’ Zefi ishte i internuar në Tepelenë. Më tha shumë gjëra nga Tepelena, por mbi të gjitha se si një prift përcillte me rregullat fetare në varr edhe myslimanët pasi hoxhallarët kërkonin para, për të bërë ritet. Ishte viti 1952, reliket atij i kujtonin shumë ngjarje. Në Tepelenë tha njerëzit ishin të mrekullueshëm. Stilolapsi dhe kryqi që më dhuroi ishin të veçantë. Kryqin ja kishin dhuruar dhe ai ma dhuroi mua duke më thënë, që kur mora dhuratë këtë kryq çdo gjë më ka vajtur mbarë. E kam mbajtur 16 vjet, por po ta fal. Këtë kryq ja kishte dhuruar një pjesëtar i familjes Serreqi nga Shkodra, sapo doli nga burgu.

 Sa  personalitete keni me reliket e tyre në këtë ekspozitë?

Unë këtu kam rreth 100 personalitete me një apo më shumë relike të dhuruara prej tyre. Disa edhe nuk i kam vendosur. Këtu p.sh kam dhe një magnetofon që ajo përdorte për të dëgjuar disqet apo këngët që i kishte të preferuara. Ajo regjistronte edhe vetveten në këtë magnetofon. Ja kërkova familjes dhe bashkëshorti i saj erdhi nga Zvicra dhe ma dhuroi.

Po kjo gërshetë?

Ah, gërsheta, është një gërshetë origjinale e Lili Cingut, valltares më të madhe shqiptare të të gjithë kohërave. Mbi atë gërshet që ajo e preu është dhe kapelja që ka lozur rolin e Shote Galicës. Më tutje është një pikturë e Selam Musait e cila është bërë me urdhër të Enver Hoxhës.

Pse me urdhër të Enver Hoxhës?

Sepse kur kishte shkuar Enver Hoxha në Sinanaj të Tepelenës në shkollën Selam Musait, pyeti po fotografia e Selamit ku është. Mësuesit ngritën kokën me habi. S’kemi,- i thanë. -Të gjendet dhe të bëhet!- urdhëroi ai.  Ishte Vasil Dilo, piktori minoritar ai që mblodhi shumë materiale për ta bërë portret në pikturë dhe pastaj të fotografohej në disa kopje. Ishte viti 1959, kur ai bëri disa kopje, ndërsa kjo që kam unë po vihet në ekspozitë për herë të parë.

 Të veçantat e kësaj ekspozite?

Kam gjetur ata elementë apo ato relike që personifikojnë personalitetin e artistit, krijuesit, valltarit, kompozitorit, këngëtarit etj..

 Si do t’i ruani në një të ardhme këto relike?

Kjo është një pikëpyetje e madhe. Unë nuk kam asnjë kusht në shtëpi. S’kam dhomë pasi duan një dhomë të madhe.

 Mesazhi i kësaj ekspozite?

Kombet nuk mund të kuptohen pa intelektualët. Ai komb që nuk vlerëson intelektualët pushon së qënuri komb. Në Shqipëri intelektualët nuk janë vënë në vendin e duhur. Këtë nuk e them unë, por e thonë personalitete. Ne ende nuk kemi hartën intelektuale të diasporës, me identitet të plotë. Të gjithë këta duhet të jenë në kontakt me ambasadat, aty ku punojnë dhe jetojnë dhe të marrin kontakte edhe me vendin e tyre në festa apo evente të rëndësishme kulturore-artistike.